Rama: Të ardhurat nga bastet online do të shkojnë për sportin, kulturën e teknologjinë
2023-03-29 15:00:51

Edi Rama në Forumin e Sipërmarrjes italiane (Foto RTSH)

Edi Rama në Forumin e Sipërmarrjes italiane (Foto RTSH)

Të ardhurat që do të mblidhen nga formalizimi i basteve online do të shkojnë për sportin, kulturën dhe teknologjinë. Deklarata u bë nga kryeministri Edi Rama në ceremoninë e nderimit të 7 sportistëve të talentuar shqiptarë, kampionë bote dhe Europe, ku informoi mbi ligjin për aktivitetet e basteve online, i cili sipas tij pritet të miratohet që shpejti, raportoi “ATSH”.

“Ne së shpejti kalojmë për miratim në Kuvend, pasi të hyjë këto ditë në procesin e konsultimit publik dhe pastaj në miratimin e qeverisë, ligjin për aktivitetet e basteve online, që do të jetë një hap i rëndësishëm për të formalizuar një aspekt të këtij aktiviteti bastesh”, - u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se eksperienca ka treguar se këtë aktivitet nuk ka mundur ta ndalë asnjë vend, përfshi edhe vendet me kontroll të madh.

“Është një lloj aktiviteti që shfrytëzon hapësirat e internetit, ndaj në vend që të mbetet një aktivitet informal ku qarkullon shumë para e zezë, të kthehet në aktivitet të formalizuar ku të kenë akses kompanitë ndërkombëtare dhe lojtarët të kenë garanci”,- shtoi ai.

Rama tha se sipas ligjit të gjitha të ardhurat do t’i shkojnë sportit, kulturës dhe teknologjisë, si mbështetje e mëtejshme e edukimit digjital të të rinjve. (Elona)