Kina kundërshton akuzat perëndimore mbi të drejtat e njeriut
2023-03-24 13:09:38

Foto nga VCG

Kina këmbëngul në vendosjen e popullit në qendër, zbaton parimin qeverisës të "respektit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut" dhe nxit vazhdimisht zhvillimin e kauzës së të drejtave të njeriut duke ndjekur rrugën kineze të modernizimit, tha përfaqësuesi i Kinës në debatin e përgjithshëm të sesionit të 52-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së të mërkurën.

Përfaqësuesi kundërshtoi akuzat e shpifjet e vendeve perëndimore dhe ekspozoi gjendjen e keqe të të drejtave të njeriut dhe hipokrizinë e Perëndimit. 

Duke vënë në dukje se nuk ka një model të përshtatshëm për të gjithë lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë, ai tha se disa vende, për qëllime politike, kanë sajuar e përhapur informacion të rremë dhe kanë ngritur vazhdimisht çështjet lidhur me Kinën në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, në përpjekje për të sulmuar Kinën e për të penguar zhvillimin e saj.

"Këto përpjekje nuk do të arrijnë të fitojnë zemrat dhe mendjet e njerëzve," tha përfaqësuesi.

Gati 100 vende kanë shprehur qartë mbështetje për Kinën në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së në mënyra të ndryshme për çështjet mbi Xinjiang-un, Tibetin e Hong-Kongun dhe sesioni i 51-të i Këshillit të të Drejtave të Njeriut kundërshtoi vendosmërisht projektvendimin lidhur me Xinjiang-un. Të gjitha këto dëshmojnë plotësisht atë që ka në zemër dhe në mendje bashkësia ndërkombëtare, tha përfaqësuesi.

Pala kineze ka theksuar se gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjnë vendet që fajësojnë Kinën,  është ndërmarrja e veprimeve konkrete për të zgjidhur problemet e tyre të të drejtave të njeriut, të tilla si racizmi, dhuna me armë, krimet e drogës e puna e detyruar. Gjithashtu, ato duhet të ndalojnë shkeljen e të drejtave të pakicave dhe të grupeve më të dobëta, si afrikanët, myslimanët, emigrantët e refugjatët, të braktisin sjelljen e tyre militariste e hegjemoniste në nivel ndërkombëtar, të anulojnë të gjitha masat e paligjshme të njëanshme detyruese kundër vendeve në zhvillim dhe të ndalojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe cenimin e qëndrueshmërisë rajonale nën pretekstin e të drejtave të njeriut.

Kina vuri gjithashtu në dukje se vendimi i qeverisë japoneze për të lëshuar ujin e ndotur bërthamor në oqean dëmton seriozisht sigurinë ekologjike e mjedisore globale dhe të drejtën e njerëzve për jetën dhe shëndetin. Kina është thellësisht e shqetësuar për këtë dhe i kërkon Japonisë të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe ta hedhë ujin e ndotur bërthamor në një mënyrë të hapur, transparente, shkencore dhe të sigurt.