Kryeministri Rama: Së shpejti publikojmë planin për rritjen e mëtejshme të pagave
2023-03-28 10:27:00

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se së shpejti qeveria do të publikojë një studim dhe plan për rritjen e mëtejshme të pagave, shkruan “RTSH”.

Duke folur gjatë një takimi me punonjësit e një sipërmarrje në Kamëz, në Tiranë, kryeministri Rama tha se po bëhet një analizë e thellë lidhur me pagat.

“Po bëjmë një analizë të thellë dhe së shpejti do të bëjmë publik një studim dhe plan për rritjen e mëtejshme të pagave. Nëse sot me mjekët specialistë ne u vendosëm në nivelin e lartë të rajonit, këtë duhet ta realizojmë kudo”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kapitalistët shqiptarë duhet ta heqin nga mendja logjikën e shfrytëzimit deri në skaj të krahut të punës.

Mungesa e krahut të punës, sipas kreut të qeverisë, po godet palcën e ekonomisë.

Kryeministri u ndal dhe te kompanitë e ndërtimit duke i paralajmëruar se nuk do marrin më leje ndërtimi dhe nuk do të marrin tendera, nëse punonjësit nuk paguhen sipas analizës së vetë tregut dhe operatorëve. (Fatosi)