Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar miraton marrëveshjen e re të Brexit për Irlandën e Veriut
2023-03-24 10:04:54

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar miratoi një pjesë kyçe të marrëveshjes së re tregtare të qeverisë pas Brexit për Irlandën e Veriut.

Votimi ishte për të ashtuquajturin “Stormont Brake”, i cili i ofron Irlandës së Veriut më shumë pushtet mbi ligjet e reja të Bashkimit Europian, bën të ditur “Xinhua”.

Anëtarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit votuan me një diferencë prej 515 kundër 29. Ndër votat kundër ishin edhe gjashtë të Partisë Unioniste Demokratike (DUP).

Më shumë se 20 anëtarë të Partisë Konservatore në pushtet, duke përfshirë ish-kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson dhe Liz Truss, kundërshtuan gjithashtu marrëveshjen.

Foto nga VCG

Sekretari i Irlandës së Veriut, Chris Heaton-Harris përshëndeti rezultatin e votimit. “Duke votuar në favor të “Stormont Brake”, ne kemi votuar për të siguruar që populli i Irlandës së Veriut, përmes një ekzekutivi të rivendosur, do të ketë kontribut të plotë demokratik për ligjet që zbatohen për ta”, shkroi ai në mediat sociale.

Si një element qendror i marrëveshjes së re tregtare midis Britanisë dhe BE-së, “Stormont Brake” do të thotë që Asambleja e Irlandës së Veriut mund të kundërshtojë rregullat e reja të BE-së për mallrat që do të kishin efekte të rëndësishme dhe të qëndrueshme në jetën e përditshme në Irlandën e Veriut.

Në kundërshtim me rregullat e tregtisë pas Brexit, DUP ka refuzuar të bashkohet me qeverinë e ndarjes së pushtetit në rajon për më shumë se një vit, duke ngritur shqetësime për stabilitetin politik. (Irma)