Ambasadori i Kinës vlerëson katër vitet e punës në Shqipëri
2023-03-29 14:33:37

Ambasadori i Kines me kryeministrin Rama (Foto Facebook)

Ambasadori i Kines me kryeministrin Rama (Foto Facebook)

Në prag të përfundimit të mandatit si ambasador i Kinës në Shqipëri, diplomati Zhou Ding ka bërë një rezyme të punës së tij në Tiranë. Në një postim të gjatë në “Facebook”, ambasadori i konsideron katër vitet e punës në Shqipëri si përvojën më të rëndësishme dhe të paharrueshme në karrierën e tij diplomatike.

“Ju falënderoj sinqerisht për kujdesjen dhe mbështetjen, përfshirë edhe ata që nuk më kanë takuar kurrë, por gjithmonë mbështesin punën e Ambasadës Kineze dhe marrëdhëniet kino-shqiptare”,- shkruan ambasadori.

Sipas tij, gjatë këtyre katër viteve, marrëdhëniet kino-shqiptare kanë ruajtur zhvillim të qëndrueshëm. Të dyja vendet kanë mbajtur ndërveprime të mira të nivelit të lartë. Vëllimi tregtar dypalësh është rritur vit pas viti. Po ashtu janë nënshkruar marrëveshje për eksportet dhe turizmin, si dhe ajo për heqjen reciproke të vizave.

Ambasadori i Kines me presidentin Begaj (Foto Facebook)

Ambasadori i Kines me presidentin Begaj (Foto Facebook)

“Shkëmbimet kulturore dhe njerëzore janë bërë gjithnjë e më aktive. Jam thellësisht i nderuar që mora pjesë dhe kontribuova për arritjet e sipërpërmendura. Gjatë këtyre katër viteve, duke ruajtur komunikimin e ngushtë dhe promovuar në mënyrë aktive bashkëpunimin me qeverinë qendrore, pushtetet vendore dhe kuvendin e Shqipërisë, kam vizituar gjithashtu komunitete, universitete dhe ndërmarrje në Shqipëri, ku kam pasur ndërveprime të sinqerta me miqtë shqiptarë. Ne zhvilluam së bashku një sërë aktivitetesh për të festuar 70-vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Shqipërisë. Shijuam së bashku këngë dhe valle kineze, ushqime kineze në sheshin “Skënderbej”, mbollëm pemën e miqësisë kino-shqiptare në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, u përballëm me sfidat e tërmetit të vitit 2019 dhe Covid-19 që pasoi, dhe isha i nderuar që bëra donacione bamirësie në emër të qeverisë kineze për komunitete dhe organizata në të gjithë Shqipërinë. Shumë momente të bukura do të mbeten në zemrën time”,- shkroi ambasadori.

Ambasadori (Foto Facebook)

Ambasadori (Foto Facebook)

Më tej, diplomati shtoi se Kina e ka konsideruar gjithmonë Shqipërinë si një mik dhe partner dhe shprehu besimin se zhvillimi i vazhdueshëm i Kinës do të ofrojë më shumë mundësi për Shqipërinë.

“Miqësia tradicionale e gjatë midis Kinës dhe Shqipërisë është thesari i përbashkët i të dy popujve dhe themeli për zhvillimin afatgjatë të marrëdhënieve dypalëshe. Nuk do t'i harroj kurrë historitë prekëse të ndërveprimeve qoftë personale qoftë familjare, mes kinezëve dhe miqve shqiptarë, të moshave të ndryshme, kudo në Shqipëri. U preka thellësisht nga pritshmëria e tyre për të trashëguar miqësinë dhe marrëdhëniet kino-shqiptare dhe jam besimplotë për të ardhmen e marrëdhënieve kino-shqiptare.

Ambasadori i Kines (Foto Facebook)

Ambasadori i Kines (Foto Facebook)

Duke i dhënë lamtumirën tokës ku kam punuar dhe jetuar, zemra ime nuk mund të qetësohet për kohë të gjatë. Shqipëria është plot sharm dhe ka potencial të madh zhvillimi. Historia e gjatë, dielli i ndritshëm dhe peizazhet e bukura, veçanërisht vitaliteti dhe qëndrueshmëria, çiltërsia dhe mikpritja e popullit shqiptar, më kanë lënë një përshtypje të paharrueshme. Unë do të largohem me miqësinë tuaj të thellë. Pavarësisht ku do të jem në të ardhmen, gjithmonë do t’i kushtoj vëmendje marrëdhënieve kino-shqiptare dhe gjithmonë do të jem një misionar i miqësisë kino-shqiptare. Sinqerisht uroj prosperitet për Kinën dhe Shqipërinë, uroj që miqësia mes dy vendeve tona të zgjasë përgjithmonë”,- përfundon mesazhi i ambasadorit. (Elona)