Balluku: Diversifikim i burimeve për t’u kthyer në vend eksportues energjie
2023-03-26 11:53:15

Belinda Balluku (Foto Atsh)

Belinda Balluku (Foto Atsh)

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur se qeveria ka tashmë strategjitë që do ta bëjnë vendin eksportues neto të energjisë brenda vitit 2030.

Balluku theksoi se investimet e kryera deri tani e kanë çuar nivelin e humbjeve teknike në rrjet në 19.7% në vitin 2022, bën të ditur “ATSH”.

Sipas Ballukut, në vitin 2013 humbjet teknike në rrjet ishin 45 %.

Zv/kryeministrja u shpreh se qeveria ka tashmë një strategji për zhvillimin e sektorit energjetik, ashtu sikundër ka edhe strategjinë për diversifikimin e burimeve të energjisë.

“Viti 2022 na ka treguar edhe një herë se sot siguria energjetike është prioritet. Qeveria përmes mirëmenaxhimit të kaskadës së Drinit, pavarësisht një viti të thatë, dhe mirëmenaxhimit të importeve, ia doli të ofrojë shërbim të pandërprerë për qytetarët, pa rritur çmimin. Treguam se dimë të menaxhojmë kriza, ashtu siç bëmë me tërmetin dhe pandeminë“, tha ajo.

Sipas Ballukut, me anë të kësaj strategjie synohet që në vitin 2029 të krijohen kapacitete të reja shtesë të prodhimit me 4 terravat, duke e bërë Shqipërinë eksportuese dhe jo importuese.

Zv/kryeministrja bëri të ditur se synimi përmes investimeve dhe vendosjes së matësave smart është që niveli i humbjeve teknike të shkojë në nivelet që kanë sot vendet e BE-së.

Sipas saj, ka nisur puna për të vendosur matësat inteligjentë në të gjitha nënstacionet dhe kabinat e shpërndarjes. “Fillimisht do të vendosen në mbi 26 500 kabina e nënstacione dhe më pas do të vendosen në çdo abonent e biznes për të përmbyllur një etapë të rëndësishme që do të ndikojë në uljen e humbjeve”, u shpreh ajo. (Irma)