Raporti: 2/3 e punëtorëve në Britani që vuajnë nga Covid trajtohen keq në punë
2023-03-30 13:11:32

Foto nga VCG

Dy të tretat e punëtorëve në Mbretërinë e Bashkuar që vuanin simptoma të gjata të Covid-19 pretenduan se u trajtuan në mënyrë të padrejtë në vendin e tyre të punës dhe një në shtatë kishte humbur punën, thuhet në një raport të publikuar nga Kongresi i Sindikatave (TUC) dhe shoqata bamirëse “Long Covid Support”, ku tregohen rezultatet e përgjigjeve të gjithsej 3097 pacientëve që ndanë përvojat e tyre të punës.

Sipas raportit, një në shtatë të anketuar ose 14 për qind deklaruan se kishin humbur punën për arsye të lidhura me Covid-in e gjatë, bën të ditur “Xinhua”.

Dy të tretat, ose 66 për qind, thanë se kishin përjetuar një ose më shumë lloje të trajtimit të padrejtë në punë, thuhet në raport. Për më tepër, gjysma e të anketuarve, ose 49 për qind thanë se kishin arsye të besonin se kishin kontraktuar Covid 19 në punë.

Trajtimi i padrejtë në punë, sipas raportit, varionte nga ngacmimi deri te mosbesimi për simptomat e tyre ose kërcënimi me masa disiplinore. “Punëtorët me Covid prej kohësh janë zhgënjyer keqas. Shumë prej tyre janë punëtorët kryesorë që na kaluan përmes pandemisë, por tani disa po detyrohen të lënë punën e tyre”,- tha sekretari i përgjithshëm i TUC, Paul Nowak.

Njerëzit që vuajnë nga Covid- i gjatë përjetojnë një gamë të gjerë simptomash, duke përfshirë vështirësi në frymëmarrje, lodhje kronike dhe mosfunksionim njohës, të cilat mund të zgjasin me muaj apo edhe vite.

Më shumë se gjysma e të anketuarve raportuan simptoma të lidhura me dhimbjen, duke përfshirë dhimbjen e muskujve, dhimbje koke, dhimbje kyçesh dhe dhimbje gjoksi, thuhet në raport.

Kohëzgjatja më e zakonshme që të anketuarit kishin përjetuar simptoma ishte mbi 24 muaj (29 për qind e të anketuarve), e ndjekur nga shtatë deri në 12 muaj (23 për qind), shtoi raporti. Gjashtëdhjetë për qind e të anketuarve deklaruan se kishin përjetuar simptoma për më shumë se një vit.

Të anketuarit gjithashtu shprehën zhgënjimin që punëdhënësit nuk e kuptonin se simptomat do të vazhdonin dhe do të luhateshin.

Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) në Mbretërinë e Bashkuar raportoi se të dhënat më të fundit nga 2 janari 2023 tregojnë se 2 milionë njerëz në vend po përjetonin simptomat e Covid-it të gjatë. (Elona)