Jonida Haxhiu: Lumturia është tek gjërat e vogla
2023-03-24 11:45:07

Jonida Haxhiu është psikologe në Institutin e Shëndetit Publik prej shumë vitesh. Ajo ka një jetë të gjatë aktive në karrierë, duke u bërë imazhi i psikologut që duam. Gjithashtu ajo është pedagoge e psikologjisë  në disa fakultete. Jonida thotë se angazhimi i saj më i rëndësishëm është djali i saj, pasi kujdesi ndaj fëmijëve duhet të jetë maksimal. Parapëlqen të kalojë pjesën me të madhe të kohës së lirë me familjen, të lexojë, të ecë apo edhe gatuajë. Jonida është një grua në karrierë, e cila prej vitesh dedikohet për të dhënë më të mirën e saj në shoqëri. Për  Radio Ejani ajo rrëfen eksperiencën e saj në këtë profesion si edhe pikat më të forta apo më të dobëta të saj.

Jonida Haxhiu ( Foto:FaxNews)

Jonida Haxhiu ( Foto:FaxNews)

CMG: Jonida, çfarë është për ju më e rëndësishme në jetë?

Jonida Haxhiu: Unë jam natyrë e lidhur tepër me familjen. Familja për mua është një vatër shumë e ngrohtë tek e cila gjej mbështetje, dashuri, gjej përkufizimin që ndoshta dikush si unë do ia jepte rëndësisë së diçkaje. Djali im ka marrë gjithë vëmendjen time dhe kohën që kaloj me të e quaj si diçka tepër të rëndësishme. Po ashtu është familja ime biologjike, prindërit apo edhe vëllai  me të cilët kam një lidhje shumë të ngushtë dhe shoh tek ata dritën e jetës sime.

Rëndësi për mua ka edhe profesioni pasi jam një njëri shumë aktiv. Jam një nga ata njerëz që mbi të gjitha nuk lodhem kurrë. E dua veten të dashuruar me gjërat që bëj, ndryshe nuk do të isha une. Në këtë profesion unë kam gjetur atë që ka munguar prej kohësh në jetën time dhe sot ndihem mbi të gjitha shumë e plotësuar.

Dua që një ditë të shpërblehet apo shihet e gjithë puna dhe mundimi im pasi diku dua të lë gjurmët e punës sime të madhe. Kur sheh veten se sa ke ecur dhe se sa të është dashur për ta bërë këtë rrugetim patjetër që e do edhe më shumë atë që je, pasi ke luftuar ti në fillim pastaj njerëzit e tjerë për ty.

CMG: Në këtë kontekst, familja juaj a ka qenë gjithmonë aty për ju?

Jonida Haxhiu: Unë e them me bindje të plotë se nëse familja ime nuk do të më suportonte me kaq shumë dashuri dhe vëmendje unë nuk do të isha Jonida që jam sot. Ata janë kujdesur maksimalisht që të jenë streha ime. Kanë besuar tek ëndrrat e mia dhe besoj që kaq mjafton. Të besosh tek dikush, tek ëndrrat e tij apo tek qëllimet në jetë është njësoj si t’i japësh krahë të fluturojë. Unë bëj më të mirën e mundshme aq sa kam mundësi për të bërë edhe ata krenarë.

Por një pjesë të rëndësishme në jetën time është edhe shoqëria, pasi më ka mbështetur tepër.

CMG: Ju si psikologe keni edhe një rutinë tuajën, cila është ajo?

Jonida Haxhiu ( Foto:OraNews)

Jonida Haxhiu ( Foto:OraNews)

Jonida Haxhiu: Unë jam njeri që preferoj mos të dal nga një kornizë në të cilën kam vendosur fotografinë e jetës sime. E di shumë mirë çfarë më duhet fillimisht dhe e kuptoj drejt se çfarë duhet të bëj. Kam pikat e mia të forta dhe ato të dobëta. Preferoj të bëj ecje, ato më japin një gjallëri të këndshme të mendjes, kam shumë dëshirë gatimin, pasi më duket një proces i cili fillon dhe mbyllet me dashuri, në fund, gjithashtu më pëlqen të shkëmbej biseda miqësore pasi më japin ndjesinë e terapisë shpirtërore.

CMG: Pse është gatimi kaq i rëndësishëm për ju si proces?

Jonida Haxhiu: Unë nuk mund të flas në përgjithësi se çfarë mendojnë njerëzit dhe si e përjetojnë ata fazën e gatimit, por di të them që është një process, i cili mua më jep shumë dashuri dhe ndihem vetëvetja plotësisht kur kam të  bëj me gatimin. Ndoshta sepse më çliron nga mendimet negative, më jep mundësinë të rigjenerohem dhe në fund të konsumoj gjëra që unë e di që kanë cilësi.

CMG: A keni dashur të jeni kjo që jeni sot?

Jonida Haxhiu:  Unë jam një njeri me këmbë në tokë dhe gjithmonë kam menduar në sajë të asaj që kam mundësi të jap apo ofroj nga vetja. Vite më parë nuk e mendoja kurrë, që sot do isha kjo që jam. Pra, mund të them që kam kaluar edhe gjithë pritshmëritë e mia. Duke kaluar edhe pritshmëritë, unë kuptoj se sa e fuqishme jam.

CMG: Rëndësia e djalit në jetën tuaj cila është?

Jonida Haxhiu:  Djali për mua është koha ime. Nuk lodhem të flas për të dhe dashurinë që kam për të. Është busulla e jetës sime. Jam një person që bëj shumë punë dhe shpesh më pyesin si ia dal, por për gjërat që do njeriu di t’ia dale përherë.

Jonida Haxhiu me të birin

Jonida Haxhiu me të birin

CMG: Shumica e njerëzve pyesin se si të jenë më të lumtur, cila është përgjigja juaj?

Jonida Haxhiu:  Nuk duhet të merren me vogëlsira, arsyeja për të cilën duhet të mërziten duhet të jetë shumë  e madhe pasi jeta është e shtrenjtë dhe e shenjtë.

Intervistoi : Megi Latifi