Tan Brama: Kërcimi është dashuri
2023-03-29 15:39:50

Tan Brama gjate nje eventi artistik (Instagram)

Tan Brama gjate nje eventi artistik (Instagram)

Tan Brama është një koreograf i  njohur, i cili ka pasur shumë bashkëpunime në videoklipet e këngëtarëve me famë botërore. Koreografi shqiptar bashkë me grupin e tij është mjaft i njohur për publikun, pasi mban mbi supe shumë vite karrierë në fushën e kërcimit. Tan Brama tregon për Radio Ejani se si ishin fillimet e tij në këtë fushë që në moshë të re dhe nga kush u frymëzua. Gjithashtu ai na tregon për aktivitetet e tij brenda dhe jashtë vendit, si dhe projektet në të ardhmen.,

CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me kërcimin?

Tan Brama: Kërcimi nisi duke parë grupet e huaja në TVSH  si dhe shikoja hit parade dhe më pëlqeu shumë dhe krijova  grupin “The boys of snap” në vitin 1994. Kështu që fillova duke kërcyer me grupin nëpër diskotekat e Tiranës. Ka qenë një periudhë shumë e bukur që nuk e harroj kurrë.

Tan Brama. (Instagram)

Tan Brama. (Instagram)

CMG: Ju prej vitesh merreni me kërcimin “break dance”. Sa e vështirë ka qenë që të futeshe në tregun muzikor në Shqipëri si dhe në botë me këtë kërcim?

Tan Brama: Ka qenë shumë e vështirë sepse në atë kohë nuk ka pasur rrjete sociale, por kishim vetëm një televizor. Unë kisha atëherë një videokasetë me një film që quhet “break dance” 1 dhe 2 dhe ai ishte inspirimi im. Pra ka qenë e vështirë, por unë ja arrita qëllimit dhe tani nuk kërcej vetëm “break dance”, por merrëm më shumë me hip-hop, koreografi, “street dance”  më pëlqen shumë të merrem me të rinjtë dhe vazhdoj të merrem me ta sepse është shumë bukur. Tani është më e lehtë sepse kemi rrjetet sociale, ku çdo gjë i ndjamë dhe shikojnë të huajt, koreografë të ndryshëm dhe inspirohemi njëkohësisht.

CMG: Për një kohë të gjatë ju keni jetuar në Gjermani ku dhe keni ushtruar artin e kërcimit. Si ka qenë eksperienca juaj në bashkëpunim me artistët e huaj?

Tan Brama: Unë kam qenë në Gjermani nga viti 2001 deri në vitin 2006 dhe ka qenë shumë bukur. Të ndash eksperiencat me një vend si Gjermania që është vend shumë i zhvilluar dhe të kesh miq koreografë të ndryshëm siç është koreografi i Justin Timberlake ku kisha një workshop me shkollën time “Dance Corner”. Kam marrë pjesë në “Deutche master chef”, pra mjeshtrat e Gjermanisë si dhe në kupat e Gjermanisë ku jam renditur në vendet e para dhe kishte shumë talente të rinj. Kam dalë shumë mirë me grupin “Dance Corner”.

Tan Brama gjate nje performance (Instagram)

Tan Brama gjate nje performance (Instagram)

CMG: Gjatë karrierës suaj keni realizuar koreografi të artistëve të njohur shqiptarë. Po me artistë të huaj keni realizuar koreografi të videoklipeve?

Tan Brama: Pothuajse të gjithë artistët në Shqipëri kanë kaluar nga dora ime dhe unë jam shumë modest, sepse nuk e kam përmendur dhe është hera e parë që po e them këtë gjë. Eksperienca ime e parë më e bukur ka qenë në Festivalin e Këngës në RTSH me grupin “Spirit Voice”, ku për herë të parë me një shokun tim performoja me pesë vajza në festival. Patëm edhe komente negative për veshjet sepse ishin shumë të gjera, vajzat ishin pak klasike tip Spice Girls, por ka qenë shumë bukur. Këngëtarë të huaj kam plot faktikisht, me Nanën kemi performuar kur ka qenë në Shqipëri,  por edhe në videoklip që është bërë në Gjermani në Sony Center, plus me Shockman që është një afrikan që bën këngë afrikane shumë të bukura dhe unë kam performuar disa këto këngë që janë në YouTube.

CMG: Në fillimet tuaja të rrugëtimit me kërcimin a keni marrë inspirim nga ndonjë grup i huaj kërcimi?

Tan Brama: Faktikisht grupi inspirues ka qenë “Take that” dhe pastaj u pasua me grupin “Back street boys”. Pra këto grupe kanë qenë inspirimi im.

Tan Brama gjate je spektakli (Instagram)

Tan Brama gjate je spektakli (Instagram)

CMG: Kohët e fundit keni krijuar dhe markën tuaj të veshjeve, ku dalloheni për ngjyrat që përdorni.

Tan Brama: Ne kemi pasur televizorë pa ngjyra atëherë dhe na kanë munguar ngjyrat dikur. Unë jam tek ngjyrat e forta dhe të ndezura, kështu që inspirohem dhe nga rrjetet sociale dhe markat e ndryshme. Tani kam nxjerrë markën time që quhet “Tapdance design” dhe falenderoj Stiven dhe Mozën që kanë fabrikën për këtë gjë dhe më kanë krijuar një hapësirë për të pasur veshjet e mia. Kështu që unë jo vetëm vishem vetë, por dhe të tjerët inspirohen edhe pse këtu kanë frikë të vishen me ngjyra, por shumë nga të rinjtë vishen si unë dhe marrin markën time. Gjithashtu ka dhe këngëtarë dhe grupe të njohur që kur hedhin diçka që është me ngjyra kanë bërë shumë komente pozitive.

CMG: Keni hapur dhe qendrën tuaj të dancit, ku bëni kurse kërcimi. Sa të interesuar janë të rinjtë për këtë zhanër kërcimi?

Tan Brama: Unë kam disa qendra dhe jam edhe trajner personal sepse kam vite që merrem me street dance, hip-hop dhe më pëlqen shumë të merrem me të rinjtë dhe të ndaj kulturën time me ta, t’ju tregoj sesa e vështirë ka qenë dhe sa bukur është të performosh në video klip apo në performancat e tyre live. Kështu që unë merrem me kërcimin dhe do vazhdoj të merrem derisa të më lejnë këmbët sepse është dashuri.

CMG: Do kishit dëshirë të shkonit në Kinë bashkë me grupin tuaj për të performuar atje?

Tan Brama: Kina më ka pëlqyer gjithmonë dhe më pëlqen shumë që të më jepet mundësia ta vizitoj sado dhe njëherë me grupin tim dhe të performoj atje. Unë kam “Hip-hop international” që kam marrë liçencën për ta zhvilluar këtu në Shqipëri dhe di që Kina në finalen e madhe që bëhet gjithmonë në Arizona merr gjithmonë pjesë dhe ka shunmë talente, është shumë lart me kërcimin. Unë e di shumë mirë se çfarë talentesh ka Kina në hip-hop dhe do më pëlqente gjithashtu të kisha dhe një studio kërcimi në Kinë dhe pse jo të ndaja kulturën time me të rinjtë kinezë. I përshëndes të gjithë dhe uroj ta shikoj njëherë Kinën. 

Tan Brama (Instagram)

Tan Brama (Instagram)

CMG: Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen?

Tan Brama: Projekti i radhës është “Hip-Hop International Albania”, që unë kam marrë liçencën nga Amerika për ta zhvilluar në Shqipëri, ku vendi i parë, i dytë dhe i tretë do marrin pjesë në finalen e madhe që është në Fenix, Arizona. Jemi në fazat përzgjedhëse dhe datat e këtij eventi janë 5,6 dhe 7 maj 2023. Ky do jetë një festival shumë i bukur, ku grupet fituese do të na përfaqësojnë denjësisht në Fenix Arizona në muajin gusht.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.  

Tan Brama: Një përshëndetje e veçantë nga Tan Brama dhe uroj që të dëgjoni sa më shumë radion si dhe të dëgjoni dy këngët e mia që mund ti gjeni në YouTube. Ju përshëndes dhe sa më shumë energji pozitive!

Intervistoi: Gazmend Agaj