Foto nga VCG
Kina do të inkurajojë ndërmarrjet vendase të integrohen më thellë në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit. Sipas zyrtarëve kinezë, optimizimi dhe stabilizimi i zinxhirit industrial dhe atij të furnizimit nuk mund të ndahet nga qarkullimi i qetë dhe efikas i burimeve industriale në mbarë botën. Po ashtu, vendi do të bëjë më shumë përpjekje për të forcuar koordinimin e burimeve dhe shpërndarjen e industrive kryesore, në mënyrë që të thellohet bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë fushë.
Foto nga VCG
Fokusi i Kinës tek integrimi në zinxhirët globalë
Kina do të inkurajojë ndërmarrjet vendase të integrohen më thellë në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit, si dhe do të forcojë koordinimin dhe shpërndarjen e burimeve në industritë kryesore si gjysmëpërçuesit, bëri të ditur rregullatori kryesor i industrisë së vendit.
Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, Jin Zhuanglong, deklaroi në Forumin e Zhvillimit të Kinës se optimizimi dhe stabilizimi i zinxhirit industrial dhe zinxhirit të furnizimit nuk mund të ndahet nga qarkullimi i qetë dhe efikas i burimeve industriale në mbarë botën.
Kina do të optimizojë paraqitjen e zinxhirit industrial vendas dhe do të fokusohet në fushat kryesore, do të promovojë konvergjencën e burimeve elementare me cilësi të lartë, të tilla si teknologjia, financat dhe talenti, për të kultivuar një numër grupesh të avancuara të prodhimit, tha Jin.
Sipas tij, do të bëhen më shumë përpjekje për të forcuar koordinimin e burimeve dhe shpërndarjen e industrive kryesore si qarqet e integruara, energjia e re, biomjekësia dhe pajisjet mjekësore në mbarë botën, në mënyrë që së bashku të krijohet një ekosistem industrial bashkëpunues dhe efikas. Lëvizjet pasqyrojnë përpjekjet e Kinës për të siguruar që zinxhirët industrialë dhe të furnizimit të funksionojnë si mallra publike dhe të thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë.
Denis Depoux, drejtor menaxhues global i konsulencës “Roland Berger”, deklaroi për “China Daily” se Kina mbetet një treg i rëndësishëm për shumicën e kompanive të huaja dhe gradualisht është bërë një burim i rëndësishëm inovacioni për të forcuar kompetencën globale të disa kompanive të huaja.
Me masat e optimizuara të kontrollit të Covid-19, dimri 2022-2023, në një farë mase, ka parë një përsëritje të situatës së vitit 2021 kur zinxhiri i furnizimit të Kinës mbështeti rimëkëmbjen ekonomike në Europë dhe në SHBA për shkak të fleksibilitetit dhe disponueshmërisë së tij, tha Depoux.
Zinxhirët industrialë dhe të furnizimit të Kinës, tha ai, janë përmirësuar ndjeshëm, pasi kompanitë vendase dhe të huaja investuan shumë në modernizimin e sistemeve të tyre të prodhimit vendas.
“Kina ka demonstruar aftësinë e saj për inovacion dhe po bën hapa të mëdhenj në disa fusha, duke fituar lidershipin global në fusha si zinxhiri i automjeteve elektrike, nga bateritë te infrastruktura e karikimit, panelet fotovoltaike, turbinat me erë, pajisjet bërthamore dhe telekomunikuese”,- theksoi Depoux.
Modernizimi industrial i Kinës, potenciali i madh i konsumit dhe aftësia në rritje e inovacionit janë tre baza të forta që krijojnë një histori të re të Kinës për botën, tha ai.
Foto nga VCG
Li Dongsheng, themelues dhe drejtues i “TCL”, një kompani kineze e prodhimit dhe teknologjisë, e cila mori pjesë në forum, tha se vitet e fundit, ekonomia kineze ka treguar elasticitet dhe vitalitet të madh përballë sfidave nga pandemia.
Ndërsa zinxhiri industrial dhe i furnizimit i Kinës përshtatet me mjedisin e ri, ekonomia e saj dhe kërkesa e tregut mund të jenë të forta dhe të qëndrueshme.
“TCL” pret të ketë më shumë bashkëpunim me ndërmarrjet e huaja në teknologji dhe tregti, në mënyrë që së bashku të kontribuojnë në zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë së Kinës dhe të promovojnë zgjerimin e kërkesës së brendshme në tregun kinez”,- tha Li. Ndërsa Kombet e Bashkuara parashikojnë që India të kalojë Kinën si vendi më i populluar këtë vit, disa ekspertë shqetësohen se avantazhet e Kinës në prodhim dhe pozicioni i saj në zinxhirët e furnizimit global mund të zvogëlohet.
Por, Jeffrey Sachs, ekonomist i njohur dhe drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbisë, tha se forca e Kinës tani është se ajo është në avantazhin e shumë prej inovacioneve më të rëndësishme teknologjike për të ardhmen, duke përfshirë: zgjidhjet e energjisë së karbonit, automjetet elektrike, bateritë, zinxhirët e furnizimit, inteligjenca artificiale, trenat me shpejtësi të lartë dhe shumë sektorë të tjerë. “E gjithë kjo do të jetë në avantazh për rritjen e Kinës në të ardhmen”,- tha Sachs.