Ekonomisti singaporas: Forumi Aziatik i Boaos do t'i japë rrugëzgjidhje botës së pasigurt
2023-03-28 14:49:00

foto nga Xinhua

Punëtorët në ndërtimin e urës hekurudhore që kalon nëpër Gjirit Meizhou në Jugun e Kinës/ foto nga Xinhua

Në Boao të provincës ishullore Hainan të Kinës Jugore u hap të martën mbledhja vjetore e Forumit të Boaos për Azinë,  që do të zgjatë deri të premten. Gjatë një interviste për gazetarin e Grupit Mediatik të Kinës, drejtori i kërkimeve i zonës pankineze të Bankës OCBC të Singaporit, Tommy Xie, tha se kjo mbledhje do t'i japë disa rrugëzgjidhje botës së pasigurt dhe do të nxitë zhvillimin paqësor të globit.

Tema e mbledhjes së këtij viti të Forumit Aziatik të Boaos është “Bota e pasigurt: Bashkëpunimi e solidariteti për përballimin e sfidave, hapja dhe gjithëpërfshirja për zhvillimin". Xie vuri në dukje gjatë intervistës se kjo temë përputhet krejtësisht me sfidat kryesore të botës së sotme. Ai shpreson se pjesëmarrësit do ta shfrytëzojnë këtë platformë të rëndësishme dhe do të kërkojnë bashkërisht rrugëdalje prej vështirësive.

foto nga Xinhua

Kopshti zoologjik Changlong në qytetin Guangzhou, më 23 janar 2023/ foto nga Xinhua

“Bota jonë ndodhet përpara rrezikut të madh të amullisë, si edhe gjendjes së acaruar të paqëndrueshmërisë financiare. Duke i hedhur një vështrim krizës financiare të vitit 2008, mund të shohim që rimëkëmbja e shpejtë dhe e fortë e ekonomisë globale nga ajo krizë u mbështet te bashkëpunimi si kurrë më parë ndërmjet qeverive e bankave qendrore të vendeve të ndryshme të botës. Por bota e sotme është ndryshe nga ajo e vitit 2008. Me përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike, po përballojmë gjithnjë e më shumë sfida. Atëherë, a mund të realizojmë një tjetër  'ulje të  butë', madje rimëkëmbje të shpejtë? Shpresoj që Forumi i Boaos të na frymëzojë t'i zgjidhim këto probleme dhe të vazhdojmë të përparojmë,”u shpreh Xie.

Ekonomisti singaporas vlerësoi edhe ndikimet pozitive të modernizimit të stilit kinez për Kinën dhe për bashkësinë ndërkombëtare. Ai është i mendimit se modernizimi i stilit kinez jo vetëm do t'i ofrojë botës një tjetër model zhvillimi, por do të jetë në dobi të vendeve të rajonit.

“Modernizimi i stilit kinez do të na favorizojë në dy aspekte. Së pari, Kina u ka paraqitur me të vërtetë një alternativë tjetër zhvillimi ekonomive të reja dhe shumë ekonomive në zhvillim. Ne  e kuptojmë se modernizimi nuk do të thotë oksidentalizim. Çdo vend ka gjendjen e vet dhe nuk ekziston ndonjë rrugë që përshtatet me të gjitha vendet. Më e rëndësishmja është që të gjejmë një model në përputhje me gjendjen konkrete të vendit tonë. Si të realizohet zhvillimi pa ndjekur rrugën e Perëndimit? Modernizimi i stilit kinez është një udhërrëfyes i mirë në këtë drejtim,” theksoi Xie.

foto nga Xinhua

Ekspozita e 5-të Ndërkombëtare e Importit e Kinës në Shangai më 5 nëntor 2022/ foto nga Xinhua

Sipas tij, aspekti i dytë ku modernizimi i stilit kinez do t'i sjellë përfitime botës është zhvillimi me cilësi të lartë. "Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse mund ta ndihmojë Kinën të shkëputet nga gracka e të ardhurave të mesme, përpara së cilës ndodhen shumë vende në zhvillim. Kur PBB-ja për frymë arrin në 12 mijë dollarë amerikanë, një vend do të bjerë në vështirësi nëse mungojnë zhvillimi me cilësi të lartë, si dhe impulsi për ta arritur një zhvillim të tillë. Ndërsa modernizimi i stilit kinez do ta ndihmojë Kinën të shmanget nga gracka e të ardhurave të mesme dhe të bëhet një vend me të ardhura të larta, me PBB-në për frymë mbi 20 mijë dollarë amerikanë,”theksoi Xie. Ai shtoi që kjo nënkupton se vendet e rajonit do të vazhdojnë të kenë përfitime nga rritja e ekonomisë kineze dhe kjo do të ketë një ndikim shumë pozitiv për rajonin e Azi-Paqësorit.