Sidita Llukaj (Foto personale)
Sidita Llukaj ka kryer studimet për aktore në Firence të Italisë. Ajo është larguar nga Shqipëria në moshën 9 vjeçare ku bashkë me familjen e saj nisën një jetë të re në shtetin fqinj. Kinematografia ka qenë pasion për Siditën që në fëmijëri dhe ajo ndoqi rrugën e saj duke u bërë pjesë e botës së bukur të kinemasë në Itali dhe Shqipëri. Sidita ka luajtur filma përkrah aktorëve italianë dhe së fundi është kthyer në Shqipëri ku ka marrë pjesë në një film të regjisorit Edmond Topi,duke interpretuar përkrah emrave të njohur të kinemasë dhe teatrit shqiptar. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për jetën e saj artistike në Itali si dhe projektet në lidhje me kinemanë.
CMG: Kur jeni larguar në Itali dhe si u integruat me jetën atje?
Sidita Llukaj: Fillimisht ka ikur babai në Itali dhe ne kemi ndenjur pothuajse 4-5 vite pa atë, pastaj bëmë një bashkim familjar dhe kemi ikur në Itali. Unë kam qenë 9 vjeçe në klasën e tretë dhe në atë kohë Italia ka pasur një situatë të mirë sociale sepse me vite ka ndryshuar shumë. Ka qenë një situatë shumë e bukur dhe unë nuk jam ndjerë kurrë sikur isha e huaj sepse njerëzit ishin shumë të dashur, ngaqë isha dhe fëmijë. Jam integruar shumë shpejt, kam mësuar gjuhën shumë shpejt sepse kam pasur dhe një mësuese që mi shpjegonte mirë fjalët. Unë e mësova shumë shpejt italishten sepse normalisht kur je fëmijë gjuhët mësohen shpejt.
CMG: Si kanë qenë momentet e para të vazhdimit të shkollës në Itali?
Sidita Llukaj: Unë kam qenë gjithmonë një vajzë që më pëlqente të studioja dhe babai kishte shumë dëshirë që unë të bëhesha ekonomiste për të punuar në bankë ku dhe kam punuar, por me kalimin e kohës mora disa rrugëtime të tjera të jetës. Unë kam ndjekur aktrimin një rrugëtim shumë i bukur dhe emocional sepse unë kam sakrifikuar shumë që të bëhesha aktore. Kam punuar në dy punë. Zgjohesha në orën tre të mëngjesit ngaqë jetonim në periferi dhe ishte tre orë e gjysëm larg qytetit të Firences ku kam studiuar. Pra kam bërë dy punë vetëm që të studioja për kinematografi. Unë i kam marrë të gjitha bazat e studimeve sepse më pëlqejnë që nga montazhi i filmit, videot dhe çdo gjë që ka lidhje me kinemanë.
Sidita Llukaj ne momente pune (Foto personale)
CMG: Kanë qenë dakort prindërit që të bëheshit aktore?
Sidita Llukaj: Babai ka qenë kundër dhe më thoshte që ishte më mirë që të punoja në bankë. Ai më thoshte që unë isha e shkëlqyer në matematikë, dhe kam mbetur pak keq të them të drejtën por me kalimin e kohës kur i tregova që të vinte në kinema në Firence dhe të më shikonte në film, ai është ndjerë shumë krenar që vajza e tij mori rrugëtimin në art. Babai im ka qenë aktor teatri dhe besoj se ka qenë një mbështetje për mua ngaqë isha vajzë, por pastaj e kuptoi që ishte dëshira ime dhe më mbështeti.
CMG: Mendoni se ëndrra për t’u bërë aktore do të të ishte realizuar edhe në Shqipëri?
Sidita Llukaj: Sigurisht që po, sepse e ndjej brenda vetes që edhe po të isha në Shqipëri do bëhesha aktore sepse vjen vetë jeta dhe të bën të kuptosh se çfarë dorealisht. Edhe pse kam punuar punë të ndryshme në Itali, por erdhi prapë rrugëtimi im në art dhe besoj që edhe në Shqipëri do të vinte.
CMG: Keni luajtur në disa filma me metrazh të shkurtër në Itali përkrah aktorëve italianë. Si kanë qenë këto eksperienca?
Sidita Llukaj: Filmin e parë që kam realizuar ka qenë me metrazh të shkurtër dhe më ka përzgjedhur mësuesi i shkollës pas tre muajve që kisha nisur studimet. Besoj se i dhashë një perceptim sikur isha e sigurtë dhe ai më tha që kishte dëshirë të bënte një film me mua. Nuk më pëlqen ta shikoj veten sepse analizoj shumë, nuk më pëlqen zëri apo gjëra të tjera, por me kalimin e kohës e kam mësuar ta shikoj ndryshe veten time dhe ta përmirësoj kur bëj disa gabime, sepse duhet ta shikosh veten për të kuptuar se ke gabuar.
Sidita llukaj me aktoren Tinka Kurti (Foto personale)
CMG: Përveçse në kinema a keni luajtur edhe në teatër?
Sidita Llukaj: Teatri ka qenë gjithmonë një pjesë e imja sepse unë në Itali që në moshë të vogël kam bërë teatër shumë, por pastaj jam marrë më shumë me sportin. Unë mendoj se të jesh në teatër dhe të bësh kinema janë dy gjëra të ndryshme, prandaj mendoj të bëj më shumë kinema sesa teatër sepse recitimet janë të ndryshme. Kinemaja ka më shumë natyralitet, perfeksionizëm dhe je në kontakt me një publik shumë të madh dhe të hapur.
CMG: Filmi që ju keni luajtur në Itali është shfaqur para disa kohësh në disa qytete të Shqipërisë, gjatë kinemasë verore. Cilat kanë qenë përshtypjet e publikut shqiptar kur e kanë parë filmin?
Sidita Llukaj: Gjatë verës mendoja se si do të pritej filmi im sepse e përkthyem në shqip dhe ishte një temë shumë delikate përsa i përket depresionit, por publiku e priti shumë mirë. Unë u ndjeva e emocionuar sepse ishte hera e parë në Shqipëri dhe ëndrra ime u bë realitet në vendin tim dhe vërtetë ka qenë një kënaqësi e madhe.
CMG: Së fundi keni marrë pjesë në një film të regjisorit Edmont Topi, ku luani përkrah emrave të mëdhenj të kinemasë shqiptare. Na tregoni rreth këtij projekti?
Sidita Llukaj: Së pari dua të falenderoj shumë Edmond Topin dhe bashkëshorten e tij Mirela Oktrova, sepse janë dy persona shumë të dashur dhe shumë profesionistë përsa i përket kinematografisë. Në këtë film jam ndjerë shumë mirë sepse kam qenë pranë Zyliha Milotit dhe kam qeshur shumë kur kam pasur disa skena me të. Gjithashtu në këtë film ka qenë Tinka Kurti, një zonjë që është diva e kinemasë. Unë nuk kam qenë në Shqipëri, por e di që ka bërë shumë filma dhe ndjehesha me shumë emocione afër Tinkës, një grua plot dashuri. Aktorët e tjerë ishin Karafil Shena dhe shumë të tjerë dhe vërtetë jemi ndjerë si një familje sepse ishim edhe prej Shkodre, ndaj u ndjeva sikur të ishim një familje e madhe me këto aktorë tepër të thejshtë.
Sidita llukaj me aktoren e humorit Zyliha Miloti (Foto personale)
CMG: Cili ishte roli juaj në film dhe si u përshtate me të?
Sidita Llukaj: Roli im ishte një doktoreshë e re dhe të them të drejtën për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në një film ku flisja shqip dhe kisha frikërat e mia sesi do flas dhe si do pritem. Unë u kënaqa sepse ndjeva një emocion jashtë mase të bukur, ku thashë me vete që edhe në gjuhën time ja arrita të luaj film. Unë të them të drejtën në gjuhën italiane isha shumë më e sigurtë ngaqë jam rritur atje sepse kam aksent sikur jam lindur në Itali, por kur erdha këtu ju përshtata shumë mirë rolit dhe u ndjeva shumë mirë brenda vetes.
CMG: Në Itali ju keni studiuar edhe për komponentët e tjerë të filmit si montazhi dhe video, ku tashmë jeni një profesioniste e kompletuar.
Sidita Llukaj: Unë kam bërë katër vite për aktrim dhe në vitin e parë isha shumë kureshtare sepse kur fillon ky rrugëtim nuk ka rrugë tjetër dhe ti arrin pastaj të bëhesh kameramane, montazhiere dhe skenariste sepse është bota e kinemasë vetë që të mëson. Unë kisha shumë kuriozitet ndaj kameras sepse qëndroja afër mësuesit. Ai kur realizonte një film më thoshte të shkoja ta ndihmoja dhe isha asistente regjie e tij. Unë thosha se pse mos ta mësoj edhe kamerën apo montazhin dhe qëndroja gjithmonë afër mësuesit edhe kur bënte montazhe. Pastaj me kalimin e kohës i kam perfeksionuar këto gjëra me montazh, video dhe mendoj se kinemanë duhet ta duash plotësisht sepse nuk arrin ndryshe.
CMG: Jeni rritur dhe shkolluar në Itali, por vitet e fundit jeni rikthyer në Shqipëri. Mendoni se mund të keni sukses si aktore edhe këtu?
Sidita Llukaj: Unë besoj se çdo gjë arrihet me saktificë dhe duhet kohë. Normal që nëse ti sakrifikon diçka arrin, nëse ti nuk bën asgjë atëhere nuk arrin asgjë. Unë mendoj që Shqipëria ka pasur dhe ka kinematografi ku ndër vite janë bërë shumë filma, kështu që shpresoj se mund të bëj filma edhe këtu në Shqipëri. Shqipëria ka shumë aktorë të mirë dhe uroj që edhe studentët që mbarojnë universitetin t’u jepet mundësia për të pasur një shpresë edhe këtu.
CMG: Midis teatrit dhe kinemasë kë do zgjidhje?
Sidita Llukaj: Sigurisht kinemanë sepse unë jam një karakter që e dashuroj kinemanë dhe mbi të gjitha natyraliteti kur recitoj më bën të ndjehem mire dhe më pëlqen t’u jap emocione të tjerëve. Unë kam punuar shumë dhe në teatër, por preferoj më shumë kinemanë.
Sidita Llukaj ne interviste per CMG
CMG: Ju e keni mësuar shumë mirë gjuhën italiane. Kur luani në film e keni më të lehtë në gjuhën shqipe, apo italiane?
Sidita Llukaj: Të them të drejtën kur flas italisht më duket sikur është gjuha ime. Unë kam marë pjesë në disa filma në Itali dhe
nuk jam ndjerë keq. Ndërkohë që për gjuhën shqipe më është dashur pak kohë që të hiqja dialektin dhe mundohem sepse kam shumë vite jashtë shtetit.
CMG: Do të kthehesh në Itali nëse do të merrje ftesë për të luajtur në ndonjë film?
Sidita Llukaj: Kohët e fundit më është ofruar një film ku unë jam protagoniste dhe sigurisht që do të marr pjesë sepse regjisori nuk e ka realizuar filmin ngaqë unë u largova në Belgjikë dhe më vonë erdha në Shqipëri. Ai është një regjisor i njohur në Itali dhe ka dëshirë që ta realizojmë këtë film dhe mezi po pres. Besoj se nga dimri do të realizohet ky film.
CMG: Po në Shqipëri keni plane për ndonjë projekt tjetër në lidhje me kinemanë?
Sidita Llukaj: Kam pasur ftesa por që ngaqë kemi mbaruar xhirimet e filmit të fundit do të shikojmë në të ardhmen.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Sidita Llukaj: Unë ju falenderoj dhe shpresoj që sa më shpejt të më shikoni në projekte të reja dhe t’ju dhuroj sa më shumë emocione.
Intervistoi: Gazmend Agaj