Sociologët : Ulja e lindshmërisë efekt negativ në ekonomi
2023-03-30 09:23:19

Foshnje (Foto abc news)

Foshnje (Foto abc news)

Një nga këmbanat e alarmit në vend që pritet të ketë ndikim në shumë drejtime, qoftë në mungesën e fuqisë punëtore, tek kotributet apo tek plakja e popullsisë është ulja e lindshmërisë. Sipas INSTAT, viti 2022 ka shënuar për herë të parë nivelin më të ulët të lindshmërisë në Shqipëri. Madje lindjet janë më të ulta se sa skenari pesimist i projeksioneve të popullsisë.  Instituti i statistikave ka bërë të ditur se lindshmëria në vend për vitin 2022 është 23,570 foshnja, duke pësuar një rënie me 13.6% në krahasim me vitin 2021 që u regjistruan 27.284 lindje. Ka shumë faktorë që po ndikojnë në stepjen e të rinjve për të krijuar familje apo për të zgjeruar familjen dhe një ndër to  janë arsyet financiare, kostot e papërballueshme thotë socialogia Doralda Tanellari në një intervistë për revistën “Monitor”.

“Nëse shikojmë të dhënat statistikore, popullsia e vendit sa vjen dhe ulet dhe sigurisht që impakti nuk është tek numri i ulët të lindjeve tek popullata. Nëse e shoh nga ana sociale, e kuptoj që ka disa ndryshime që kanë çuar drejt uljes së lindshmërisë. Kjo lidhet me kulturën e re që po fillon të krijohet, mënyrën sesi krijohet një familje edhe në konceptim se si gratë dhe vajzat e shohin marrëdhënien dhe në Shqipëri ka ende vajza që martohen nën moshë. Janë të gjitha këto problematika që ndoshta dikur janë vlerësuar si pozitive sepse është rritur popullsia dhe kjo pastaj çon në rritjen e krahut të punës dhe elemente të tjerë”, tha Tanellari

Sociologia Doralda Tanellari (Foto Linkedin)

Sociologia Doralda Tanellari (Foto Linkedin)

Lidhur me mentalitetin shqiptar për martesën sociologia vëren se:

“Unë mendoj që duhet ndryshuar mentaliteti se si ndërtohet një marrëdhënie, apo martesa. Nëse ju bëni një vlerësim të rasteve të personave që bashkëjetojnë apo martohen, shohim që kanë një kulturë tjetër, bashkëjetojnë dhe më pas shkojnë drejt martesës. Është ulur numri i lindjeve. Sot është më e vështirë për të lindur një fëmijë sesa dje për t’i krijuar atij kushtet, arsimin, veshjen, apo të të mirat bazë. Pra, sot njerëzit po mendohen akoma edhe më tepër dhe kjo lidhet me sigurinë financiare. “- thotë socialogia Doralda Tanellari.

Sociologia e sheh me shqetësim në aspektin ekonomik dhe të zhvillimit të sektorëve të ndryshëm në plakjen e popullisë.  Ulja  e lindshmërisë dhe mungesa e fuqisë punëtore është një fenomen global.

Grua shtatzanë (Foto Gazeta Express)

Grua shtatzanë (Foto Gazeta Express)

“Në fakt analiza kryesore që bëhet lidhet me ekonominë sepse është shumë i lidhur aspekti social me atë ekonomik. Duke qenë se nuk kemi më forcë punëtore po priren edhe vendet e tjera të bëjnë digjitalizimin e proceseve. Pra nëse dikur duhej një punëtor për montimin e pjesëve të një makine, sot teknologjia ka avancuar dhe automjetin mund ta bëjë një robot apo një prodhim digjital. Sot po krijohen marrëdhëniet e drejtpërdrejta dhe të ndërsjella me një aparaturë që nuk e shikon fizikisht dhe shpeshherë të jep përgjigje apo të jep zgjidhje për pyetjet që ti i bën. Vendet e tjera janë munduar dhe kanë gjetur forma për t’u përshtatur me ndryshimet, por mendoj që ky do mbetet vetëm tek pjesa që është shumë e rëndësishme për shoqërinë, te rritja e të rinjve që do kontribuojnë fizikisht dhe mendërisht. Një popullsi e plakur do të thotë që nuk do të kenë mundësi që të bëjnë punën që kërkon angazhime shumë të mëdha fizike dhe mendore, apo fermerët në fshatra, kush do ta bëjë prodhimin apo të merret me tregtinë. Pra është një kompleksitet gjerash që lidhet me procesin e lindshmërisë dhe dëshirës për të lindur një apo më tepër fëmijë, por me komponentë ekonomike sepse ky është një fenomen global që nuk po i ndodh vetëm Shqipërisë.”- shprehet Tanellari.

Punëtorë në bujqesi (Foto Vizion plus)

Punëtorë në bujqesi (Foto Vizion plus)

Qeveria duhet të ndërmarrë politika që tek nxitja e të rinjve për punësim  dhe të ketë forma të motivimit financiar për t’i joshur që të qëndrojnë në Shqipëri.

“Është shumë e nevojshme të bëhen politika për nxitjen e të rinjve, apo nxitjen e punësimit tek të rinjtë. Promovimi i rasteve pozitive sigurisht duhen bërë dhe shkëmbime kulturore me vende të tjera të BE-së, por edhe më tej. Një njeri, i cili avancon për ta sjellë atë në shtetin e vet por mendoj se duhet të rritet ky presioni pozitiv me kushtet më të mira për të rinjtë që kanë një shkollim të caktuar dhe të promovohen. Promovimi është faza e parë që duhet të tërheqë të rinjtë dhe pastaj motivimi financiar. Ne nuk bëjmë dot sikur nuk e kuptojmë se të rinjtë largohen nga Shqipëria për mungesën e financave dhe të ardhurave, mungesën e përputhshmërisë së arsimit me vendet e punës. Ka një lloj kompleksiteti dhe disa lloj mënyrash që ta zgjidhin këtë situatë. Të gjitha janë të lidhura me njëra -tjetrën dhe besoj politikat përkrahëse duhet të jenë me të rinjtë dhe për të rinjtë.”- shprehet sociologia.

Për të nxitur lindshmërinë qeveria  po jep nga janari i vitit 2019  Bonusin e Bebes, për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik. Bonusi përfitohet menjëherë nëse prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në zyrën e posaçme të hapur në çdo maternitet në vend dhe përfitohet në dy pjesë, nëse prindërit zgjedhin ta regjistrojnë fëmijën e tyre më vonë. Për fëmijët që lindin në spitale private, apo jashtë vendit, çeku i bebes lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë pas regjistrimit të të porsalindurit në zyrat e gjendjes civile. Prindërve u jepet një çek 40,000 lek për fëmijën e parë 80,000 lek për fëmijën e dytë; 120,000 lek për fëmijën e tretë e më tej. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se gjatë vitit që kaloi bonusi i bebes  u dha për 42.060 fëmijë.