Roberta Kaçaj është këngëtare e njohur me një karrierë të gjatë në fushën e muzikës. Ajo ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike, duke interpretuar mjeshtërisht në disa zhanre të muzikës shqiptare. Gjithashtu ajo ka interpretuar këngë popullore nga të gjitha trevat e vendit, duke u bërë një artiste unike përsa i përket muzikës së mirëfilltë popullore. Roberta ka nxjerrë dhe shumë artistë të rinj që sot janë nga këngëtarët më në zë të muzikës shqiptare dhe vazhdon akoma punën si mësuese muzike për të përgatitur brezin e talentëve të rinj në muzikë. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për fillimet e saj në muzikë si dhe aktivitetet artistike ku ka marrë pjesë.
Roberta Kacaj ne skene duke kenduar (Foto personale)
CMG: Si ka nisur rrugëtimi rrugëtimi juaj me muzikën?
Roberta Kaçaj: Unë kam filluar të këndoj qëkur kam qenë në kopësht, pavarësisht se në shtëpi këndoja. Pastaj në shkollë sapo fillova klasën e parë pata fatin që të kisha një mësuese shumë të mirë që ishte dhe artiste Luxhina Mlloja dhe më ka frymëzuar më shumë për të ecur në rrugën e muzikës. Ajo duke e parë talentin tim më ka angazhuar nëpër festivale të ndryshme dhe në festivalin kombëtar të Shkodrës, atëhere kur në qytetin tim të Lezhës nuk kishte shtëpi pioneri, por thanë se pse mos të shkoja në festivalin e Shkodrës sepse e meritoja. Kështu që mora pjesë në festivalin e Shkodrës, ku punova me të madhin Prenk Jakova. Kam pasur fatin e mirë sepse kam takuar dishepujt e muzikës sepse edhe genin e kemi po nga muzika. Dëshira ime u rrit më shumë për të shkuar në lice për piano edhe pse prindërit nuk më linin se isha pak e dobët nga shëndeti. Mami më thoshte që të shkoja në shkollën e mesme meqë unë kisha qejf të këndoja, dhe si përfundim shkova në shkollën e mesme, por atëhere ishte mbyllur liceu sepse kishte shumë prurje dhe u la një hapësirë në shkollën e muzikës që ndodhej në Kombinat.
Unë kisha dëshirë që të shkoja në lice dhe e lashë. Kështu që bëra gjimnazin në Lezhë dhe pastaj shkova në konservator ku konkurova për kanto dhe fitova.
CMG: Pra edhe pse ju nuk kishit mbaruar një shkollë të mesme muzike, falë talentit arritët të fitonit konkursin në Akademinë e arteve?
Roberta Kaçaj: Kjo ishte ajo që më inkurajoi dhe më mbushi plot shpirtin me atë dashuri të madhe që isha rritur për muzikën dhe për kanton. Unë kisha referencat e mia si Marije Kraja, Tefta Tashko, Luçije Miloti, Bik Ndoja si dhe Vaçe Zelën. E mbaja fotografinë e Vaçes poshtë jastëkut sepse i këndoja të gjitha këngët e saj të muzikës së lehtë. Unë kam kënduar edhe këngë popullore, por dhe muzikë të lehtë dhe moderne në atë kohë. Kjo gjë më bëri që mos t’i ndahem kësaj rruge dhe erdha në Tiranë dhe fitova. Kështu që kur mbarova shkollën më caktuan me punë në Opera, ku në ansamblin e shtetit bëja recital me këngë popullore dhe klasike. Pastaj më vonë për disa arsye kalova në ansamblin e ushtrisë.
CMG: Ju në fëmijëri kishit dy pasione në muzikë, kanton dhe pianon dh zgjodhët të studionit për kanto.
Roberta Kaçaj: Unë zgjodha kanton sepse pianon duhet ta kisha bërë që në klasë të parë. Pinaon e kisha pasion, madje për këtë unë kam frymëzuar dhe fëmijët e mi ku vajzën e kam mësuese pianoje në lice. Ndërkohë që djalin e çova për violinë që në moshën katër vjeçare, dhe ai këtë e kërkoi vetë dhe nuk e shtyva unë. Që të dy vazhduan liceun dhe shkollën e lartë ku dolën shkëlqyeshëm.
CMG: Mund të themi që muzika në familjen tuaj është trashëguar brez pas brezi, ku tani keni krijuar një formacion të vogël muzikor.
Roberta Kaçaj: Po, dhe ne bëjmë ndonjëherë shaka dhe themi bëjmë një muzikë dhome apo një koncert të tre, por kohët e vështira nuk po na e mundësojnë.
CMG: Keni një jetë me muzikën, por njëkohësisht edhe në fushën e mësimdhënies, ku vazhdoni të jepni orë të kantos dhe pianos. Besoj se mësimdhënia është një tjetër pasion i juaji?
Roberta Kaçaj: Mësimdhënien e kam pasur pasion sepse kam pasur fatin që të kisha mësues si Gjergj Lacaj, Elvira Brati dhe shumë emra të tjerë të njohur. Unë e kam pasur dëshirë që atë që di vetë t’ja mësoj dikujt tjetër. Mëgjithëse isha vetë nxënëse në klasën e tetë, unë mësoja vëllain tim për të kënduar saqë mami më thoshte mos ma bëj dhe atë këngëtar. Vëllai filloi të këndojë sepse kishte një zë të bukur dhe ishte nxënësi im i parë, pra praktika ime e parë si mësuese. Kur këndoi për herë të parë bëri përshtypje në festivalin në Shkodër dhe herën e dytë u cilësua si zëri më i mirë në vend Arben Kaçaj, që sot jeton në SHBA.
Arbeni ka qenë një nga organizatorët e grupit “Djemtë e detit” dhe ka marrë pjesë edhe në festival bashkë me grupin, ku i binte tastierës. Unë kam vazhduar me mësimdhënien me kategori të ndryshme, qoftë me anën profesionale për të vazhduar për kanto apo për të hyrë në lice dhe Akademinë e Arteve. Kam pasur nxënës nga disa qytete të Shqipërisë. Gjithashtu kam punuar dhe për muzikën e lehtë për disa formate televizive si “Gjeniu i vogël” dhe “X-Factor” me talentet dhe një nxënësja ime Laura Xhipi ka fituar “Gjeniun e vogël”. Gjithashtu kam pasur nxënës Klajdi Dedja, Uendi Mancakun, Xhensila Myrtezajn, Soni Malajn si dhe Bora Zemanin, e cila e la kanton dhe vazhdoi studimet në një degë tjetër. Unë edhe sot kam një nxënëse 5 vjeçare që po e përgatis, dhe ka një zë të bukur që do ta nxjerr në një konkurs.
Roberta Kacaj me vellain e saj Arben Kacaj ne filmin Lume Drite (Foto personale)
CMG: Të gjithë këto emra që përmendët dhe që ju i keni pasur nxënës sot janë bërë artistë me emër. Ndjeheni e lumtur për këto arritje?
Roberta Kaçaj: Kjo është vërtetë kënaqësi sa herë më kontaktojnë nxënësit e mi dhe në ndojë rast më ftojnë dhe më urojnë. Kjo gjë më mbush shpirtin dhe unë them që ju kam dhënë zemër. Gjithashtu nxënëse kam pasur dhe Arilena Ara, e cila është një artiste e talentuar.
CMG: Ju keni dhe një histori të bukur që ka lidhje me kinezët, ku para shumë vitesh keni kënduar këngë kineze kur keni qenë në Lezhë. Cilat janë kujtimet që ruani me kinezët që ndodheshin në Lezhë?
Roberta Kaçaj: Kam kujtime shumë të bukura dhe kam pasur fatin të kisha mësues shumë të mirë jo vetëm të muzikës, por dhe letërsisë që unë e kisha shumë qejf. Një nga këto ka qenë mësuesja ime e gjeografisë Çlirime Duhani, e cila ka marrë pjesë në një koncert me ansamblin në Kinë ku qëndroi një muaj dhe mësoi shumë këngë kineze. Kur erdhi këtu dhe po na bënte mësim, i kishte thënë admonistrata e shkollës që kur të bëjmë një koncert për kinezët na i mëso Bertës një këngë kineze që të këndojë dhe ajo mi mësoi të gjitha.
Unë i kisha shumë qejf këngët kineze sepse ishte diçka ndryshe dhe e veçantë. Kinezët ishin në një pallat përballë me pallatin tim dhe kur i shihja në rrugë i përshëndesja në gjuhën e tyre. Unë kam kënduar këngë kineze shumë të bukura të asaj kohe dhe madje filmi shqiptar që është xhiruar në Lezhë “Lumë Drite” për elektrifikimin përfundimtar të Shqipërisë me muzikë të Avni Mulës e kemi kënduar unë bashkë me vëllain. Ky film është përkthyer në gjuhën kineze dhe kur e kam dëgjuar këtë gjë më ka ardhur mirë.
CMG: Si ishin reagimet e kinezëve kur ju dëgjonin ju duke kënduar këngët e tyre?
Roberta Kaçaj: Reagimet e tyre kanë qenë shumë interesante sepse ato më duartrokisnin, por ajo që më bëri përshtypje më shumë është sepse kur bëheshin festa të ndryshme, mblidheshim tek hoteli i gjuetisë në Lezhë dhe vinin personalitete nga Tirana për kinezët që ndërtonin fabrikën e letrës në Lezhë, një nga fabrikat më të mira në Ballkan. Kjo më bënte krenare që isha në Lëzhë ku ndërtojnë kinezët dhe ne i respektojmë dhe i duam për këtë gjë që po bëjnë ata. Këngët i mësoja me shumë dëshirë dhe fillova të këndoja në kinezisht nga këngët që më mësonte zysh Çlirimja. Kur po këndoja në festën e vitit të ri tek hoteli i gjuesitsë unë i merrja me radhë këngët, ku në fund këndova një këngë ku edhe kërceja sepse ishte me lëvizje siç i bënin edhe vajzat kineze. Pasi këndova strofën e parë në strofën e dytë u çuan të gjithë kinezët duke kërcyer me mua. Kjo ishte e pabesueshme dhe më ka bërë përshtypje shumë dhe vërtetë kënaqesha.
Roberta Kacaj duke luajtur ne piano (Foto personale)
CMG: Përsa i përket muzikës popullore, cilën trevë keni më për zemër që të interpretoni?
Roberta Kaçaj: Me thënë të drejtën të gjitha trevat janë të bukura, por më ka pëlqyer edhe kënga labe, këngët e Shqipërisë se mesme dhe ato dibrane patjetër që i kam kënduar me gjithë dëshirë. Gjithashtu më pëlqejnë dhe këngët korçare sepse bashkëshorti im ishte korçar dhe ndoshta më ka tërhequr kjo gjë. Unë më shumë kam kënduar këngët e veriut sepse ato janë geni dhe gjaku jonë dhe i kam kënduar qoftë ato me çifteli apo me lahutë.
Unë kam kënduar dhe një rapsodi kur kam qenë studente në Akademinë e Arteve, ku kompozitori dibran Përparim Tomçini bëri një rapsodi për Isa Boletinin solo, kor dhe orkestër dhe ma dha ta këndoj unë si veriore sepse e provuam dhe e pa që më rrinte mirë dhe me këtë këngë morëm çmimin e parë në Dekadën e majit. Kjo ndoshta ishte shkëndija e parë që pasi mbaruam akademinë na caktuan në opera dhe kam kënduar të gjitha trevat, por këngët dibrane dhe ato shkodrane janë të miat.
CMG: Mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur që vazhduat për muzikë?
Roberta Kaçaj: Unë u lumturova që vazhdova muzikën sepse kjo nuk ishte thjesht një dëshirë apo pasion, por unë e pashë që edhe sot ai është vokacion dhe kjo më ka bërë ta kuptoj tani vonë se çfarë do të thotë vokacion. Unë bëra zgjedhjen e duhur sepse muzika është ilaç dhe shërim por jo vetëm, është edukim sepse zhvillon trurin në përmasat më kolosale. Asnjëherë nuk është vonë të merresh me muzikë.
Roberta Kacaj ne interviste per CMG
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Roberta Kaçaj: Dëgjuesit i përshëndes dhe ju them që kur mos të jenë mirë të dëgjojnë muzikë, por dhe të këndojnë vetë. Ju uroj të gjithëve shëndet dhe gjithë të mirat dhe falenderoj ata që më kanë mbështetur në rrugëtimin tim artistik.
Intervistoi: Gazmend Agaj