Rruga e Kinës drejt modernizimit të shoqërisë
2023-03-27 16:40:57

Në takimin që u mbajt në Pekin në 15 Mars, Presidenti Xi ka propozuar të avancohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përtëritja e madhe e kombit kinez në të gjitha frontet përmes rrugës kineze drejt modernizimit. Kina do të vazhdojë të ndjekë rrugën e saj të modernizimit drejt një zhvillimi ekonomik me cilësi të lartë, si dhe promovimit dhe prosperitetit global. Modernizimi i sistemit industrial do të mundësojë një ofertë për më shumë produkte të prodhuara, si dhe rritjen e kërkesës për treg të ekonomisë kineze. Kina do të mbështesë dhe ndihmojë vendet në zhvillim në përpjekjet e tyre për zhvillim më të shpejtë, për industrializimin dhe modernizimin e tyre, që të arrihet një zhvillim i përbashkët. Karakteristikat e modernizimit të vendit janë modernizimi i popullsisë, prosperiteti për të gjithë, avancimi material dhe kulturor, harmonia e njerëzve me natyrën si dhe e zhvillimi paqësor.

VCG

VCG

Së pari, rruga kineze drejt modernizimit është vetë modernizimi i një popullsie të madhe. Popullsia e Kinës është rritur nga 987 milion në vitin 1980, në 1.4 miliard në vitin 2022. Kina ka një të tretën e popullsisë së botës, 56 kombësi dhe grupe etnike me një territor të gjerë, me dallime dhe diversitet të jashtëzakonshëm. Kompleksiteti dhe vështirësia e realizimit të modernizimit në një vend të tillë mbetet një realitet nisur nga fakti që ka qenë një vend krejtësisht i varfër, i shkatërruar nga lufta, me një histori gjysmë kolonie në një shekull të tërë. Krahasuar me shumicën e vendeve të tjera, procesi i modernizimit të Kinës ka qenë padyshim i suksesshëm me arritje të mëdha në shumë aspekte. Të ardhurat për banorë në vitin 1980 vlerësohen në 307 USD,  ndërsa në vitin 2022 të ardhurat kanë arritur në 12 970 USD për banorë. Nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme, Kina ka zhdukur varfërinë absolute dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në kauzën globale të zhdukjes së varfërisë. Nxerrja nga varfëria nuk është vija e fundit, por pika e fillimit të një jete të re dhe përpjekjeve të reja, duke kërkuar më shumë përpjekje për të konsoliduar dhe zgjeruar arritjet e vendit në zbutjen e varfërisë. Sfida e vendit do të jetë vendosja e një kufiri të ri të nivelit të varfërisë, si dhe përpjekjet për të konsoliduar rezultatet e zbutjes së varfërisë dhe për të parandaluar në mënyrë efektive që njerëzit të bien përsëri në varfëri.  Këto arritje ofrojnë një referencë të dobishme për qeverisjen e sotme globale. Modernizimi i Kinës po bën që 1.4 miliardë njerëz të jetojnë një jetë dinjitoze, gjë që është një kontribut i rëndësishëm edhe për zhvillimin botëror.

VCG

VCG

VCG

Së dyti, rruga kineze drejt modernizimit është modernizimi i prosperitetit të përbashkët për të gjithë. Sistemi i shpërndarjes së të ardhurave mbetet themelor për promovimin e prosperitetit të përbashkët. Filozofia e qeverisjes kineze është që "vendi është populli dhe populli është vendi", një shprehje e gjallë e vendosjes së njerëzve në qendër të politikave ekonomike dhe sociale. Prosperiteti i përbashkët është kërkesa thelbësore e sistemit qeverisës, dhe hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është i papranueshëm.  Ritmet e larta të rritjes ekonomike kanë mundësuar rritjen e harmonizuar të të ardhurave të disponueshme dhe ngushtimin e diferencës ndërmjet të ardhurave të zonave rurale krahasuar me ato urbane. Ndërsa në vitin 1978 të ardhurat e disponueshme për banorë vlerësohen në 171 Yuan, në vitin 2020 llogariten në 36 883 Yuan. Të ardhurat e disponueshme për banorë në zonat urbane janë rritur nga 343 Yuan në vitin 1978 në 49 283 Yuan në vitin 2022. Ndërsa të ardhurat e disponueshme për banorë në zonat rurale janë rritur nga 134 Yuan në vitin 1978 në 20 133 Yuan në vitin 2022. Në periudhën afatgjatë, raporti i të ardhurave të disponueshme të zonave urbane ndaj zonave rurale, nuk ka krijuar rritje të hendekut, por përkundrazi, ka një ulje të raportit të të ardhurave urbane në raport me të ardhurat rurale. Nga 2.56 në vitin 1978, raporti në vitin 2022 është ngushtuar në 2.44. Kina jo vetëm që i është përkushtuar  përtëritjes së  kombin kinez, por gjithashtu po i kushton vëmendje përparimit njerëzor dhe harmonisë së vendeve të tjera.

VCG

Së treti, rruga kineze drejt modernizimit është jo vetëm avancimi material, por dhe avancimit kulturor dhe etik. Bollëku material është një pjesë e rëndësishme e modernizimit. Ajo shërben si një bazë për Kinën për të ndërtuar një vend me një ekonomi moderne në të gjitha aspektet. Por rritja e prosperitetit material nuk është i gjithë modernizimi i vendit. Eksperienca e zhvillimit të vendit ka treguar se rritja ekonomike e qëndrueshme dhe rritja e të ardhurave të popullsisë urbane dhe rurale, është harmonizuar me urbanizimin e  shpejtë të vendit, me rritjen e   fuqisë punëtore urbane në raport me fuqinë punëtore rurale, me zhvillimin intensiv të bujqësisë, me zhvillimin njerëzor si dhe rritjen e shkallës së arsimimit dhe kujdesit shëndetësor. Rruga kineze drejt modernizimit ndjek bashkërendimin e qytetërimit material dhe shpirtëror, pas të cilit qëndron humanizmi dhe kujdesi social. Prioritet për zhvillimin njerëzor do të jenë jo vetëm rritja e mirëqenies materiale, por rritja e mirëqenies në tërësi me anë të garantimit të strehimit, barazisë arsimore, shërbimeve mjekësore cilësore, përkujdesjes për të moshuarit, mbështetjes së lindjes së fëmijëve, kontrollit të sigurisë në punë dhe parandalimit të pasojave të fatkeqësive. 

VCG

VCG

Së katërti, rruga kineze drejt modernizimit është modernizimi i harmonisë midis njerëzimit dhe natyrës. Një vështrim i përgjithshëm i historisë së modernizimit njerëzor  tregon se dëmtimi i mjedisit ekologjik i shkaktuar nga industrializimi dhe urbanizimi është një shqetësim që ka prekur vendet në nivel global. Gjatë dhjetë viteve të fundit, Kina ka pësuar ndryshime historike në mbrojtjen e mjedisit dhe ka frenuar shkatërrimin e mjedisit ekologjik. Kina është e përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe bën përpjekje të mëdha për të zhvilluar një ekonomi me nivele të ulëta karboni, me synimin që dioksidi i karbonit të arrijë kulmin dhe neutralitetin. Kina do  të vazhdojë tranzicionin drejt zhvillimit të gjelbër, duke synuar ristrukturimin e koordinuar industrial, reagimin ndaj klimës, uljen e emetimeve të karbonit për të reduktuar ndotjen, dhe për të zgjeruar zhvillimin e gjelbër. Një rëndësi me përparësi do t’i jepet mbrojtjes ekologjike, ruajtjes së burimeve të gjitha llojeve dhe përdorimit të tyre në mënyrë efikase, si dhe vendosjes së një sistemi për riciklimin e mbetjeve dhe materialeve të përdorura.   Kina mbetet e përkushtuar në zbatimin e  parimeve të Konventës së OKB-së për ndryshimet klimatike dhe të Marrëveshjes së Parisit, për përmirësimin e qeverisjes globale mjedisore.

Së pesti, rruga kineze drejt modernizimit është modernizimi i zhvillimit paqësor. Zhvillimi paqësor është në përputhje me interesat themelore të Kinës. Një nga detyrat themelore të diplomacisë kineze është krijimi i një mjedisi të mirë të jashtëm për zhvillimin e saj. Kina mbron paqen, zhvillimin, bashkëpunimin dhe përfitimin reciprok dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që së bashku të ndërtojnë një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Njëkohësisht ajo mbetet e gatshme për të dhënë kontributin e saj në qeverisjen globale, duke ndarë rezultate të reformës dhe duke promovuar iniciativa për bashkëpunim midis saj dhe vendeve të tjera.  Koordinimi ndërkombëtar për zhvillim përfshin bashkëpunimin Veri-Jug, bashkëpunimi i Kinës me vendet e Afrikës, etj. Gjithashtu brenda këtij koncepti Kina po zhvillon iniciativën e “Një Brez, një Rrugë”, “Iniciativa e Zhvillimit Global” , “Iniciativa e Sigurisë Globale ” etj. Këto iniciativa janë një shtrirje e natyrshme e konceptit të prosperitetit të përbashkët.

Historia e zhvillimit të Kinës dëshmon se zhvillimi paqësor është një rrugë plotësisht e aksesueshme drejt modernizimit. Rruga kineze drejt modernizimit është një rrugëtim që liderët e vendit janë të përkushtuar ta avancojnë.

Prof. Dr. Petraq Milo