Kryeministri Li Qiang mban një fjalim kryesor në Forumin e Boaos për Azinë të vitit 2023
2023-03-30 18:36:01

foto/VCG

foto/VCG

Kryeministri kinez Li Qiang mori pjesë në ceremoninë e hapjes së konferencës vjetore të Forumit të Boaos për Azinë të vitit 2023 në Boao të enjten paradite dhe mbajti një fjalim kryesor.

Gjatë fjalimit, kryeministri Li tha se në botën e sotme, paqëndrueshmëria, pasiguria dhe paparashikueshmëria janë bërë normë. Dhjetë vjet më parë, presidenti Xi Jinping propozoi për herë të parë konceptin e rëndësishëm të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, i cili është bërë një flamur që udhëheq prirjen e kohës e përparimin njerëzor dhe një burim fuqie për të promovuar paqen e qëndrueshme dhe begatinë e përbashkët në botë.

"Është e nevojshme t'i përmbahemi konceptit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin e të bashkohemi për të ndërtuar një bashkësi aziatike me një të ardhme të përbashkët, për t'i sjellë më shumë siguri paqes e zhvillimit botëror. Së pari, duhet të ruajmë së bashku një mjedis zhvillimi paqësor e të qëndrueshëm dhe të krijojmë më shumë siguri në situatën e trazuar ndërkombëtare. Së dyti, duhet të ndërtojmë bashkërisht një qendër rritjeje më dinamike dhe të sjellim më shumë siguri në rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Së treti, duhet të zgjerojmë bashkërisht rrugët efektive të solidaritetit e të bashkëpunimit, duke sjellë më shumë siguri në ndryshimin e thellë të qeverisjes globale. Së katërti, duhet të promovojmë bashkërisht shkëmbimet njerëzore e kulturore në një mënyrë më të thellë dhe më solide, duke sjellë më shumë siguri në integrimin dhe simbiozën e qytetërimeve të ndryshme," vuri në dukje kreu i qeverisë kineze.

foto/VCG

foto/VCG

Li Qiang theksoi më tej se, në një botë të pasigurt, siguria e Kinës është shtylla kryesore për ruajtjen e paqes dhe zhvillimit botëror. Synimet dhe perspektivat e zhvillimit të Kinës janë të përcaktuara. "Ne kemi besimin dhe aftësinë për ta bërë anijen gjigante të ekonomisë kineze të përballojë erërat e dallgët, për të pasur një përparim të qëndrueshëm e afatgjatë dhe për të dhënë kontribute më të mëdha në zhvillimin e ekonomisë botërore," shtoi kryeministri Li.

foto/VCG

foto/VCG

Kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, kryeministri i Malajzisë Datuk Seri Anwar, kryeministri i Bregut të Fildishtë Patrick Achi, Drejtorja Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristalina Georgieva dhe më shumë se 1500 përfaqësues nga qarqet politike, të biznesit dhe të instituteve të studimit të politikave nga mbi 50 vende e rajone ishin të pranishëm.

Nga pala kineze morën pjesë në ceremoninë e hapjes Wu Zhenglong, Qin Gang dhe personalitete të tjera. (Fang Xiaoyu/Artan)