Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit në 3 për qind
2023-03-27 09:28:45

Banka (Foto vox news Albania)

Banka (Foto vox news Albania)

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke iu kthyer normalizimit monetar pas një pauze afërsisht katërmujore. Norma bazë e interesit ka arritur në nivelin 3%, niveli më i lartë që prej fundit të vitit 2013. Guvernatori Gent Sejko tha se megjithëse inflacioni ka vijuar rënien gjatë muajve të fundit, presionet inflacioniste ngelen të larta, duke iu referuar sidomos niveleve rekord të inflacionit bazë dhe sinjaleve nga tregu i punës.

“Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare. Në linjë me komunikimet tona të mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se ky vendim është një hap i nevojshëm për të garantuar kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto afatgjata sa më të ulëta mbi ekonominë shqiptare. Duke faktorizuar trendet e brendshme ekonomike dhe financiare, zhvillimet e pritura në tregjet botërore, si dhe lëvizjen e sotme të politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se rritja ekonomike do të vijojë të mbetet në territor pozitiv ndërsa inflacioni do të zbresë gradualisht drejt objektivit gjatë vitit të ardhshëm.” – tha Sejko.

Guvernatori Gent Sejko (Foto Euronews Albania)

Guvernatori Gent Sejko (Foto Euronews Albania)

Guvernatori Sejko u ndal më në detaje tek ecuria e inflacionit.

“Inflacioni shënoi rënie gjatë dy muajve të parë të vitit, duke shënuar vlerat respektive prej 7.2% dhe 7.1% në muajt janar dhe shkurt. Trendi rënës i inflacionit, i nisur që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, ishte në përputhje me pritjet tona. Megjithatë, niveli i inflacionit në dy muajt e parë të vitit ishte në kahun e sipërm të pritjeve. Në këndvështrimin e shportës, rënia e inflacionit u diktua nga një rritje më e ngadaltë vjetore e çmimeve të naftës dhe të ushqimeve, në linjë dhe me tendencat e vëna re në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i lartë dhe i qëndrueshëm.”- u shpreh guvernatori.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në këndvështrimin makroekonomik, kjo ecuri u diktua nga reduktimi i inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të mbeten të larta.

“ Këto presione ushqehen nga kërkesa e lartë për mallra e shërbime, nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe nga pritjet e agjentëve ekonomikë për rritje të mëtejshme të çmimeve.Informacioni i disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në tremujorin e katërt të vitit të shkuar dhe tremujorin e parë të vitit aktual. Rritja e kërkesës agregate është bazuar në zgjerimin e konsumit familjar, të investimeve private e publike, si dhe të eksporteve të mallrave të shërbimeve. Kjo dinamikë është mbështetur nga rritja e të ardhurave të disponueshme, nga përmirësimi i besimit të biznesit e të familjeve, nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, si dhe nga kushtet ende stimuluese financiare.”- theksoi Sejko.

Banka e Shqiperise (Foto Shqiptarja.com)

Banka e Shqiperise (Foto Shqiptarja.com)

Sipas Bankës Qëndrore, zgjerimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm i kërkesës agregate ka sjellë një shfrytëzim gjithnjë e më të lartë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë shqiptare. 

“Vlerësimet tona sugjerojnë se kërkesa agregate për mallra e shërbime ka shënuar një rritje më të shpejtë se potenciali prodhues i ekonomisë shqiptare. Ky konkluzion pasqyrohet në normat historikisht të larta të shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin privat, nga rritja e vazhdueshme e punësimit, nga rënia në nivele minimale historike e normës së papunësisë, si dhe nga rritja e shpejtë e pagave në sektorin privat.”, tha ai

Sipas analizës paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 14% në terma vjetorë gjatë tremujorit të fundit të vitit të shkuar. 

“Kjo rritje ka mbështetur zgjerimin e të ardhurave të disponueshme të familjeve shqiptare, ka ushqyer zgjerimin e konsumit familjar si dhe ka ndihmuar qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike. Megjithatë, nga ana tjetër, ajo ka rritur kostot e prodhimit të biznesit dhe ka lehtësuar përcjelljen e rritjes së çmimeve nga tregjet e huaja në ekonominë vendase.”

Sipas Bankës Qëndrore inflacioni pritet të shënojë rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet në objektiv gjatë mesit të vitit të ardhshëm. Po ashtu, rritja ekonomike pritet të qëndrojë në territor pozitiv, ndonëse ritmi i rritjes parashikohet të shënojë një ngadalësim të lehtë gjatë vitit aktual.

“Këto projeksione janë të kushtëzuara nga: materializimi i pritjeve të tregjeve ndërkombëtare për një reduktim progresiv të inflacionit dhe një frenim të përkohshëm të ritmit të rritjes në partnerët tanë tregtarë; materializimi i pritjeve tona për ruajtjen e një ambienti të qëndrueshëm dhe ende stimulues financiar në vend; materializimi i projeksioneve të buxhetit për ngadalësimin e ritmit të konsolidimit fiskal gjatë vitit; si dhe nga, një lëvizje e mëtejshme drejt normalizimit të qëndrimit të politikës monetare në mbledhjen e sotme.”- shprehet Guvernatori.

Banka e Shqipërisë vëren se normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare është një hap i nevojshëm për të siguruar stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit. Gjithashtu Banka e Shqipërisë vendosi në mbledhjen e fundit të rrisë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.75% në nivelin 4.00% dhe të rrisë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.75% në nivelin 2.00%.