Kryeministri kinez nxit solidaritetin e bashkëpunimin për rimëkëmbjen ekonomike
2023-03-28 20:09:18

foto/Xinhua: Kryeministri kinez Li Qiang takohet me shtypin pas mbylljes së sesionit të parë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, 13 mars 2023.

foto/Xinhua: Kryeministri kinez Li Qiang takohet me shtypin pas mbylljes së sesionit të parë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, 13 mars 2023.

Kryeministri i Kinës Li Qiang u kërkoi të hënën të gjitha palëve të shtojnë konsensusin, të forcojnë bashkëpunimin dhe të promovojnë bashkërisht rimëkëmbjen e ekonomisë botërore gjatë takimit me përfaqësuesit e pjesëmarrësve të huaj në Forumin e Zhvillimit të Kinës për vitin 2023.

Pjesëmarrësit përfshinin drejtuesit e disa prej 500 kompanive më të fuqishme të botës sipas listës së revistës “Fortune”, studiues dhe ekspertë nga institutet akademike globale dhe përfaqësues nga organizata të mëdha ndërkombëtare.

foto/VCG:Tianjin

foto/VCG:Tianjin

Kryeministri Li Qiang u shprehu mirënjohjen të gjithë të pranishmëve për kontributin e tyre në zhvillimin e Kinës ndër vite.

Duke vënë në dukje se zhvillimi i ekonomisë botërore është në një periudhë komplekse, të paqëndrueshme dhe të vështirë, Li u shpreh që të gjitha palët duhet të forcojnë besimin e të stabilizojnë pritshmëritë, të kenë një vizion të gjerë dhe të ndjekin një perspektivë afatgjatë.

Ekonomia kineze do të ruajë një nivel të caktuar rritjeje në të ardhmen, ndërkohë që promovon një ndryshim në cilësi, efikasitet dhe shtytësit e rritjes, në përpjekje për të arritur zhvillim me cilësi më të lartë dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve, shtoi ai.

Kjo do të sigurojë një impuls të ri për rritjen ekonomike globale dhe një hapësirë të gjerë për kompanitë nga të gjitha vendet që të zhvillohen në Kinë, sipas Li Qiang-ut.

Duke theksuar se ekonomia kineze është integruar thellësisht në ndarjen globale të punës, kryeministri tha se Kina do të shtojë në mënyrë të palëkundur hapjen ndaj botës së jashtme, pavarësisht si ndryshon situata ndërkombëtare.

foto/VCG:Shenzhen

foto/VCG:Shenzhen

“Ne do të zgjerojmë më tej hapjen në përputhje me rregullat e standardeve të larta të tregtisë ndërkombëtare, do të shtojmë në mënyrë të qëndrueshme hapjen institucionale dhe do të përpiqemi të nxisim një mjedis biznesi të klasit botëror që është i orientuar nga tregu, i bazuar në ligj dhe i ndërkombëtarizuar,” tha kryeministri Li.

Pjesëmarrësit vlerësuan arritjet e zhvillimit të Kinës, duke thënë se ndërmarrjet shumëkombëshe kanë përfituar nga Reforma e Hapja dhe zhvillimi i shpejtë i Kinës, si edhe kanë dhënë kontribut pozitiv në zhvillimin e Kinës.   (Fang Xiaoyu/Artan)