Inflacioni i çmimeve të ushqimeve në Britani, në nivel rekord
2023-03-30 13:25:36

Foto nga VCG

Çmimet e ushqimeve në dyqanet britanike shënuan një tjetër rritje rekord në muajin mars, për shkak të rritjes historike të çmimeve të produkteve ushqimore dhe joushqimore, sipas të dhënave të Konsorciumit Britanik të Shitjeve me Pakicë (BRC), citon “ATSH”.

Sipas “BRC”, indeksi i çmimeve u rrit me 8.9% në baza vjetore, në mars, krahasuar me 8.4% në shkurt. Rritja vjetore është nxitur kryesisht nga një rritje tjetër rekord prej 15% e çmimeve të ushqimeve.

Helen Dickinson, shefja ekzekutive e “BRC”-së, deklaroi se rritja e kostos së sheqerit së bashku me kostot e larta të prodhimit ngriti çmimet e çokollatës dhe ëmbëlsirave në muajin mars. Çmimet e frutave dhe perimeve u rritën gjithashtu pasi të korrat në Europë dhe Afrikën e Veriut u përkeqësuan, ndërsa importet u shtrenjtuan për shkak të dobësimit të paundit. Gjithashtu, çmimet joushqimore shënuan një rritje rekord prej 5.9%. Pavarësisht nivelit të ri rekord, “BRC” paralajmëroi se inflacioni i çmimeve nuk ka arritur ende kulmin. (Elona)