Arbron Gashi ( Foto personale)
Arbron Gashi është një i ri me origjinë nga Kosova, i cili kur ishte vetëm 9 muajsh ka emigruar në Itali së bashku me familjen. Pasioni për të shkruarit manifestohet tek ai që në adoleshencë, periudhë gjatë së cilës shkruante thjesht për hobi ose për t’u relaksuar në momente tensioni. Pasi mbaroi shkollën e mesme, Arbroni u zhvendos në Zvicër, ku iu përkushtua gjithnjë e më shumë të shkruarit dhe nisi të publikonte shkrimet e tij në një blog, që u kthye në burim frymëzimi për mjaft lexues.
Për Arbronin, botimi i një libri ka qenë gjithmonë ëndrra e tij në sirtar dhe suksesi në blog-un e tij e bën që të hedhë këtë hap të madh. Vepra e tij e parë arrin t’i japë zë asaj çka shumë njerëz ndjejnë: një pasqyrë e realitetit në të cilin jetojmë.
“ Ajo çka heshtja fsheh” me autor Arbron Gashin është një libër me përgjigje për pyetjet që priremi t'i shmangim, një libër mendimesh dhe arsyetimesh të dobishme për të dalë nga rutina, një libër i aftë për të rizgjuar emocione dhe kujtime të fshehura.
Ky libër përmban faqe të shumta reflektimesh mbi tema të hasura në përditshmërinë frenetike, emocionesh dhe mendimesh të mbytura, sikundër dhe disa poezi në të cilat autori identifikohet me jetën e njerëzve në vështirësi.
Për krijimtarinë e tij letrare dhe jo vetëm Arbroni flet në intervistën për Radio Ejani.
Libri i Arbron Gashit ( Foto personale)
CMG: Për çfarë flet libri juaj dhe pse keni zgjedhur si libër të parë një libër me poezi?
Arbron Gashi: Unë kam shkruar një libër fillimisht në gjuhën italiane me poezi në kohën kur ra Covid-19, një periudhë shumë e vështirë për të gjithë, e cila na mbajti mbyllur dhe unë e gjeta të gjithë shërimin tek shkrimi. Më pas vendosa që të mos i mungoja vendit tim me një libër, ta sillja atë edhe në gjuhën shqipe.
Vendosa poezi sepse poezia është brendashkrim i shpirtit. Ajo tregon realitetet e emocioneve dhe gjithçka që lidhet me ndjesitë e një njeriu. Poezia është e vërtetë, asaj nuk i shmangesh dot. Por do të thoja që unë sapo kam nisur dhe rruga ime do të jetë një rrugë shumë e gjatë, të cilën do ta ndaj vetëm me shkrimin pasi unë aty gjej paqen .
CMG: Si ka lindur pasioni juaj për shkrimin?
Arbron Gashi: Kam pasur përherë frymëzim për shkrimin, madje gjithë ato herë që nuk arrija të gjeja kohë për të shkruar dhe e lija disi pas dore, ndihesha shumë keq. Jam i mendimit që njeriu quhet të gjejë kohë për gjëra që i do fort në jetë dhe për mua shkrimi ka qenë dhe do të jetë diçka që e dua shumë. Në profesion ashtu si e kam përmendur edhe herë të tjera jam grafik dizajner, por kjo nuk më ka penguar përkundrazi më ka thelluar në ëndrrat e mia për jetën dhe punën. Nuk jam i mendimit që nuk kanë lidhje këto dy profesione me njëra-tjetrën, pasi po t’i shohësh estetika ndërlidhet. Çdo gjë që ka të bëjë me artin ndërthuret dhe ka lidhje.
Arbron Gashi në intervistë për media ( Foto personale)
CMG: Çfarë të lidh sot me atdheun?
Arbron Gashi: Me atdheun më lidh dashuria për të. Nuk besoj se ka tokë më të bukur se toka shqiptare. Me këtë vend mua më lidh dashuria dhe kombësia. Është shumë e rëndësihme për mua të rikthehem në atdhe, sepse e dua vendin tim.
Besoj që Shqipëria në një të ardhme do të jetë një vend i zhvilluar.
CMG: A ka një poezi nga libri juaj, të cilën ju e doni shumë?
Arbron Gashi: Po, është një poezi shumë e ndijshme dhe një nga më të mirat në libër. Unë e kam shkruar më shumë përjetime dhe emocion gjatë periudhës kur ra tërmet në Shqipëri. Të gjitha emocionet e mia në atë kohë u gërshetuan dhe u hodhën në rreshta libri. Jam shumë i emocionuar dhe mezi pres që të kthehem në Shqipëri dhe ato që kam shkruar t’i ndiej si përjetime nga afër, ata njerëz që kanë përjetuar gjithçka në atë kohë.
Arbron Gashi ( Foto personale)
CMG: Cilat janë sfidat në të cilat ju dhe familja juaj keni kaluar?
Arbron Gashi: Për një fëmijë sfida më e madhe është të mësohet me jetën dhe me ndryshimet kulturore dhe mua më është dashur të mësohem me këto ndryshime. Po ashtu si mua edhe familja. Na është dashur t’ia nisim çdo ditë nga fillimi, shoqëri të re, punë të re, gjuhë të re. Pra, çdo gjë e re në jetët tona. Sado i bukur të duket fakti që jeton dhe punon diku ku ka shumë mundësi, nuk ka si vendi yt nga i cili ti vjen dhe ke gjithçka që të lidh aty. Ndaj, edhe unë si çdo i ri tjetër, i cili ka lëvizur nga njëri vend në tjetrin kam përjetuar sfidat e mia.
CMG: Sa krenare është ndierë familja juaj në këtë rrugëtim?
Arbron Gashi: Familja ime ka qenë gjithmonë përkrah meje. Sot jam zot i vetes sime, jam larguar në Zvicër, por ata ndihen të lumtur më së tepërmi sepse e dinë që unë do të bëj edhe shumë më tepër. Jam shumë i ri dhe ëndrrat më presin.
Intervistoi: Megi Latifi