INSTAT: Numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri, rritje me 73.7%
2023-03-26 17:40:09

Aeroporti i Rinasit (Foto Telegraf.al)

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë dymujorit të parë të këtij viti shënoi rritje me 73.7%, duke arritur 686.536, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Raporti i INSTAT-it mbi lëvizjen e shtetasve tregon se numri i të huajve që kanë deklaruar se kanë vizituar Shqipërinë për pushime gjatë 2-mujorit të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rrit me 54.3%, duke arritur në 630 mijë, ndërsa për qëllime biznesi dhe profesionale udhëtuan drejt vendit tonë 31.271 shtetas të huaj, përcjell “ATSH”.

Gjatë periudhës janar-shkurt, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është ai i Europës me 666.314 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 13.301 dhe 2671 shtetas. (Irma)