Kina vazhdon përmirësimin e masave për parandalimin e shpërthimeve të COVID-19
2023-03-30 16:41:04

Kina ka hyrë në një fazë të re të parandalimit dhe kontrollit epidemik pasi uli nivelin e menaxhimit të masave përballuese të COVID-19 në sëmundje ngjitëse të kategorisë B. "Situata e përgjithshme e përballimit të epidemisë është e mirë në tërë vendin," u tha në një mbledhje të organizuar nga Komiteti i Përhershëm i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës më 16 shkurt. 

CGTN

CGTN

Situata e tanishme e COVID-19 në Kinë

Sipas të dhënave statistikore të fundit nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, numri i testeve pozitive të acidit nukleik në Kinë ka ruajtur prirjen e rënies deri më 16 mars, duke u ulur nën 8 000 raste për më shumë se një javë.

Infektimet nga epidemia po ndodhin në Kinë në një nivel të lokalizuar dhe sporadik, u shpreh Wu Zunyou, kryeepidemiologu i  Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në një intervistë në fillim të marsit.

VCG

VCG

Askush nuk mund të thotë se si do të jetë ecuria  e COVID-19, theksoi Wu, por sipas tij koronavirusi i ri do të bashkëjetojë me njerëzimin për një kohë të gjatë.

Zhan Qingyuan, zv.drejtor në Departamentin e Sëmundjeve të Mushkërisë dhe të Kujdesit Kritik të Spitalit të Miqësisë Kino-Japoneze, ritheksoi të njëjtën gjë për CGTN-in: "Njerëzit janë të detyruar që të jetojnë me mikroorganizmin, sepse s'mund ta vrasim të gjithë koronavirusin."

Ndërsa epidemia e COVID-19 "ka përfunduar në thelb" në Kinë, Spitali i Miqësisë Kino-Japoneze ka funksionuar në të njëjtin nivel si para epidemisë për shkak të gripit stinor,  që është rritur me 53.2 % në javën nga 6 deri më 12 mars, shumë më tepër se të dhënat e fillimit të shkurtit, sipas Qendrës Kineze për Kontrollin e Parandalimin e Sëmundjeve.

Zhan sugjeroi që të moshuarit dhe ata me rreziqe potenciale të vaksinohen e të mbajnë me vete termometër,  reagentë antigjeni dhe barna kundër COVID-19. "Unë rekomandoj që të përdoren barna kur testi i acidit nukleik është pozitiv, meqenëse sa më herët të përdoren barnat kundër COVID-19, aq më i mirë është efekti i tyre."   

Përgatitje janë duke u bërë edhe për COVID-19

Çdo gjë në Kinë është kthyer në gjendjen normale, teksa institucionet kyçe si spitalet janë ende duke u përgatitur. 

VCG

VCG

Në mes të gripit stinor, Zhong Lintao, drejtori i Zyrës së Menaxhimit të Infektimeve Nozokomiale, tha se mjekët në klinikën e etheve të spitalit i kanë triazhuar pacientët në bazë të seriozitetit të gjendjes së tyre, duke zëvendësuar rezultatet e testeve të acidit nukleik të tre vjetëve të fundit.

Përveç kësaj, ky spital i është përkushtuar edhe parandalimit e kontrollit të përditshëm të infektimeve, sipas Zhong-ut. "Për shembull, ofrojmë udhëzime të mbrojtjes personale për punonjësit mjekësorë e pacientët dhe pastrojmë e dezinfektojmë sendet që preken shpesh përditë, për të parandaluar përhapjen e virusit në institucionet mjekësore."

Zhong theksoi se ata kanë grumbulluar shumë përvojë në raundin e fundit të epidemisë së COVID-19 dhe mund të kalojnë nga funksionimi normal te përgjigjja e shpejtë për një shpërthim të sëmundjes, duke përfshirë dërgimin e punonjësve mjekësorë në klinikën e etheve, departamentin e repartet e urgjencës, si edhe rezervimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore.

"Ne do të zgjerojmë edhe kapacitetin e departamentit të urgjencës nëpërmjet transformimit të reparteve speciale të departamenteve të tjera për të trajtuar rastet serioze kur ka nevojë," tha Zhong.

Në dhjetorin e kaluar, ky spital shndërroi një ndërtesë në reparte për t'u kujdesur për të sëmurët nga COVID-19 në gjendje kritike, dhe, megjithëse ka rinisur shërbimi normal, Zhong u shpreh se mund ta shndërrojnë në reparte përsëri shumë shpejt nëse ka nevojë.

Forcimi i pikave të dobëta

Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës, Komisioni Kombëtar i Shëndetit dhe gjashtë departamente të tjera kanë shpallur një njoftim dhe kanë bërë punët përkatëse për konsolidimin e arritjeve kryesore të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, duke forcuar pikat e dobëta në kujdesin mjekësor e shëndetësor në fshat dhe në qytet, tha Liu Dechun, drejtor në Departamentin e Ruajtjes së Burimeve dhe Mbrojtjes së Mjedisit të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës në një konferencë shtypi të enjten e kaluar.

Sipas Liu-t, Kina do të forcojë aftësinë e mbikëqyrjes epidemike dhe sistemit të paralajmërimit e reagimit në fazat e hershme, dhe do të përmirësojë pajisjet e mbikëqyrjes shëndetësore dhe aftësinë e institucioneve kyçe, si institucionet mjekësore dhe të kujdesit për të moshuarit, si edhe qendrat e mëdha tregtare. 

VCG

VCG

Është kërkuar gjithashtu që të bashkërendohen dhe shpërndahen furnizimet dhe burimet mjekësore, dhe të ndërtohet një sistem i kujdesit shëndetësor me shumë nivele dhe i bazuar në referim në mënyrë të rregullt, duke ndërtuar rrjete të kujdesit shëndetësor me tre nivele - spitalet parësore, dytësore dhe tretësore - me institucionet publike mjekësore si shtylla kryesore.

Liu tha po ashtu se Kina do të përmirësojë kushtet sanitare në pikat e mbushura me njerëz dhe do të zbatojë qeverisjen shëndetësore mjedisore në vende si fshatrat afër qytetit dhe tregjet e fermerëve. (Xu Guang)