Shteti dhe sipërmarrja, bashkë për rritjen e pagave
2023-03-28 09:21:15

Domosdoshmëria e rritjes së pagave për të frenuar emigracionin e lartë në vend solli takimin e kryeministrit Rama me përfaqësues të biznesit, më datën 17 mars 2023, në prani edhe të Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

Kreu i qeverisë u shpreh se ka ardhur koha që të ketë një bashkëpunim më të madh mes qeverisë dhe bizneseve private, për të rritur pagat dhe për të motivuar kështu më shumë punonjësit në vendin e tyre të punës.

Shqipëria ka më shumë se 82 përqind të forcës së saj të punës, të angazhuar në aktivitetet e sektorit privat, ndërsa më pak se një e pesta është e punësuar në administratën shtetërore në qendër dhe në atë vendore të bashkive, si dhe në ndërmarrjet aksionere shtetërore.

Rritja e pagës minimale është jo vetëm e nevojshme në këtë moment, por ndoshta edhe e domosdoshme, pasi do të ndikojë në frenimin e tkurrjes së forcës punëtore dhe të largimit të qytetarëve nga vendi. Vetëm për vitin 2022, sipas të dhënave nga INSTAT, nga Shqipëria u larguan 42 mijë vetë, shumica derrmuese e tyre në moshë të aftë për punë dhe të punësuar në vend.

Emigracioni i lartë, në fakt, është një dukuri globale dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është i prekur. Jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera në rajon po përballen me mungesë të forcës punëtore në tregjet e tyre.

Biznesi në Shqipëri (Foto Revista Monitor)

Biznesi në Shqipëri (Foto Revista Monitor)

Tendenca e emigracionit, kombinuar me zhvillimet demografike, ka kohë që ka diktuar nevojën e rritjes së pagës minimale. Qeveria e Shqipërisë, duke filluar nga 1 prilli 2023, do të rrisë me 17 përqind pagën minimale në vend, nga 36 mijë lekë në 40 mijë lekë. Kjo është rritja e gjashtë në dhjetë vitet e fundit. Pas 1 prillit, paga minimale do të jetë 81 përqind më e lartë se paga minimale prej 22 mijë lekësh e vitit 2013, një dekadë më parë.

Shqipëria do të renditet në vendin e tretë në rajon, pas Malit të Zi dhe Serbisë dhe së bashku me Maqedoninë e Veriut, për nivelin e pagës minimale. Duke u garantuar punonjësve një pagë më dinjitoze në vend, kjo mund të zbusë ritmet e larta të emigracionit për shkaqe ekonomike duke adresuar kështu çështje të tkurrjes së forcës punëtore në vend, në prani të fenomenit të plakjes së popullsisë.

Në anketimet e kryera, si nga Këshilli i Investimeve, dhe nga Barometri i Ballkanit, mungesa e fuqisë punëtore del sfidë thelbësore për bizneset, ku pagat e ulëta përcaktohen si një nga faktorët përcaktues të pakënaqësisë dhe dekurajimit, si për punonjësit, ashtu edhe për punëkërkuesit, duke shtuar kështu presionet mbi fuqinë punëtore aktuale dhe të disponueshme. Vetë fuqia punëtore është vazhdimisht në kërkim të një page më dinjitoze.

INSTAT (Foto Instat)

INSTAT (Foto Instat)

Deri para vendimit për rritjen në 40 mijë lekë të pagës minimale në vend, paga minimale ishte ndër pagat më të ulëta në rajon. Kërkesa në rritje e punëkërkuesve për një standard jetese të krahasueshëm me vendet e rajonit, por edhe më gjerë, ka përbërë një tjetër faktor që ndikoi në vendimmarrjen e qeverise, për të shtuar pagën minimale përtej objektivave të saj të programit qeverisës. Rritja e mëtejshme e pagës minimale, e cila është 3 herë më e lartë se rritja ekonomike, do t’i motivojë të gjithë përfituesit e ndihmës ekonomike, të cilët, sipas të dhënave të INSTAT, janë mbi 83 mijë vetë në vend.

Rritja e pagës minimale është një detyrim në kuadër të të gjitha proceseve të integrimit, një prej të cilëve është Karta Sociale Evropiane, ku përcaktohet se paga minimale nuk duhet të zbresë nën nivelin 60 % të pagës mesatare në vend. Nga ana tjetër edhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e sugjeron këtë. Para vendimit të rritjes së pagës minimale, raporti ishte 51.5 përqind.

Rama me përfaqësues të biznesit (Foto Albania Plus)

Rama me përfaqësues të biznesit (Foto Albania Plus)

Kryeministri Rama theksoi se ka ardhur koha që bizneset të mos presin të jenë konkurrues vetëm me krahun e lirë të punës. Ka ardhur koha të ndryshojnë modelin e tyre të biznesit. Kemi ndryshime të forta demografike, plakja e popullsisë sjell edhe nevojën për t’u mbështetur më pak në krahun e punës, por edhe ndryshimet e shpejta të teknologjisë diktojnë nevojën për të investuar në aftësimin e forcës punëtore. Në kushtet e emigracionit të lartë në vend, ka ardhur koha që të reflektojnë edhe bizneset private, të cilat duhet të paguajnë më shumë punonjësit e tyre. Kryeministri bëri thirrje që ata të deklarojnë pagat e plota dhe jo një pjesë të pagës t’ua japin punonjësve në dorë, ndërsa pjesën tjetër në bankë. Sipas tij, sipërmarrësit kanë dy zgjidhje, ose duke mbetur pa punonjës, të reflektojnë, ose të bëhen të vetëdijshëm dhe të krijojnë një marrëdhënie te re me punonjësit.

Fatos Çoçoli