Të shtëna me armë ndaj televizionit kombëtar “Top Channel”, vritet roja i godinës
2023-03-28 17:02:34

Televizioni kombëtar “Top Channel” është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, kur drejt godinës së tij në Mëzez, Tiranë, është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, bëjnë të ditur burime nga ky televizion dhe policia. Një roje sigurie ka humbur jetën.

Në një deklaratë të posaçme “Top Channel” e ka konsideruar ngjarjen akt terrorist i paprecedent ndaj një mediaje kombëtare, që lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë.

Ngjarja është dënuar menjëherë nga autoritetet më të larta.

Presidenti Bajram Begaj e quajti ngjarje të rëndë sulmin me armë drejt ambienteve të “Top Channel”, ndërsa inkurajoi autoritetet të zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi ngjarjen agresion kriminal dhe kërkoi përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese.

Autoriteteti i Mediave Audiovizive, AMA, e ka konsideruar si goditje ndaj demokracisë, lirisë së fjalës dhe mendimit.

OSBE-ja e dënoi sulmin vdekjeprurës ndaj “Top Channel” dhe kërkoi hetim tërësor dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë. (Fatosi)