Putin dhe Erdogan diskutuan me telefon partneritetin ruso-turk
2023-03-27 11:41:52

Putin dhe Erdogan në tetorn e vitit 2022 (Foto nga VCG)

Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi tema në lidhje me partneritetin ruso-turk në fusha të ndryshme gjatë një bisede telefonike me homologun turk Rexhep Tajip Erdogan, njofton “Xinhua”.

“Të dyja palët shprehën kënaqësinë për dinamikën pozitive të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike, zbatimin e suksesshëm të projekteve të përbashkëta strategjike të inxhinierisë energjetike, duke përfshirë furnizimin me gaz, dhe ndërtimin e termocentralit bërthamor Akkuyu në Turqi”,- thuhet në një deklaratë të Kremlinit.

Sipas deklaratës, presidenti Erdogan shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën që ka dhënë Rusia në tejkalimin e pasojave të tërmeteve në Turqi. Po ashtu theksohet se dy presidentët ranë dakord të vazhdojnë punën për dërgimin e mundshëm të materialeve të ndërtimit nga Rusia për të rivendosur infrastrukturën e shkatërruar dhe ndërtesat e banimit.

“Udhëheqësi turk vlerësoi pozitivisht pëlqimin e Rusisë për të zgjatur Marrëveshjet e Stambollit, të cilat kanë të bëjnë me eksportin e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi dhe zhbllokimin e eksporteve të ushqimit dhe plehrave ruse për 60 ditë”, thuhet në deklaratë. (Fatosi)