Eksperti: Skema kombëtare në bujqësi tregon vëmendje për sektorin
2023-03-29 09:24:44

Puna në bujqësi (Foto scan tv)

Puna në bujqësi (Foto scan tv)

Qeveria ka shpallur skemën kombëtare të mbështetjes së bujqësisë për vitin 2023, që mundëson subvencionimin e fermerëve në të gjithë vendin. Sipas Ministres Frida Krifca, fokus kryesor do të marrë mbështetja për blegtorinë, si sektori prioritar i kësaj skeme.

“Mbështesim ferma me jo më pak se 10 lopë të matrikulluara me deri 10 mijë lekë/krerë dhe jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt, si dhe fermat me jo më pak se 100 dele ose dhi me deri 1200 lekë për krerë, por jo më shumë se 360 mijë lekë për subjekt”, tha ministrja.

Ministrja Frida Krifca (Foto Facebook)

Ministrja Frida Krifca (Foto Facebook)

Si pritet kjo nga ekspertët dhe vetë përfaqësuesit e fermerëve?

Në një intervistë për mediat Alban Zusi, Kreu i Shoqatës së Eksportuesve e vlerëson si pozitive vëmendjen e qeverisë tek bujqësia edhe pse gjithmonë duhet edhe më shumë.

“Skema që mbështet peshkimin është më e majmja madje në disproporcion do të thoja për kontributin që jep si sektor, në raport me sektorët e tjerë. Gjithësesi për të qenë pozitivist do të thoja që përsëri është një sinjal pozitiv që ne jemi duke përjetuar tashmë, një mbështetje, një vëmendje ndaj bujqësisë dhe subvencioneve dhe këtë radhë kanë një orientim të vëmendjes, duke e orientuar drejt skemës mbështetëse të blegtorisë që është sektori më problematik sot. Është sektori me potencialin më të lartë. Kur themi blegtori kemi parasysh bulmetrat, mishin dhe përgjithësisht në ndarjen e të ardhurave dhe të kontributeve që jepen në të gjithë sektorin bujqësi, agro industri apo turizëm dhe janë produktet që zënë mbi 60% të xhiros totale. Por kanë qenë më të pambështeturat deri më tani. Duket sikur ka një vëmendje, por sërish lë për të dëshiruar”, u shpreh eksperti

Gjithashtu ai theksoi  se duhet të hiqen edhe kufizimet në skemën kombëtare të bujqësisë.

“ Ka nevojë për t’u përmirësuar më shumë kjo skemë, jo vetëm në vlerën monetare që është akorduar, e cila do të duhej të ishte më e lartë, por veçanërisht në mënyrën sesi është konceptuar mbështetja. Përsëri janë lënë jashtë skemës fermat që quhen të vogla me më pak se 10 krerë gjedhësh, lopësh të cilët që përpunojnë dhe nxjerrin 80 deri në 90 % të qumështit që shkon në industri.  Unë e kuptoj logjikën që duhet të mbështesim fermerët me mbi 10 krerë dhe të shkojnë drejt fermave të përqendruara, por kjo vjen gradualisht dhe nuk vjen duke denigruar 70 apo 80 % të tregut, sepse ai që është me 8 lopë natyrshëm është në rrugën e rritjes dhe ka nevojë të mbështetet, ndërsa nëse ne nuk e mbështesim dhe e diskriminojmë sepse mbështesim atë që është me 11 dhe lëmë atë që është me 9, atëherë krijojmë edhe ndjesi jo pozitive  dhe pabarazi në treg”, vuri në dukje Zusi

Alban Zusi (Foto Gazeta Bulevard)

Alban Zusi (Foto Gazeta Bulevard)

Masa e pa mbështetur mbetet e lartë.

“Po kështu edhe tek mbështetja e të imtave, nëse mbështesim ata që kanë 100 qengja e lart po ato që janë me 70 apo me 80 pasi janë shumë të rëndësishme, çfarë do bëjnë me to? Sepse janë pjesë shumë e rëndësishme e tregut. Duhet të ndryshojë skema, duhet të jetë një skemë pa kufi, me produkt të dorëzuar në mënyrë formale, paratë që japim t’i përdorim mençurisht, duhet që me ato lekë të realizojmë disa funksione. Se pari, funksionin e nxitjes, së dyti, funksionin e formalizimit dhe së treti, funksionin e krijimit të një klime të barazisë në treg. Këtë nuk e kryen një lloj skeme me nivele, por skema për çdo të shitur përmes një fature të rregullt tatimore fermeri të marrë paratë. Pastaj dorëzoi 50 litra qumësht, 20 apo 200 litra qumësht duhet të marrë po themi 100 lekë të vjetra. Nëse përshemnull dorëzoi 1 mijë kg mish atëherë për çdo kg mish duhet të marrë 200 lekë të vjetra. Pra kjo do ishte gjëja më e ndershme”, sugjeron eksperti Zusi.

Skema Kombetare (Foto Ministria e Bujqesise )

Skema Kombetare (Foto Ministria e Bujqesise )

Për televizionin Scan, Alban Zusi thotë se duhet subvencion per njësi prodhuese.

“Jam për subvencion për njësi prodhuese dhe jo thjesht për një autodeklarim apo vërtetim nga agronomi apo drejtoria e bujqësisë, por deklarim mbi bazën e faturave tatimore të dorëzuara të produktit pranë një njësie të kontrolluar nga AKU apo nga organet tatimore.”

Ministria e Bujqësisë do të vijojë mbështetjen për të tretin vit radhazi me skemën e naftës falas për fermerët. Rreth 1,4 miliard lekë do të përdoren për të lehtësuar fermerët nga kosto që i peshon më shumë në aktivitetin e tyre, atë të karburantit. Krifca shtoi se skema adreson mbështetje për perimet në serra, si motorin e eksporteve shqiptare. Me një pagesë direkte prej deri 400 mijë lekë për ha, subvencionohen kultivuesit e perimeve, rrushit për tavolinë dhe luleshtrydhet në serra, duke lehtësuar kostot e inputeve bujqësore për këto aktivitete. Mbështetja me subvencione do të vijojë edhe për bletarinë, si një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale.