25 vjeçarja Fiona Rushiti është një akrobate mjaft e talentuar, e cila ka nisur që të merret me akrobaci që në moshën 3 vjeçare. E veçantë në llojin e saj, ajo ka mbi 20 vjet që stërvitet sa i përket spektakleve në ajër, Prej 5 vjetësh Fiona po angazhohet me këtë sport ekstrem, duke performuar nga lartësitë. Është shqiptarja e parë që sfidoi lartësitë. Ky sport i jep një lloj adrenaline dhe gjithmonë kërkon që të ngjitet lart e më lart. Pas performancave në vende të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj, ajo vazhdon të sfidojë veten në lartësi, ku paraqitja e fundit në publik ishte në urën e Goricës, në Berat. Fiona e tregon këtë eksperiencë për radio Ejani.
Fiona Rushiti (Foto instagrami)
CMG: Fiona, ti ke dy dekada që merresh me akrobaci, ndërsa prej 5-6 vjetësh edhe me performancat në lartësi, si e vetmja në Shqipëri. Na trego për këtë eksperiencë kaq të gjatë dhe çfarë të bëri që të mos heqësh dorë nga ky profesion?
Fiona Rushiti: Unë gjithmonë kam dashur më të mirën për veten time dhe duke qenë se asnjëherë nuk ka funksionuar meritokracia, kam vendosur që të sfidoj lartësinë, pasi pashë disa video se çfarë bëhej jashtë vendit dhe vendosa të stërvitesha. I vetmi vend që mund të stërvitesha ishte në rrugë, sepse nuk kisha mundësi të tjera. Më pas bëra trajnime jashtë vendit , bëra disa bashkëpunime dhe arrita të jem e vetmja shqiptare që sfidoj lartësitë.
CMG: Paraqitja jote e fundit ka qenë në urën e Goricës në qytetin e Beratit vetëm disa ditë më parë. Sa kohë të duhet ty për të realizuar një paraqitje të tillë?
Fiona Rushiti: Unë bëj stërvitje çdo ditë, minimumi katër orë në ditë, sepse më pas më duhet të shkoj në punë. Sa i takon performancës në urën e Beratit, më doli si ide gjatë rrugës, sepse unë po mendoja që të bëja thjesht një prove, pasi perfomanca tjetër reale që do të vijojë është në një urë tjetër, që është shumë herë më e lartë se ura e Goricës. Doja të provoja se si do më ndikonte era, sa do duronin muskujt e krahut, sa i përket përgatitjes sime fizike, sepse unë gjithë peshën e kam me muskujt e krahut. Me këtë provë që bëra kuptova se me përgatitjen time fizike isha shumë mirë, vetëm se era ishte pak problem, sepse më shtonte pak peshën që të performoja me fjongot. Nuk ishte rastësore, sepse unë me këtë rast bëj edhe promovimin e vendeve të ndryshme në Shqipëri, isha në Gjirokastër, tani në Berat, më pas do të kem edhe një provë tjetër, përpara se të mbërrij tek finalja, ku do të jetë një urë shumë e lartë e do të thyej një tjetër rekord, që do të jetë rreth muajit maj apo qershor.
Fiona Rushiti (Foto nga instagrami)
CMG: Fiona, ti nga një performancë në tjetrën, je duke thyer rekorde të një pas njëshme, por sa ditë përpara të duhet përgatitja për momentin final. Kur do jetë performance në urën e lartë?
Fiona Rushiti: Unë nuk do bëj prova më përpara tek ajo urë që kam menduar, por aty do jetë performanca ime finale. Pasi provat paraprake unë do i bëj në ura me lartësinë 10 apo 12 metra, që unë i bëj me sy mbyllur. Sepse kur të dalë aty, duke ditur impaktin që kam tek publiku, nuk dua që të dal duke bërë një provë, unë dua të dal duke bërë performancën finale. Gjithmonë kështu më ka ndodhur, që kur kam dashur që të bëj performancat e mia finale, i kam bërë direkt në kontakt me publikun, pa bërë asnjë provë.
CMG: Ke zgjedhur disa nga vendet kryesore turistike në Shqipëri, por paraqitja e radhës, do të jetë në veri apo jug?
Fiona Rushiti: Dua që të mbetet surprizë, por mund të permend vetëm Vjosën, kaq mjafton.
CMG: Ke provuar të garosh jashtë vendit dhe si janë konkurset në këtë lloj sporti?
Fiona Rushiti: Kam patur bashkëpunime me artistë të huaj dhe më kanë ndikuar për mirë. Jashtë vendit sigurisht që vlerësohen më shumë sportet ekstreme, ndërsa këtu tek ne është diçka e re, prandaj unë doja ta sillja këtë gjë në vendin tim. Për pjesën e kompeticioneve nuk ka sfida në lartësi, por ka vetëm rekorde në librin Guinnes, që e synoj por varet nga mundësitë dhe kushtet që mua më jepen. Në rast se do duhet të konkurosh me botën, dihet se si është arti jashtë vendit, i cili kërkon shumë punë dhe sakrificë. Unë kam filluar trajnimet jashtë vendit, por shkon shumë nga ekonomike, sepse kam harxhuar vërtetë shumë për të arritur deri këtu.
Foto nga Albeu
CMG: Të duhet ndihma e një sponsori për t’i arritur këto rekorde?
Fiona Rushiti: Jo vetëm një, sepse nuk bëhet fjalë për lartësi që mund t’i dyfishojmë apo trefishojmë, bëhet fjalë për të shkuar mbi re.
CMG: Janë idetë e tua që po i projekton apo janë ëndrrat e tua që ke dëshirë t’i realizosh?
Fiona Rushiti: Nuk janë ëndrra sepse unë e kam thënë që do performoj nga ura dhe e kam bërë, kam thënë që do performoj nga balona e kam bërë. Kështu prisni edhe mbi re.
CMG: Si mund të ishte performanca mbi re?
Fiona Rushiti: Për shembull një bashkpunim midis meje dhe Alket Islamit, të cilin e kam mik shumë të mirë dhe sa herë që i jap ndonjë ide më thotë menjëherë “po”, më ka mbështetur çdo lloj bashkëpunimi që unë i kam treguar. Thjesht duhet shumë, shumë punë. Nuk jam natyrë që i le gjërat përgjysmë dhe nëse jo për rekorde, për qejfin tim.
CMG: Kush e mban rekordin në librin Guinnes për momentin?
Fiona Rushiti: Për sfidat në lartësi është një vajzë në Spanjë që ka bërë vjet një perfomancë nga balona, në lartësinë 1 mijë metra.
Fiona Rushiti (Foto nga instagrami)
CMG: A synon ti më tepër se aq?
Fiona Rushiti: Normal që po.
CMG: Në sa vende ke bërë performanca në lartësi?
Fiona Rushiti: Në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Në Itali s’kam mundur sepse duhej shumë shpenzim. Por më mjafton vendi im dhe do të vazhdoj këtu.
CMG: Cili është shteti që do të doje të performoje jashtë Shqipërisë, nëse do kishe mundësi?
Fiona Rushiti: Për pjesën e akrobacisë dhe të artit më pëlqen shumë Kina sepse është shumë lart, është shumë mirë për akrobacinë. Pse të mos e synoj edhe këtë?
CMG: Duke qenë se ti punon me fëmijët e vegjël, si e sheh të ardhmen e tyre?
Fiona Rushiti: Janë të shumtë fëmijët e talentuar, janë mbi 30 fëmijë që unë u jap mësim, por për momentin e shoh të vështirë. Shpresoj që më mirë do bëhet, ato janë shumë të talentuara dhe dua t’i shoh më mirë se veten, të bëhen më të mira se unë. Thjeshtë e shoh të vështirë për momentin, sepse unë jam e vetmja që po e mundësoj gjithçka për to.
Fiona Rushiti (Foto nga instagrami)
CMG: Pasione të tjerat të Fjonës, cilat janë?
Fiona Rushiti: Pasion tjetër është alpinizmi. E di që ky sport më ka dhënë një forcë ekstreme, në këtë mënyrë di të mbaj veten dhe t’i bëj shumë mirë numrat e ajrit. Kam mundësinë që edhe nëpërmjet alpinizmit, të shoh botën me kokëposhtë. Është kombimini më i mirë që mund të bëhej mes akrobacisë dhe alpinizmit. I kam marrë të gjitha teknikat se si mund të punoj me veten time.
CMG: Çfarë synon ti për të ardhmen dhe qëllimi që i ke vënë vetes? Si e sheh Fionën pas 10 vitesh?
Fiona Rushiti: Po, që do jem duke u varur, kjo gjë është e sigurtë (qesh). Nuk dua të flas për pas 10 vjetësh, por po them më mirë pas 2-3 vitesh, e shoh veten time duke ngjitur realisht ato majat, që të kap apo të çoj ëndrrat e mia dhe pasionin tim deri në fund, në ato nivele që unë dua të arrij dhe mbi të gjitha e bindur 100 përqind që unë këtë sport do ta avancoj në Shqipëri.
-Performanca më e re e muajit mars nga akrobatja Fiona Rushiti, vajza e sporteve ekstreme ishte në urën e Goricës, në qytetin e Beratit. Ura e Goricës është një nga më të vjetrat në vend dhe një nga urat e gurit më të mëdha në Shqipëri, që është njëkohësisht dhe monument kulture. E ngritur mbi lumin Osum, në qendër të Beratit është ndërtuar që në shekullin XVIII prej druri dhe në vitin 1780 u ribë me gurë. Kjo urë është rindërtuar pothuajse e plotë në vitet 1920-1930. Me një gjatësi 129.3 metra dhe gjerësi 5.3 metra, ajo përbëhet nga 7 harqe dhe lidh lagjen Goricë me pjesët e tjera të Beratit dhe rrugën e Këlcyrës. Ura e Goricës është e lartë deri në 10 metra mbi shtratin e Osumit. Në këtë urë Fiona zgjodhi që të bënte këtë performancë, si një provë që do i paraprijë disa sfidave të tjera që ajo i ka vënë synimin vetes, të cilat për nga lartësia do jenë shumë herë më të larta se ura e Goricës, madje duke premtuar se shumë shpejt do të prekë edhe retë.
Intervistoi: Sava Lena