Kryeministri Rama në Londër: Do të kthehen të gjithë të burgosurit shqiptarë në Britani
2023-03-25 11:45:33

Kryeministri Edi Rama dhe homologu britanik Rishi Sunak ne Londer (Foto Rtsh)

Kryeministri Edi Rama dhe homologu britanik Rishi Sunak ne Londer (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Londër, ku u takua me homologun britanik, Rishi Sunak. Në një një deklaratë të përbashkët për mediat theksohet se të dy kryeministrat shprehën objektivin e tyre për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, shkruan “RTSH”.

“Të dy kryeministrat shprehën ambicien e tyre të përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, bashkëpunimin në adresimin e kërcënimeve globale dhe rajonale dhe forcimin e partneritetit dypalësh. Ata vunë në dukje potencialet e mëdha për rritjen e marrëdhënieve tregtare, investimeve dhe në fushën e teknologjisë, ndërkohë që kryeministri britanik mirëpriti sërish kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në jetën britanike”, thuhet në deklaratë.

Në takim u fol edhe për çështjen e emigracionit të paligjshëm për të parandaluar këtë fenomen dhe për të goditur bandat kriminale.

“Kryeministrat e dy vendeve u angazhuan për thellimin e punës në kuadër të Deklaratës së Përbashkët dhe Task Forcës për të cilat u ra dakord në dhjetor, për të çuar përpara prioritetin e përbashkët në adresimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të trafikimit të njerëzve. Ata diskutuan rritjen e bashkëpunimit operacional, duke përfshirë komunikimet e përbashkëta të nivelit të lartë për të frenuar pikësëpari udhëtimin e njerëzve dhe marrëveshje të mëtejshme për shkëmbimin e të dhënave dhe pasaportat”,- theksohet në deklaratë.

Rama dhe Sunak kanë rënë dakord për ngritjen e një ekipi të përbashkët mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë që do të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë, një proces që do të përfundojë deri në fund të prillit, me qëllim kthimin e të gjithë shtetasve të përcaktuar shqiptarë në sistemin e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar.

“Dy kryeministrat përshëndetën progresin e deritanishëm, pasi rreth 800 emigrantë të paligjshëm janë kthyer në Shqipëri që prej muajit dhjetor, veprimet kundër krimit të organizuar dhe udhëzimet e reja të Mbretërisë së Bashkuar që përcaktojnë Shqipërinë një vend të sigurt. 

Për bashkëpunimin në drejtësinë penale, kryeministri Rama dhe homologu britanik Sunak përshëndetën punën e përbashkët në vijim për ekstradimet, ndjekjet penale dhe kapacitetet e mjekësisë ligjore dhe ekstradimin e qindra të burgosurve në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.

Vlen të theksohet se në vitin 2022 ishin 1336 shqiptarë të burgosur në Angli dhe Uells, duke shënuar numrin më të lartë të kombësisë së huaj për vitin e kaluar. Përveç kësaj, kishte 830 shtetas polakë në burgje dhe 752 rumunë. (Irma)