
Foto nga RTSH
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur të mërkurën detaje nga plani i qeverisë shqiptare për rritje të pagave në vend. Në një deklaratë për mediet pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Rama deklaroi se plani ambicioz për rritje pagash synon që të mundësojë në harkun e këtyre dy viteve, 2023-2024, ngritjen e Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit.
Rama tha se ky plan synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh. Ai tha se pas rritjes së pagës minimale, tani mund të shkojnë drejt rritjes edhe të pagës mesatare në dy faza, citon “ATSH”.
“Kemi thënë për rritjen e pagës së mjekëve dhe infermierëve me 7% këtë vit dhe pasi të bëjmë rritjen e kësaj pjese me 7% do të shkojmë në rritjen tjetër që do të jetë e konsiderueshme vitin e ardhshëm. Ndërkohë, për të tjera kategori do të kemi rritje të menjëhershme këtë vit”,- theksoi kryeministri Rama. (Elona)
