Helena Halilaj është pedagoge e shkencave të komunikimit, poete, gjithashtu e angazhuar në shoqërinë civile me kauza të ndryshme. Ajo ka marrë pjesë në emisone të ndryshme në radio dhe televizion që në moshën 17 vjeçare, si dhe ka shkruar artikuj të shumtë në media. Pasioni i saj i madh është letërsia. Një nga kauzat e rëndësishme për të cilën është pasyruar me opinionet e saj në media është barazia gjinore. Në një intervistë ajo ka theksuar; “Nëse një ditë do jem pjesë e politikës shqiptare, do doja që të gjitha vajzat e shkolluara, të marrin drejtimin e institucioneve të caktuara dhe të kenë të njëjtën peshë në vendimmarrje në pushtetin qëndror edhe atë vendor, sepse janë të drejta që na takojnë ligjërisht, moralisht, sepse jemi gjysma e shoqërisë dhe gruaja është shumë vendimmarëse në familje, gjithashtu janë me një vizion më qartë dhe e bëjnë politikën më të butë e më të mirë”.
Një javë më parë Helena kishte dy festa në një ditë, promovimin e librit të saj të shtatë, në zhanrin e poezisë me titull “Përbri vetes” ku pasqyron dashurinë në të gjithë format e saj, si edhe ditëlindjen e saj të 35-të. Ishte një mbrëmje e ftohtë me shi, por mbrëmja mes miqve e bëri atmosferën më të ngrohtë se ditët e nxehta të verës. Ishin të shumtë miqtë e saj të pranishëm si kolegë, familjarë, personalitete nga politika, media, bota e artit, si: Shkurte Fejza, Irma Libohova, Natasha Lako, Nora Malaj, Erisa Xhixho, Albi Lushi, etj.
Gjatë promovimit të ftuarit shijuan disa momente poetike nga libri “Përbri vetes” nga Helena Halilaj nën interpretimin me mjaft mjeshtëri nga artistja Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”, aktori Neritan Liçaj dhe aktorja Arjeta Dhima. “Përbri vetes” ka ndjesi të brendshme, mesazhe të ndryshme, etj. Në parathënien e librit kanë shkruar tre figura të njohura si, shkrimtarja Natasha Lako, prof. asoc. dr Anila Mullahi dhe dr. Gentiana Muhaxhiri. Gjatë këtij aktiviteti, Helena i falenderoi miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj, duke njoftuar se do vazhdojnë aktivitetet letrare dhe promovimet e librit. Në intervistë për Radio Ejani Helena tregon më tepër rreth këtij libri, por edhe mesazhin që përcjell.
CMG: Kur janë krijuar poezitë e vëllimit “Përbri vetes”?
Helena Halilaj: Në fakt ka qenë një periudhë e gjatë kohe që kam pritur për të botuar librin tim të ri me poezi, sepse kam besuar tek koha që ne i japim vetes, për të reflektuar mbi atë çfarë shkruajmë. Duke u rritur fillojmë e kuptojmë më shumë, fillojmë e përqëndrohemi më shumë dhe ndoshta fillojmë e shkruajmë më pak.
Ky libër ka adhur si një marrëdhënie e plotë e dashurisë me të gjitha format e tjera. E dashurisë për atdheun, për nënën, babain, motrën, vëllain, për mikun, e dashurisë së pastër, e dashurisë e cila dhemb, e dashurisë e cila mbetet e pandryshueshme, e dashurisë e cila ka koncepte të reja, koncepte moderne, të dashurisë si një revoltë, e dashurisë si një kthim, si një pritje.
E gjithë historia e librit ka në thelb njeriun me veten e tij, prandaj e kam titulluar “Përbri vetes”. Kjo do të thotë që ne asnjëherë nuk duhet ta distancojmë veten, pavarësisht raporteve që kemi me të tjerët, pavarësisht rrethanave, ne duhet të kalisim durimin, të kemi raporte të forta, të qëndrueshme e të mira, e sigurisht që veten nuk duhet ta humbasim askund.
CMG: Çfarë mesazhi mund të gjejë lexuesi në brendësi të këtij libri?
Helena Halilaj: Në këtë libër ka thjeshtësi, butësi, ka emocion, kujtime, ka kujtime të të tjerëve, të cilat i kam kthyer në vargje, ka kujtime dhe refleksione personale, ka raporte të forta, të cilat shndërohen në vargje sa të thjeshta po aq edhe madhështore, ku bëhet fjalë për nënën, djalin, vajzën, babain. Janë raportet në të cilat në çfarëdo lloj pushteti, fuqie ekonomike që mund të ketë një individi, mbeten të ngjashme me të tjerët.
Një element tjetër i rëndësishëm është fakti se, në këtë libër fshihet një grua që e ndryshon një burrë, një grua që e rrit një burrë, një grua që e bën një burrë të dashurohet pas saj, ta dojë atë. Një grua, e cila lëndohet dhe ngrihet, një grua e cila tradhëtohet dhe ngrihet, një grua e cila ja del. Pra në një farë mënyre brenda librit ka shumë element, të cilët janë të ndërthurur me njëri -tjetrin dhe përfaqësojnë pjesën më të madhe të njerëzve. Gjithkush që mund ta lexojë, sigurisht që mund të kapet peng, do kapet në befasi, do kapet në një varg, në një strofë, ndoshta në një poezi e ndoshta në shumë poezi.
CMG: A janë përmbledhur në këtë libër gjithë krijimet e tua shkruar së fundi?
Helena Halilaj: Ky libër është krasitur, që do të thotë ka pasur shumë poezi, shumë vargje, ka pasur poezi që kanë qenë po aq të ndjera të shkruara disa vite më parë, por duke qenë se kisha hapësirën e mjaftueshme për të menduar, për të riparë disa herë poezitë, normal që e pata mundësinë të zgjedh ato poezi që unë mendoj se janë më të mirat.
CMG: Në promovimin e librit “Përbri vetes” ti festove edhe ditëlindjen, që erdhi si një dhuratë për këtë përvjetor.
Helena Halilaj: Kam pasur bashkëpunime, individë që më kanë ndihmuar, mbështetur, duke filluar nga universiteti ku punoj, nga kolegë, profesorë, dekanë, të cilët e kanë përqafuar menjëherë idenë se duhet ta botoja me patjetër këtë libër, sepse i kanë lexuar poezitë e mia më përpara. Nuk dua të le pa përmendur dhe falenderuar përzemërsisht Natasha Lakon, poeten dhe shkrimtaren e mirënjohur, profesoreshën dhe studiuesen Anila Mullahi, profesoreshën e gjuhës shqipe tek shqiptarët e Kosovës Gentiana Muhaxhiri, njëkohësisht dua të falenderoj profesoreshë Suela Kastrati për redaktimin e librit, si edhe miken time Selvie Noka e cila ka bërë korrektimin e librit tim.
Bashkëudhëtare në këtë libër në vështirësinë e organizimit, sistemimit, botimit, pastaj të promovimit është një mike dhe bashkëudhëtare shumë e sigurtë. Falenderoj gjithashtu tre aktorët e mrekullueshëm, të madhen Margarita Xhepa, aktorin fantastik Neritan Liçaj dhe aktoren e mirënjohur shumë të talentuar Arjeta Dhima. Dua të falenderoj këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza, e cila erdhi enkas për promovimin e librit tim dhe përvjetorit të ditëlindjes time.
Kjo ishte një dhuratë që ja bëra vetes, njerëzve që më duan shumë, familjes dhe sigurisht publikut, lexuesit të cilët sa herë lexonin poezitë e mia në rrjetet sociale, gjithmonë më kërkonin që t’i botoja. Mendoj se ky udhëtim do vazhdojë, pasi unë mendoj që të bëj edhe një mbrëmje të vogël poetike promovimi në universitet, por edhe promovime të tjera. Sigurisht që disa poezi do shpërndahen në rrjetet sociale për të shkuar edhe tek lexuesi virtual, i cili shpesh na jep frymëzim, na jep kurajo, na mbështet me gjithçka që ne bëjmë në ditët e sotme.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në vazhdim!
Helena Halilaj: Faleminderit shumë për vëmendje dhe kohën e kushtuar për librin tim, i cili vjen pas disa librave të tjerë duke u rritur me disa vite, me mendimin se kemi sjellë një gjendje, një emocion, disa kujtime, ndjesi, thirrje, ftesa, disa mesazhe të cilat janë të rëndësishme për kohën që jetojmë. Faleminderit!
Puna si Pedagoge, mësimdhënia në universitetet dhe dashuria për poezinë janë të magjishme për Helenën, vajzën nga Kukësi. Ajo ka studiuar letërsi dhe është autore e shtatë librave prozë dhe poezi: “Sytë e tu rrëfejnë”, ”Pasarelë manekinësh”, “Biletë malli”, “Çaste të kithta”, “Valëzimet e shpirtit” ,“Mos ma vetmo fjalën”, si edhe libri më i ri i saj me poezi “Përbri vetes”. Helena ka marrë pjesë në disa evente letrare brenda dhe jashtë Shqipërisë si: Itali, Austri, Spanjë, Portugali, Turqi, Kosovë, etj. Fituese e disa çmimeve dhe vlerësimeve të shumta. Helena është analiste e problemeve sociale në media, e diskutimeve dhe konferencave të ndryshme. Ajo ideon dhe shkruan projekte prej vitesh, në fushën sociale dhe kulturore në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Autorët e saj të preferuar janë; Pushkin, Bodler, Neruda, Kamy, Bërns, etj. Kurse në letërsinë shqiptare autorët e saj të preferuar janë; Migjeni, Kadare, Agolli, Shkreli, Konica, Noli dhe Fishta.
Intervistoi: Sava Lena