Kinë, lulëzon tregu i automjeteve me qeliza karburanti
2023-03-30 10:44:12

Foto nga VCG

Kina ka pasur zhvillim të shpejtë në tregun e automjeteve me qeliza karburanti (FCV) vitet e fundit, me normën e rritjes vjetore të përbërë të shitjeve që arriti në 32.3 për qind në vitet 2016-2022, shkruan “Xinhua”.

Gjatë kësaj periudhe, rreth 10.300 automjete të tilla u shitën në Kinë, deklaroi në një konferencë shtypi Luo Junjie, zv.drejtor ekzekutiv i Federatës së Industrisë së Makinerisë së Kinës.

Si një lloj automjeti elektrik, FCV-të përdorin gaz hidrogjeni për të gjeneruar energjinë elektrike të nevojshme për të drejtuar një motor.

Kina ka promovuar në mënyrë aktive zhvillimin e industrisë së energjisë së hidrogjenit dhe ka prezantuar një sërë politikash për të kanalizuar më shumë investime në këtë sektor, tha Luo.

Duke vënë në dukje se industria është ende në fazat e hershme të zhvillimit, Luo nxiti përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin global në shkëmbimet e teknologjisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të pajisjeve për të ulur koston e zinxhirit industrial dhe për të mbështetur aplikimin në shkallë të gjerë të energjisë së hidrogjenit.

Kina nxori vjet një plan për zhvillimin e energjisë së hidrogjenit për periudhën 2021-2035, ndërsa vendi po garon drejt objektivave të tij të kulmit të karbonit dhe neutralitetit të tij.

Deri në vitin 2025, Kina synon të vendosë një sistem relativisht të plotë të zhvillimit të industrisë së energjisë së hidrogjenit, me pronësinë e FCV-ve në vend që të arrijë rreth 50.000 njësi, sipas planit. (Elona)