foto nga VCG
Të mërkurën u hap "Samiti i 2-të për Demokracinë", i thirrur nga ShBA-ja. Një vit më parë, amerikanët zhvilluan funeralin e "demokracisë amerikane" gjatë "Samitit të 1-rë për Demokracinë". Sot, qeveria amerikane nisi raundin e ri të shfaqjes politike, pa përfillur kundërshtimin brenda e jashtë vendit, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Në një artikull të publikuar ditët e fundit në revistën në internet "Shtetshmëria e përgjegjshme" të Institutit "Quincy", vihet në dukje se ShBA-ja duhet të shmangë ndarjen me fjalë të botës në dy blloqe në kundërvënie me njëra-tjetrën. Ndërsa një studiues pakistanez kritikoi se ky "Samit për Demokracinë" nuk është për solidaritetin e botës, por për përçarjen e saj, dhe se demokracia shfrytëzohet nga ShBA-ja si mjet në shërbim të vetvetes.
Pavarësisht nga orvatjet e zbukurimit nga qeveria amerikane, bota nuk mund të gënjehet dhe është e qartë që thelbi i këtij të ashtuquajturi samit është kategorizimi i bllokut demokratik dhe i atij jodemokratik sipas standardeve amerikane. Synimi i samitit po ashtu është për mbrojtjen e hegjemonisë së ShBA-ës nën pretekstin e demokracisë dhe për shtypjen e të ashtuquajturave "vende me ideologji të ndryshme", komentoi CMG-ja.
Edhe temat e këtij samiti janë hipokrite dhe absurde. P. sh., pala amerikane pretendon se do të diskutojë për "zhvillimin e teknologjive për nxitjen e demokracisë", por dihet nga të gjithë se në të vërtetë është ShBA-ja "vendi i përgjimit" dhe "vendi i piratërisë kompjuterike". Një shembull tjetër është heshtja kolektive nga mediat amerikane për ngjarjen e shpërthimit të gazsjellësit "Nord Stream".
Terreni i shpërthimit të gazsjellësit "Nord Stream"/ foto nga VCG
Populli ka të drejtën e fjalës për demokracinë e një vendi. Sipas sondazhit të bërë në tetorin e vjetshëm nga agjencia e lajmeve AP bashkërisht me Qendrën Kërkimore të Opinionit Publik pranë Universitetit të Çikagos, vetëm 9 për qind e të rriturve amerikanë mendojnë se demokracia amerikane funksionon normalisht. Ndërsa James Goldgeier, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare të Universitetit Amerikan, tha haptazi se ShBA-ja ka humbur prestigjin dhe qeveria amerikane duhet të zhvillojë një samit të demokracisë brenda vendit, duke u fokusuar te padrejtësitë dhe pabarazia në vend, përfshirë të drejtën e votimit, lajmet e rreme etj.
Megjithëse nuk ka marrë një "notë të mirë" në demokraci, shtysa e ShBA-së për eksportimin e demokracisë së saj nuk është zbehur. Ajo ka përhapur “monroizmin” në Amerikën Latine, ka nxitur “revolucionet me ngjyra” në Azi e Evropë, fabrikoi “Pranverën Arabe” në Azinë Perëndimore dhe Afrikën Veriore... Shumë vjet me radhë, demokracia amerikane i ka sjellë botës trazira e katastrofa të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe ka gjetur kundërshtim. Në një raport të publikuar bashkërisht nga kompania kërkimore gjermane “Dalia” dhe Aleanca Globale për Demokracinë, tregohet se 43 për qind të të pyeturve në mbarë botën mendojnë që demokracia e vendit të tyre kërcënohet nga ShBA-ja.
Bota e sotme nuk është paqësore, rreziqet gjeopolitike janë shtuar, rimëkëmbja ekonomike has vështirësi, hendeku i zhvillimit është duke u zgjeruar dhe mjedisi ekologjik po përkeqësohet. Për zgjidhjen e krizave globale, kemi nevojë për një konferencë me solidaritet e bashkëpunim, jo për “Samitin për Demokracinë”që nxit kundërvënie, e përfundon CMG-ja komentin e saj.