Zona eksperimentale e ekonomisë digjitale dhe e inteligjencës artificiale Bazhou në Guangzhou/ foto nga VCG
Viti i Investimeve në Kinë nisi të martën në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore. Në këtë veprimtari të organizuar nga Ministria e Tregtisë e Kinës, morën pjesë afro 150 menaxherë të nivelit të lartë të mbi 40 kompanive shumëkombëshe. Pjesëmarrësit u shprehën se, me kthimin e ekonomisë kineze në gjendjen e rritjes së qëndrueshme, ata kanë besim të plotë te ekonomia kineze dhe do të vazhdojnë të shtojnë investimet në Kinë.
Gjatë dekadave të kaluara, kompania gjermane e industrisë kimike BASF ka investuar gjithsej 13 miliardë euro dhe ka krijuar 30 baza prodhimi në Kinë. Dr. Markus Kamieth, anëtari i bordit ekzekutiv global të BASF-it, i tha gazetares së Grupit Mediatik të Kinës gjatë veprimtarisë së Vitit të Investimeve në Kinë se projekti me investimet më të mëdha në historinë e kompanisë nisi të zbatohet vjet në qytetin Zhanjiang të provincës Guangdong. Ai u shpreh që, në të ardhmen, BASF-i do të vazhdojë të shtojë investimet dhe ka besim për një perspektivë më të mirë të zhvillimit të Kinës.
Baza e BASF-it në Shangai/ foto nga VCG
“Baza e integrimit e BASF-it në Zhanjiang do të ketë një investim të përgjithshëm 10 miliardë euro deri në vitin 2030, që e bën atë projektin me investimet më të mëdha në historinë e kompanisë, dhe gjithashtu një projekt shembullor në industrinë kimike globale. Ajo do të bëhet një nga bazat e integruara të industrisë kimike me nivelin më të lartë të zhvillimit të vazhdueshëm dhe të digjitalizimit. Nëpërmjet teknologjive novatore dhe përdorimit 100 % të energjisë së gjelbër, do të përgjysmohet shkarkimi i dyoksidit të karbonit nga baza në Zhanjiang, gjë që do të japë kontribut për realizimin e asnjanësimit të karbonit më 2060 në Kinë. Jemi krenarë për pjesëmarrjen e BASF-it në këtë proces,” tha dr. Kamieth.
Sivjet është 45-vjetori i Reformës e Hapjes së Kinës. Gjatë këtyre vjetëve, investimet e huaja në Kinë u nisën nga zero dhe janë zgjeruar gjithnjë e më shumë, duke u bërë sot një pjesë e rëndësishme e ekonomisë kineze. Deri në fund të vitit të kaluar, u krijuan gjithsej 1 milion e 126 mijë kompani me investime të huaja, me një vlerë të përgjithshme investimesh prej 19.7 trilionë juanësh. Në të ardhmen, me zhvillimin e vazhdueshëm dhe të shëndetshëm të ekonomisë kineze dhe duke shfrytëzuar epërsinë e tregut super të madh, Kina do të vijojë të jetë motori i fuqishëm i ekonomisë e i tregtisë botërore dhe do t'u ofrojë një perspektivë të gjerë zhvillimi ndërmarrjeve me investime të huaja.
Tetsurou Honma, kryetar i Dhomës Japoneze të Tregtisë në Kinë dhe zv.presidenti global i kompanisë "Panasonic", tha se kompania e saj ka marrë pjesë në tërë procesin 45-vjeçar të Reformës e Hapjes të Kinës dhe sot shërbimet në Kinë zënë 28 për qind të biznesit të përgjithshëm të tërë grupit.
“Besimi i 'Panasonic'-ut te tregu kinez nuk ka ndryshuar as pas rënies së pandemisë. Për kompaninë tonë, Kina është jo vetëm një vend i madh prodhues dhe konsumi, por edhe një vend i fuqishëm i novacionit dhe i inxhinierisë,” theksoi z. Honma.
Pavijoni i "Panasonic"-ut në Ekspozitën e 5-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës/ foto nga VCG
Tani zinxhiri global industrial dhe ai i furnizimit janë në një rregullim të thellë, por investimi në Kinë është një alternativë e domosdoshme për kompanitë shumëkombëshe.
Gjatë ceremonisë së nisjes së Vitit të Investimeve në Kinë, Wang Shouwen, përfaqësuesi kinez në bisedimet ndërkombëtare të tregtisë dhe njëherësh zv.ministër i Tregtisë, tha se Kina e ka liberalizuar në përgjithësi hyrjen e investimeve të huaja në sektorin e manifakturës dhe po hap degën e shërbimeve në mënyrë sistematike. Njëkohësisht, edhe sektorët e rinj, si mbrojtja e mjedisit, inteligjenca artificiale, teknologjia ekologjike etj., do t'u ofrojnë investitorëve të huaj mundësi të reja.
Rebeca Grynspan, sekretarja e përgjithshme e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin, theksoi në fjalimin e saj të mbajtur në këtë ceremoni se Viti i Investimeve në Kinë është një ftesë ndaj ndërmarrjeve të mbarë globit për të marrë pjesë në zhvillimin e Kinës. (Wang Lei/ Artan)