Qendra pushimi buzë malit Mogan /foto nga "Culture & Turism China"
Mali Mogan në provincën Zhejiang të Kinës Lindore konsiderohet si një nga katër vendet e pushimeve verore më të parapëlqyera në Kinë. Në një listë të vlerësuar nga "New York Times" për destinacionet më tërheqëse në botë, mali Mogan radhitet në vendin e 18-të.
Mali Mogan ka qenë një vend pushimi veror që nga fundi i shekullit të 19-të, kur shumë të huaj që banonin në qytete të mëdha përreth, si Shangai dhe Hangzhou, u tërhoqën nga panorama e bukur malore dhe ndërtuan shumë vila e qendra pushimi atje. Sot mbi 200 vila me stile të ndryshme janë bërë një muze i arkitekturës botërore. Pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, qeveria ndërtoi atje edhe shumë shtëpi kurimi. Sot në malin Mogan ka burime të pasura për pritjen e turistëve.
Nga Shangai për në malin Mogan duhen 3 orë me makinë. Krahas qendrave historike të pushimeve verore, në zonën malore buzë këtij mali gjenden edhe bujtina dhe qendra pushimi të ndryshme private. Që nga viti 2007, kur u krijua e para bujtinë, sot aty numërohen rreth 900 të tilla cilësore në mbi dhjetë fshatrat buzë malit. Edhe fshatarët janë bërë të begatshëm dhe gjithnjë e më shumë të rinj, që dikur iknin jashtë për punësim, po kthehen në vendlindje për të hapur sipërmarrjet e tyre.
Panorama në malin Mogan/ foto nga VCG
Fshati Lanshukeng është një prej fshatrave buzë malit Mogan. "Tani në fshatin tonë ka hane e bujtina cilësore të stileve të ndryshme dhe turistët janë nga kontinente të ndryshme të botës." - thotë pronari i një bujtine, Yang Jia, ndërsa është i zënë me përgatitjen e drekës për klientët. "Shiko andej, në atë qendër pushimi që quhet 'Naked Stables' organizohen mbledhje për ndërmarrjet, ndër 500 më të fuqishmet në botë."
Duke folur për ndryshimet në fshatin e tij, Yang Jia është i emocionuar: "Fshati Lanshukeng më parë ka qenë i varfër. Por falë biznesit të bujtinave, të zhvilluar gjatë dekadës së fundit, ai ka ndryshuar shumë".
Në vitin 2007, Grant Horsfield i ardhur nga Afrika e Jugut, vizitoi malin Mogan si turist. Kur mori vesh se shumë shtëpi balte buzë malit ishin të boshatisura, ai dhe disa miq morën me qira tetë dhoma dhe i kthyen ato në hotel, bar e restorant. Kështu lindi e para bujtinë buzë malit Mogan, "Naked Retreats". Më vonë Grant Horsfield krijoi me radhë edhe bujtina të tjera "Naked Stables" dhe "Naked Castle", të cilat tashmë janë bërë një markë shumë e njohur për pushuesit.
"Naked Castle" në malin Mogan/ foto nga VCG
Klubi rural "Përralla në Ëndërr" është një bujtinë në fshatin Gaofeng, fqinj i fshatit Lanshukeng. Pronarja e kësaj bujtine, 30-vjeçarja Yao Sunfang kishte punuar në qytetin Hangzhou, pas diplomimit në Akademinë kineze të Artit. Kur u kthye në vendlindje për të vizituar prindërit në vitin 2019, ajo u prek nga pasioni i sipërmarrjes të vendësve. Ajo vendosi të hiqte dorë nga puna në qytet dhe të kthehej në vendlindjen e saj, fshatin Gaofeng.
Duke shfrytëzuar epërsinë e saj në dizenjim, Yao e transformoi shtëpinë e vjetër të familjes në një bujtinë tematike. Krahas funksionit tradicional të hotelit, Yao shtoi edhe atraksione të reja, si shëtitjen me kuaj, organizime festash, ofrimin e çajit të pasdites, etj., që janë shumë të mirëpritura nga klientët. "Në vitin 2022, hodha një hap të madh në realizimin e ëndrrës sime rurale, me hapjen normale të klubit rural 'Përralla në Ëndërr'. Gjatë këtij viti do të vazhdoj me entuziazëm për një të ardhme më të bukur." - premton Yao Sunfang.
Gjithnjë e më shumë të rinj të lindur buzë malit Mogan dhe që kishin punuar më parë në qytete të mëdha, janë kthyer në vendlindje, sikurse Yao. Cai Sucheng, themelues i përbashkët i bujtinës "Sanqiu Meisu", është ndër më punëtorët e bujtinës. "Në fillim fitoja 2 a 3 mijë juanë në muaj, ndërsa sot kam pagën vjetore prej afro 200 mijë juanë. Kënaqem për zgjedhjen time të dhjetë viteve më parë".
Gjatë 16 viteve të fundit fshatrat buzë malit Mogan kanë ndjekur një rrugë zhvillimi të mbështetur te "mali i gjelbër", duke e shndërruar atë në "malin e artë". Bujtinat e dikurshme të ndara private tani janë bërë qendra pushimi në përmasa të mëdha, si një industri e lulëzuar dhe një markë e njohur.
Bujtina buzë malit Mogan /foto nga VCG