Foto nga VCG
Ndërsa Ekspozita e 3-të Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore po afrohet, qyteti Ningbo i provincës Zhejiang të Kinës Lindore po hyn dalëngadalë në atë që quhet "Koha e Evropës Qendrore dhe Lindore".
Nga Dogana e Ningbos mësohet se nga janari deri në shkurt të këtij viti, ekonomia dhe tregtia mes Ningbos dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, provuan një "fillim të mbarë". Importet e Ningbos nga këto vende kapën shifrën 2.69 miliardë juanë, duke u rritur me plot 84.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Mes mallrave kryesore të importuara bien në sy lëndët e para, si automobilat, materialet e bakrit dhe produktet bujqësore. Duke marrë si shembull automobilat, nga janari në shkurt, vlera e importit të tyre nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore arriti në 1.86 miliardë juanë, 1.8 herë më shumë se viti paraardhës.
Gjatë së njëjtës periudhë, produkte bukurie rumune, qelibar polak, enë kristali çeke dhe produkte të tjera karakteristike nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore u shitën me sukses në të gjithë vendin përmes Ningbos. “Shumica e produkteve që importojmë janë marka të njohura nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Për shembull, produktet e bukurisë nga Rumania përdoren shpesh si suvenire nga vendi." - tregon Chen Yi, kreu i kompanisë Dijiaweida në Ningbo. Statistikat tregojnë se në dy muajt e parë të këtij viti, Ningbo importoi 1.394 milionë juanë produkte kozmetike dhe tualeti nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Foto nga VCG
Për të mbështetur bashkëpunimin e jashtëm ekonomik dhe tregtar me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një nivel të ri, dogana e Ningbos ka vazhduar të zbatojë 14 masa të detajuara për të ndihmuar në ndërtimin e Zonës Demonstruese të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Kinë-Vende të EQL-së dhe ofrimin e shërbimeve të posaçme të zhdoganimit për mallrat e importuara nga këto vende dhe ndërmarrjet e eksportit. Nga njëra anë, udhëzimet profesionale "një-për-një" për deklarimin dhe deklaratën doganore u japin përgjigje në kohë bizneseve për klasifikimin e mallrave dhe deklaratës së standardizuar, ndërsa në anën tjetër do të zhvillohet “kanali i gjelbër” në procesin e zhdoganimit e logjistikës për mallrat e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Që nga viti 2014, Ningbo ka organizuar vazhdimisht ekspozita të EQL-së për të promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes Kinës dhe vendeve të këtij rajoni. Në vitin 2017, Ningbo krijoi Zonën Demonstruese të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Kinë-EQL, e cila ishte e para e këtij lloji në vend. Ndërsa dy vite më pas, në 2019-ën, Ekspozita Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore u ngrit në nivel kombëtar. Sot Ningbo po përshpejton ndërtimin e Qendrës së Nxitjes Ekonomike dhe Tregtare mes Kinës dhe Vendeve të EQL-së, si dhe qendrave të Transportit dhe Logjistikës, Inovacionit të Shkencës e Teknologjisë apo Qendrës së Shkëmbimit të Shkencave Humane, duke u përkushtuar për t’u bërë qyteti i parë në Kinë për tregtinë, investimet e dyanshme dhe shkëmbimet kulturore mes Kinës dhe vendeve të EQL-së.
Foto nga VCG
Sipas të dhënave të doganave, vëllimi total i importeve dhe eksporteve me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në vitin 2022 arriti në 45.04 miliardë juanë, nga të cilat, vlera e importit ishte 11.15 miliardë juanë, një rritje nga viti në vit prej 47.5 për qind. Ndërsa gjithnjë e më shumë produkte nga këto vende hyjnë në tregun kinez, jo vetëm që jepen mundësi të reja biznesi për sipërmarrjet nga e gjithë bota, por gjithashtu pasurohen edhe zgjedhjet e konsumatorëve.
Ndërsa Ekspozita e 3-të Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore po afrohet, mallrat karakteristike nga këto vende kanë hyrë njëri pas tjetrit në portin e Ningbos dhe Pavijonin e Përheshëm të Mallrave Speciale të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, i cili është gjithashtu gati. Parku i Zinxhirit të Ftohtë “Wanwei” që ndodhet në distriktin Beilun të qytetit Ningbo, si qendra e Pavijonit të Përheshëm të Mallrave Speciale të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në Ningbo, ofron shërbime logjistike dhe magazinimi të zinxhirit të ftohtë për kompanitë e tregtisë së jashtme dhe garanci të fortë për transaksionet e ushqimit të freskët. Aktualisht ky park po bën përgatitjet e plota për mbajtjen e Ekspozitës së 3-të Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Parku “Wanwei” mbulon një sipërfaqe totale prej rreth 68 mijë metra katrorë. Ka 24 depo të ftohta, që mbulojnë zonat e ngrirjes, ruajtjes së ftohtë dhe temperaturave të dhomës. Që nga themelimi i saj, qendra logjistike ka ofruar shërbime magazinimi për më shumë se 500 tonë mallra të importuara nga Hungaria, Serbia dhe vende të tjera. Sipas politikave përkatëse, ndërmarrjet e vendosura mund të përfitojnë gjithashtu subvencione për magazinimin, duke siguruar zhvillimin e qetë të transaksioneve të importit dhe eksportit të tyre. Në të njëjtën kohë, ky park është gjithashtu një vend inspektimi i zinxhirit të ftohtë të importit doganor dhe një magazinë e lidhur jashtë zonës së doganës në Ningbo.
Foto nga VCG
Përveç kësaj, Ningbo ka punësuar së fundmi pesë përfaqësues kryesorë të zyrave ndërlidhëse në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Aktualisht, ekzistojnë 9 zyra të tilla, përkatësisht Hungari, Bullgari, Rumani, Serbi, Poloni, Republikën Çeke, Sllovaki, Kroaci dhe Greqi. Ky rrjet pune që mbulon gjithë rajonin do të thellojë më tej shkëmbimet dypalëshe në fushën e ekonomisë, tregtisë, si dhe shkëmbimeve mes popujve dhe kulturave të tyre.
Në “Dy sesionet” e Kinës që u zhvilluan në fillim të marsit, Xu Yuning, anëtar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, sugjeroi inkurajimin dhe udhëzimin e të gjitha krahinave për të organizuar në mënyrë aktive grupe pjesëmarrëse për në Ekspozitën e 3-të Kinë - Vende të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe zgjeruar më tej ndikimin e këtij evenimenti. Rritja e mbështetjes tatimore për shitjet ekspozuese të importuara dhe, përmes lëshimit të përbashkët të dokumenteve nga ministritë dhe komisionet përkatëse, shitjet që lidhen me Ekspozitën Kinë-EQL do të përjashtohen nga detyrimet e importit, tatimi mbi vlerën e shtuar të importit dhe taksa e konsumit. Xu Yuning dëshiron që përmes mbështetjes së synuar si politikat e sipërme, të mund të ndihmojë që më shumë mallra nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të hyjnë në tregun kinez. (Çang Çuo)