“Epson” do të rrisë investimet në Kinë në kuadër të transformimit digjital
2023-03-30 09:44:30


Foto nga VCG

Prodhuesi japonez i elektronikës “Seiko Epson” do të intensifikojë përpjekjet për të zgjeruar investimet në Kinë, për të kapur mundësitë e reja të sjella nga vala e transformimit digjital. Drejtuesit e kompanisë thonë se tregu kinez ka treguar vitalitet të fortë dhe aftësi inovative. Sipas tyre, shfaqja e modeleve të reja të biznesit, formateve të reja dhe teknologjive të reja e ka stimuluar kompaninë të optimizojë produktet dhe shërbimet.

Prodhuesi japonez i elektronikës “Seiko Epson” do të intensifikojë përpjekjet për të zgjeruar investimet në Kinë dhe për të lançuar produkte më miqësore ndaj mjedisit, inovative dhe të personalizuara që plotësojnë kërkesat e konsumatorëve kinezë, me shpresën për të kapur mundësitë e reja të sjella nga vala e transformimit digjital dhe inteligjent, deklaroi një drejtues i lartë i kompanisë.

“Si një nga kompanitë e para të huaja që hyri në tregun kinez, “Epson” e ka konsideruar gjithmonë tregun kinez si një nga tregjet më të rëndësishme në mbarë globin”, tha Akihiro Fukaishi, drejtues dhe president i “Epson China”.

Sipas tij, tregu kinez ka treguar vitalitet të fortë dhe aftësi inovative dhe ka një kërkesë të vazhdueshme nga konsumatorët dhe segmentet tregtare. Ai theksoi se shfaqja e modeleve të reja të biznesit, formateve të reja dhe teknologjive të reja e ka stimuluar kompaninë të optimizojë produktet dhe shërbimet.Për shembull, kompania lançoi projektorët e saj shtëpiak vitin e kaluar, të cilët bazohen në nevojat unike të përdoruesve kinezë që janë të gatshëm të shikojnë filma përmes pajisjeve celulare.

“Epson” ka bashkëpunuar me prodhuesit kinezë të pajisjeve në fushën e kokave të printimit, në përpjekje për të ndihmuar transformimin digjital të industrisë së printimit digjital të vendit me një ritëm më të shpejtë, tha Fukaishi.

Të dhënat nga firma globale e kërkimit të tregut “International Data Corporation” treguan se shitjet e printerëve me bojë “Epson” në Kinë arritën në më shumë se 10 milionë njësi, duke kryesuar listën në tregun kinez për 11 vjet rresht.

Biznesi i saj i projektorëve u rendit i pari në Kinë në vitin fiskal të 2021-shit, duke zënë 34.2 për qind të aksioneve në tregun e projektorëve të vendit, bëri të ditur konsulenca e tregut “Futuresource Consulting Ltd”. Qeveria kineze i ka kushtuar një rëndësi të madhe zhvillimit të gjelbër dhe të qëndrueshëm në vitet e fundit, gjë që përkon me fokusin e “Epson” mbi filozofinë e saj “efikase, kompakte dhe precize”.

Siç thuhet në “Vizionin Mjedisor 2050” të “Epson”, kompania kërkon të luftojë karbonin dhe të eliminojë përdorimin e burimeve të shtershme nëntokësore si nafta dhe metalet deri në vitin 2050. Fukaishi tha se ai ka besim për perspektivat e rritjes ekonomike të Kinës dhe se kompania do të vazhdojë të ofrojë produkte dhe shërbime më të gjelbra dhe inovative për përdoruesit kinezë.

Sipas tij, me rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë së Kinës, “Epson” do të investojë më shumë në produkte me kërkesë të fortë, veçanërisht produkte të personalizuara për tregun kinez, siç janë projektorët shtëpiake. Duke vënë në dukje se Kina kryeson globalish për zhvillimin digjital, ai theksoi se transformimi i zgjuar dhe digjital janë konsideruar si një mundësi biznesi që “Epson” nuk duhet ta neglizhojë në Kinë.

“Epson” po përshpejton përpjekjet për lokalizimin dhe digjitalizimin në ekonominë e dytë më të madhe në botë, duke hapur një shërbim printimi në “cloud”, i cili do të kënaqë më tej nevojat e përdoruesve kinezë që janë të prirë të komunikojnë përmes “WeChat”.

Kompania gjithashtu do të zgjerojë aplikimin e zgjidhjeve robotike në sektorët fotovoltaikë, bateritë e litiumit dhe automjetet me energji të re. “Ne shpresojmë të bashkëpunojmë me më shumë partnerë të shquar kinezë dhe jashtë shtetit në fusha të ndryshme për të nxjerrë më shumë produkte dhe zgjidhje të reja”,- shtoi Fukaishi.

Optimizimi i masave ndaj Covid-19 ka injektuar një shtysë të fortë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e ardhshme të biznesit të “Epson” në Kinë. Fukaishi tha se ka besim në perspektivat e kompanisë, të nxitura nga rikuperimi i fuqishëm i kërkesës së konsumit të brendshëm. Të dhënat nga Ministria kineze e Tregtisë treguan se investimet e huaja direkte në territorin kinez, për sa i përket përdorimit aktual, u rritën me 6 për qind në bazë vjetore në 268.44 miliardë juanë (39.09 miliardë dollarë) në dy muajt e parë të vitit.

Konkretisht, investimet e huaja direkte në prodhimin e teknologjisë së lartë u rritën me 68.9 për qind nga e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa në sektorin e shërbimeve të teknologjisë së lartë u rritën me 23.3 për qind në bazë vjetore.

Zhang Jianping, drejtor i përgjithshëm i Qendrës së Kinës për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal me qendër në Pekin, tha se zbatimi i masave të reja, si Ligji i Investimeve të Huaja dhe pilotimi i zonave të tregtisë së lirë, ka krijuar kushte të favorshme për bizneset e huaja për të investuar në Kinë.