Vallet shqiptare, mes epizmit dhe lirizmit, nga “Vallja e shqipeve”, deri te “Drenovarja”
2023-03-29 15:31:27

vallja e Napolonit (foto OberverKult)

Vallja e Napolonit (foto OberverKult)

Kultura jonë popullore nuk mund të kuptohet pa kërcimet tradicionale, të cilat brez pas brezi janë shoqëruar nga muzika dhe veshjet e tyre karakteristike. Vallet tona, që përbëjnë edhe një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar, i ndeshim në veri dhe në jug, herë të shoqëruara me vargje këngësh e herë vetëm vijë melodike; herë të kërcyera nga gratë e burrat veçmas, e herë të bashkuar me tyre; herë në dyshe e herë në grupe të mëdhenj valltarësh.

Në raste gëzimesh, nga veriu në jug, është e pamundur të mos kërcehen valle të trevave përkatëse, por edhe të trevave të tjera, pasi disa prej tyre e kanë fituar statusin e veçantë të përfaqësimit. E tillë është “Vallja e Napolonit”, “Pogonishtja”, “Vallja e Kukësit”, etj. Por janë edhe një grup vallesh të tjera, të cilat pavarësisht se pëlqehen shumë, është e vështirë të interpretohen nga krahina të tjera, pasi përkatësi e saj, zor se mund të përshtatet me zona të tjera.

Sot do tregojmë për vallet më përfaqësuese të shqiptarëve, që nga “epizmi i valles së shqipeve”, deri tek “lirizmi i drenovares”.

“Vallja e shqipeve” është sigurisht ajo valle që përfaqëson të gjithë shqiptarët, prandaj e kemi përmendur të parën. Por, ndryshe nga vallet e tjera, të cilat janë krijime të trashëguara popullore, vallja e shqipeve ka autorësi, ndonëse tashmë për nga fama e ka tejkaluar atë.

“Vallja e shqipeve” është nga perlat e koreografisë shqiptare, ajo është frut i punës së koreografit Panajot Kanaçi, i cili për vallen përdori motivet dhe ritmet e veriut dhe përmes figurave plot plastikë, ndërtoi simbolin e shëiponjës, me të cilën shqiptarët pëlqejnë të identifikohen prej shekujsh. Që në hapat e para ndihet figuracioni i shqiponjës. Koreografi e ka marrë këtë këtë figuracion nga ky zog i lirë dhe e transmeton në skenë përmes valltarëve. Ky etyd pasi u prezantua si pjesë e punës së diplomës në Universitetin e Arteve në Moskë, ngjalli shumë interes. Interesant është fakti që për herë të parë është kërcyer nga një  prej balerinëve më të mëdhenj rus, Nurejev. Pas deputimit shumë të suksesshëm të etydit, koreografi shqiptar erdhi në Shqipëri dhe krijoi “Vallen e shqipeve”, e cila shumë shpejt u shndërrua në vallen më përfaqësuese të shqiptarëve. Ndërkohë lista e valleve tona folklorike është e gjatë dhe e larmishme. Në do të rendisim disa prej tyre:

vallja e kukesit (foto Bocku art Gallery)

vallja e kukesit (foto Bocku art Gallery)

“Vallja e Shotës” është një ndër vallet më të njohura në Kosovë. Fjala “shotë” përdoret me përkëdheli për vajzat e reja, të shkathëta e të pashme. Vallja luhet në disa variante: në ciftë grash, burrash, apo të përzier mes tyre. Është valle lirike. Luhet në të gjitha tubimet festive dhe më shumë gjatë dasmave. Shoqërohet me forma të ndryshme vokale-instrumentale.

“Vallja e Kukësit”, një valle impresionuese. Karakteristikë e saj është ritmi në rritje, loja prefekte dhe shkathtësia e lëvizjeve të interpretuesve. Dinamika e saj, e bën këtë valle të pëlqyer sidomos për të rinjtë, ndërsa duhet theksuar se ajo është shumë e pëlqyer dhe kërcehet edhe në Ballkan.

“Vallja e Napolonit” është valle e Shqipërisë së Mesme, traditë e zonës së Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Karakteristikë e valleve të Shqipërisë së Mesme është lirizmi dhe plastika trupore e theksuar. Këto e bëjnë të dallueshme nga vallet popullore të Veriut dhe Jugut. Defi, si vegël muzikore shoqëron vallen e Napolonit. Napoloni është valle që kërcehet në të gjitha dasmat tona dhe shënon momentin më të rëndësishëm, atë të valles së nuses me dhëndrrin.

“Vallet labe të burrave” janë shumë të përhapura në Labëri. Tipar i tyre është se shoqërohen vetëm me këngë polifonike dhe përgjithësisht emrat i marrin sipas vargut të parë të këngës. Nga përmbajtja, bëjnë pjesë në vallet epike të trimërisë. Kërcimi më origjinal i këtyre valleve është në dy grupe, që komunikojnë në formë dialogu. Kërcimi lidhet kryesisht me valltarin e parë, që e nis kërcimin shtruar dhe pas pas lëvizjeve të para burrërore, vjen përplasja e herëpashershme e këmbeve nga toka, uljet gjysmë të thella mbi njërën ose mbi të dyja këmbët, rrotullimet e vrullshme, përkuljet e trupit, etj.

Vallja came e Osman Takes (foto Bocku Art Gallery)

Vallja came e Osman Takes (foto Bocku Art Gallery)

“Vallja Çamiko”, është vallja e burrave e krahinës së Çamërisë. Ka fuqi të madhe emocionale dhe vlera estetike; arsye kjo që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve si të vendit, ashtu edhe të huaj, të cilët kanë folur për përhapjen e saj edhe tek grekët. Njihen disa variante që praktikohen edhe në zona të tjera të Shqipërisë së Jugut, me emërtime, kompozicion koreografik dhe shoqërim vokal-instrumental të ndryshëm. Më e njohura është “Vallja e Isuf Arrapit” dhe “Vallja e Osman Takes”. Këto emra, gojëdhëna popullore i lidh me figura kapedanësh të Ali Pashë Tepelenës. Futen te vallet epike. Edhe kur kërcehet dyshe ose në grup, rolin kryesor e luan valltari i parë. Ai ecën, ngrihet mbi njërën këmbë, rrotullohet dhe në këtë moment, përkul trupin hark prapa, duke prekur me kokë dyshemenë, ndërkohë valltarët e tjerë kalojnë mbi trupin e tij.

“Vallja dardhare”, është një valle grash me prejardhje nga fshati Dardhë i Korçës, ndonëse është bërë e njohur në të gjithë vendin, Gratë valltare e luajnë vallen në formacion gjysmërrethi, të kapura për duarsh zinxhir, duke u zhvendosur në varg nga e djathta. Kjo valle shoqërohet me këngë. Valltaret kërcejnë dhe njëkohësisht këndojnë, njëra ia thotë këngës, një e dytë ia pret, ndërsa të tjerat në grup mbajnë zërin. Zakonisht ajo që udhëheq vallen, luan edhe rolin e marrëses së këngës, njëkohësisht ajo “heq këmbën dhe këngën”.

“Pogonishtja” është një valle e njohur në të gjithë Shqipërinë, ndoshta më e përhapura në vend dhe e ka origjinën në Shqipërinë e Jugut. Është një valle ritmike që kërcehet në formë qarku, me njerëz që kanë duart e bashkuara. Kërcehet nga gra dhe burra, fëmijë dhe të moshuar, pa dallim.

Si përfundim mund të themi se vallet shqiptare janë pikërisht ato që mbajnë trashëgiminë folklorike gjallë ndër vite duke kultivuar të brezat të rinj dashurinë për traditat tona artistike.

Neritana Kraja