Të huajt shpenzuan 2.8 miliardë euro për udhëtime në Shqipëri
2023-03-29 16:41:07

Grafiku i udhetimeve (Foto RTSH)

Grafiku i udhetimeve (Foto RTSH)

Vitin e kaluar të huajt shpenzuan mbi 2.8 miliardë euro në udhëtimet e tyre në Shqipëri. Sipas raportit “Bilanci i pagesave” të publikuar nga Banka e Shqipërisë, cituar nga “ATSH”, edhe shqiptarët kanë rritur shpenzimet në udhëtime jashtë vendit përgjatë kësaj periudhe. Referuar të dhënave rezulton se shqiptarët kanë shpenzuar në udhëtime jashtë vendit 1.77 miliardë euro gjatë 2022-shit.

Bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri me atyre të shqiptarëve jashtë, ishte pozitiv gjatë vitit, në një vlerë prej 1.07 miliardë eurosh.

Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se 7.5 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2022, 1.9 milionë më shumë se në vitin 2021 dhe 18% më shumë se në vitin 2019, që mbante rekordin e shifrave.

Po ashtu, raporti jep të dhëna interesante të tregjeve të reja që po rriten me shpejtësi. 85% më shumë vizitorë nga Anglia; 3.7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; 2 herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84% më shumë vizitorë nga Turqia; 2 herë më shumë nga vendet nordike. (Elona)