Shqipëri-BE, takim për rishikimin e ndihmës së BE-së në IPA
2023-03-25 16:25:03

Flamujt e Shqiperise dhe BE-se (Foto Atsh)

Flamujt e Shqiperise dhe BE-se (Foto Atsh)

Përfaqësues të Bashkimit Europian dhe të qeverisë shqiptare u takuan për rishikimin e përvitshëm të ndihmës së BE-së në Komitetin e Monitorimit për vitin 2023 për Instrumentin e Asistencës së Para-Aderimit (IPA). 

Në këtë takim u bë një vlerësim i të 120 projekteve të financuara nga BE-ja që janë duke u zbatuar në Shqipëri në kuadër të Instrumentit të Para-Aderimit të BE-së (IPA), duke shqyrtuar efikasitetin, koherencën dhe efikasitetin e tyre në mbështetje të shqiptarëve dhe në përgatitjen e vendit për anëtarësimin e ardhshëm në BE, shkruan “ATSH”.

BE-ja i ka siguruar Shqipërisë rreth 100 milionë euro fonde të pakthyeshme çdo vit. Që prej vitit 2007, BE-ja ka siguruar më shumë se 1.4 miliardë euro.

Në takim u diskutua bashkëpunimi në fushat që marrin mbështetjen e BE-së, duke përfshirë demokracinë dhe qeverisjen, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, transportin dhe energjinë, mjedisin dhe masat për ndryshimet klimatike, bujqësinë dhe zhvillimin rural, konkurrencën, inovacionin, arsimin, punësimin, politikat sociale, si dhe programet territoriale të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe fqinjëve të saj, si dhe investimet e mëdha infrastrukturore në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Arritjet e vitit 2022 me fondet e BE-së përfshijnë infrastrukturë të përfunduar, si inaugurimin e 10 shkollave të tjera të modernizuara, hapjen e bypass-it të Vlorës dhe rindërtimin e qendrave të trashëgimisë kulturore, si dhe trajnimin e vazhdueshëm të zyrtarëve qeveritarë në fusha si drejtësia, të drejtat themelore, lufta kundër krimit të organizuar, siguria kufitare, standardet e peshkimit dhe ushqimit, si dhe mjedisi.

Në takim u diskutua edhe për programet e ardhshme të mbështetjes IPA 2022 dhe 2023 të financuara nga BE-ja, duke përfshirë edhe një paketë të re të mbështetjes energjetike prej 80 milionë eurosh për shqiptarët.

Ndër sfidat që u diskutuan ishin edhe nevoja për përshpejtimin e investimeve në infrastrukturë në Shqipëri në kuadrin e WBIF dhe rëndësia e komunikimit të shtrirjes dhe ndikimit të mbështetjes së BE-së për Shqipërinë dhe e procesit të anëtarësimit në BE për shqiptarët. 

Takimi u kryesua nga Ilir Beqaj, koordinatori kombëtar i IPA-s për Shqipërinë dhe nga Michela Matuella, drejtoreshë e komanduar e “DG NEAR” në Komisionit Europian. E pranishme ishte edhe Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit dhe kryenegociatore për anëtarësimin në BE, si dhe anëtarë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të komunitetit diplomatik. (Irma)