Dita Botërore e Poezisë mblodhi në mbrëmjen e 22 marsit artistë të merituar të cilët i dhuruan publikut artdashës emocione duke interpretuar vargje nga disa poetë të zgjedhur. Takimi ishte organizuar me nismën e Ministrisë së Kulturës, ndaj e pranishme ishte edhe Ministrja Elva Margariti, por jo thjesht në funksion të detyrës, por edhe si lexuese e poezisë. “Patjetër është ndër ato momentet e takimeve që të rimblidhemi, është një takim i bukur i poezisë shqip. Prej kohësh e kemi vënë theksin se duam gjithnjë e më tepër të incetivojmë prezencën e gjuhës shqipe edhe në art e kulturë dhe më vjen mirë që gjithmonë kemi dashamirës që na afrohen, që na mbështesin, yjet tanë të kinemasë që janë gjithnjë prezent për t’ia shtuar edhe më shumë sharmin mbrëmjeve tona”.
Mbremje poetike ne Tirane- foto Elva Margariti
Artistët e skenës intepretuan para të ftuarve pjesë nga poezitë më të bukura të poezisë shqipe të poetëve të kohëve të ndryshme. Sarajet e Toptanasve, të mbuluar nga dritat dhe projeksionet sollën për publikun konturet e pasurisë kulturore, mes bukurisë së vargjeve dhe këngës.
21 marsi, që nga viti 1999 është shpallur nga UNESCO Dita Botërore e Poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike. Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë është bërë edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.
Ndërsa në kohët antike në Greqinë e lashtë poemat e Homerit mësoheshin përmendësh dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike, tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor. Në këtë mënyrë UNESCO kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura etj. e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë.
Mbremje poetike ne Tirane te Sarajet- foto Elva Margariti
Dita Botërore e Poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private, duke përfshirë këtu, shkolla, bashki, muze, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj.
Në takimin e mbrëmjes poetike, aktorët u bënë protagonistë të fjalës dhe të poezsë. Ata jo vetëm që interpretuan, por shprehën edhe refleksionet e tyre për poezinë. Ndër ta, aktori Ndricim Xhepa vlerësoi takimin poetik, e mbi të gjitha forcën e poezisë që vjen prej poetëve tanë më të mirë.
“Si dita e poezisë është vërtet këndshëm që të mblidhet një grusht poezish të mira, si Rreshpja, Poradeci, Kuteli, etj…Dhe po ta vësh re ishin të gjitha poezi që shkonin, lidheshin, si gurët e një gjerdani, të pastra, të bukura, gjithë ndjenjë, gjithë poezi, gjithë dashuri me njera-tjetrën. Prandaj ne eliminuam edhe titujt për t’u quajtur si një gamë e plotë që rrjedh vetë. Meqë është Ditë Botërore, pse mos të ketë edhe vendi ynë një aktivitet të tillë, të këndshëm”!
Aktorja Yllka Mujo- foto Elva Margariti.jpg
Vlerësim për mbrëmjen poetike dha edhe aktori Viktor Zhusti , duke nënvizuar idenë se organizimi i mbrëmjeve të tilla, ndikon pozitivisht në jetën kulturore të kryeqytetit.
“Ndikojnë në atë që njeriu, krahas gjërave të zakonshme, kultivohet edhe me një shije të mirë”, - shpreh ai.
Ndërkohë aktori Kastriot Çaushi vlerësoi se poezia është një gjini që gjendet më afër së vërtetës dhe si e tillë ndikon shumë.
“Poezia është një gjini më afër së vërtetës, më afër shpirtit, është më afër asaj që ti e shikon, largohet, por vjen prap. Është një dashuri e rikthyer tek unë. E kam dashur që student poezinë, pati një periudhë shkëputjeje, tani më është rikthyer si një dashuri e vjetër, e humbur, por që tani e vlerësoj shumë dhe e dua shumë. Më është bërë pjesë e gjithë qënies sime”.
Mbrëmja poetike u shoqërua edhe me tingujt e muzikës, të interpretuara nga mexosopranoja e njohur Vikena Kamenica, që përmes vargjeve të poezisë emocionoi publikun:
“E lumtur për ftesën që mu bë nga Ministria e Kulturës për të qenë pjesë e kësaj mbrëmjeje. Natyrisht vija me poezitë që kanë inspiruar, kanë frymëzuar këngë shumë të bukura nga kompozitorë të njohur shqiptarë, mund të them Ardit Gjebrea, Pirro Çako, të cilët kanë dhënë sharmin etyre në fonotekën e muzikës së lehtë shqiptare”.
“Dita Botërore e Poezisë”, është rasti për të nderuar poetët, për të promovuar leximin, për të ndikuar te njerëzit që ata të bëhen më të mirë përmes leximit dhe shijimit të poezisë.
Neritana Kraja
Aktori Viktor Zhusti ne interpretim- foto Elva Margariti
Aktori Ndërtim Xhepa- foto Elva Margariti