“Komuniteti i fateve të përbashkëta të njerëzimit” është një koncept që nënkupton ndërlidhjen e të gjitha kombeve dhe popujve në botë. Ky koncept u prezantua për here të pare nga presidenti i Kinës Xi Jinping 10 vjet më pare, duke u bërë pjesë e rëndësishme e diplomacisë kineze.
Krijimi i një komuniteti të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin buron nga kultura tradicionale kineze dhe filozofia e saj disa-shekullore e harmonisë dhe unitetit.
Njerëzimi është në një epokë zhvillimi të madh, si dhe transformime dhe ndryshime të thella dhe komuniteti të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin promon diversitetit kulturor. Ideja ka të bëjë me të gjithë njerëzimin që të jetojë në harmoni, të mësojë nga njëri-tjetri dhe të ndajë jo vetëm pasurinë materiale, por pasurinë intelektuale, historike dhe kulturore.
Drejtori i Institutit “Konfuci” në Tiranë Erion Malaj flet për aspektin kulturor të konceptit “komuniteti i fateve të përbashkëta të njerëzimit” në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës.
Hapja e Institutit Konfuci në Tiranë (Foto Universiteti i Tiranës)
CMG: Çfarë roli mendoni se luan kultura në krijimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin?
Erion Malaj: Ky koncept në tërësi është mëse i mirëpritur në të gjitha aspektet e jetës dhe më së shumti do të veçoja kulturën dhe arsimin, jo vetëm sepse është një pjesë të cilës i përkas, por sepse kultura dhe arsimi janë nga ato aspekte që nuk njohin barriera fizike apo virtuale. Bashkëpunimi kulturor dhe arsimor i kombeve është element thelbësor që të funksionojë sa më mirë dhe të ndihmojë që këto kombe të njihen me njeri-tjetrin, të shihet më nga afër diversiteti kulturor.
Shpesh herë është shumë më mirë kur këto kultura përplasen me njera-tjetrën dhe të njihen mes tyre, se sa të mos kenë aspak njohuri për historinë dhe kulturat e njeri-tjetrit.
Kultura dhe arsimi janë dy elementë thelbësorë në funksionimin sa më të mirë të këtij koncepti.
CMG: Këto vitet e fundit është bërë një punë e mirë në shkëmbimet kulturore, arsimore dhe ndërnjerëzore midis Shqipërisë dhe Kinës. Vitin e kaluar u zhvillua “Java e kulturës kineze” ku qytetarët e pranishëm e njohën nga afër këtë kulturë, pavarësisht miqësisë tradicionale midis dy vendeve. Tashmë me heqjen e vizave midis dy vendeve tona gjykoni se do të ndikojë në forcimin e njohjes së ndërsjellë të kulturave?
Erion Malaj: Patjetër që do ta forcojë. Një ndër arsyet kryesore është se unë shoh më shumë të përbashkëta midis dy popujve tanë se sa shoh dallime. E kam vizituar shpesh herë Kinën.
Java e kulturës kineze në Tiranë (Foto CMG)
CMG: Edhe ju jeni një prodhim i këtyre shkëmbimeve.
Erion Malaj: Po, sigurisht. Unë ndjej kënaqësi kur shikoj gjëra të përbashkëta midis popujve jo vetëm në kulturë, por dhe në mentalitet, në mënyrën e të jetuarit dhe ajo që më ka bërë përshtypje më shumë është kujdesi prindëror. Si një njeri që kam studiuar dhe në Europë unë këtë nuk e kam ndeshur, siç e kam ndeshur në Kinë dhe në Shqipëri. Janë disa të përbashkëta që na bashkojnë dhe afrojnë. Mendoj se dhe aktiviteti që ju përmendët ishte mëse i mirëpritur në Shqipëri.
Ndryshe nga shumë vite më parë në Tiranë dhe jo vetëm ka më shumë njohuri për aspekte të kulturës, historisë dhe gjuhës kineze.
Në në Institutin “Konfuci” organizojmë jo vetëm aktivitete gjuhësore por dhe kulturore ose të ndërthurura sepse gjykojmë që nuk mund të ketë një zhvillim të mirëfilltë dhe njohuri të gjuhës nëse nuk njeh kulturën.
CMG: Vitin e kaluar kemi realizuar një dokumentar për Institutin “Konfuci” dhe këto elemente që përmendët janë kurset e kaligrafisë kineze, arteve marciale Taichi. Falë mediave sociale njerëzit kanë një kontakt më të afërt dhe mundësi për të mësuar më shumë.
Erion Malaj: Eshtë shumë e vërtetë. Ne e kemi vënë re këtë dhe jo më kot kemi krijuar Klubin e Librit sepse dhe në aspektin filozofik kanë shfaqur interes shumë të madh studentët tanë. Gjykoj që Kina ka shumë çfarë t’i ofrojë jo vetëm Shqipërisë, por mbarë botës në kulturë dhe arsim. Ne duhet ta studiojmë nga afër filozofinë kineze, kulturën dhe historinë.
Shkëmbimet kulturore janë vlerë e shtuar që mund të bëjnë të mundur funksionimin më të mirë të këtij koncepti. Ky koncept në thelbin e tij nuk ka asgjë më tepër se sa mirëqenie globale, paqe globale. Gjithësecili mund të japë rolin e tij në një rezultat më të mirë të këtij koncepti.
Për shembull dikush mund të thotë: Çfarë mund të bëjë Shqipëria ?
Kurse Taichi në Tiranë (Foto CMG)
CMG: Si mund të promovohet mirëkuptimi i ndërsjellë i dy vendeve?
Erion Malaj: Ajo që mund të bëjë Shqipëria jo vetëm midis dy vendeve, por edhe midis marrëdhënieve në rajon. Ky koncept funksionon jo vetëm për Shqipërinë por për mbarë botën dhe secili shtet mund të luajë një rol në zhvillimin e këtij koncepti. Shqipëria në rastin konkret ajo që mund të bëjë është të jetë një element paqeje, garantor paqeje në rajon. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ne e kemi tashmë një lloj forme të lidershipit në rajon. Ka vite tashmë që Shqipëria i paraprin disa iniciativave dhe kjo është edhe një ndjesi krenarie për ne. Ndërkohë paqja në rajon është thelbësore dhe gjithashtu zhvillimi ekonomik rajonal që është shumë i rëndësishëm.
Në këtë prizëm Shqipëria ka shumë për të dhënë në këtë koncept dhe madje mund të japë edhe më shumë në kuadër të disa nismave rajonale ku ajo është pjesë, por jo vetëm. Janë të gjitha këto iniciativa plotësuese të këtij koncepti ku roli ynë mund të jetë më konkret. Deri tani përsa i përket paqes në rajon dhe bashkëpunimit ekonomik Shqipëria ka patur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij koncepti.
Studente shqiptare të Institutit Konfuci Tiranë (Foto Instituti Konfuci)
CMG: Ju jeni një nga drejtuesit e Institutit “Konfuci” që ka mbërritur në 10 vjetorin e veprimtarisë së tij në Shqipëri. Ky institut ashtu si dhe institute të tjerë të kulturës italiane, gjermane, franceze, britanike e të tjerë kanë në fokus shkëmbimet kulturore. Pas kësaj dekade veprimtarie çfarë rijësish propozon Instituti “Konfuci”?
Erion Malaj: Patjetër që kemi vijimësi. Këtë e vënë re qytetarët kinezë që e kanë vizituar Shqipërinë apo kanë jetuar këtu 10 vite më parë dhe tani janë rikthyer për të parë nga afër ndryshimet. Po kështu dhe të rinjtë shqiptarë që 10 vite më parë kanë kryer studimet e tyre dhe tashmë janë në punë. Shpesh herë në diskutimet që bëjmë me studentët u them se 10 vite më parë këtu flitej shumë pak gjuha kineze. Për më tepër kinezishtja konsiderohej si një gjuhë shumë e vështirë, ku shumë pak gjëra mund të të ofroheshin. Të gjitha këto ishin koncepte të gabuara, të cilat tashmë nuk janë më.
Roli kryesor që ka Instituti është që t’u mundësojë të rinjve të mësojnë gjuhën dhe kulturën kineze dhe më pas të kenë mundësi shkëmbimi në arsim, kulturë dhe mundësi zhvillimi në karrierën e tyre. Të gjithë këto elementë ne i kemi parë te studentët tanë që kanë përfunduar studimet e niveleve të ndryshme tek ne. Ata janë konfirmimi i të gjitha pikëpyetjeve që kemi patur më parë.
Instituti në vetvete ka luajtur një rol shumë të rëndësishë në “thyerjen e akullit” dhe njohurinë e mëtejshme të kulturës kineze që është vërtet e larmishme, por dhe historisë e filozofisë, koncepte këto që diskutoheshin vetëm në ambjente të ngushta si tek filozofia apo shkencat sociale. Tashmë këto koncepte diskutohen kudo në klasat tona, midis vetë studentëve pra ky është një informacion që e kanë jo vetëm një numër i limituar personash, por ua kemi ofruar të gjithëve.
Ky është roli ynë sado i vogël por me rëndësi edhe në zhvillimin e mëtejshëm të këtij koncepti.
Fëmijët shqiptarë mësojnë taichi (Foto CMG)
CMG: Përveç studentëve shqiptarë të Institutit “Konfuci” janë dhe disa studentë kinezë, të cilët për vit studiojnë gjuhën shqipe pranë Universitetit të Tiranës. Në programin festiv të organizuar prej nesh me rastin e vitit të ri studentët shqiptarë dhe kinezë shkëmbyen njohuritë e gjuhëve përkatëse, por dhe elementeve të kulturës. Ata vlerësonin njohuritë gjuhësore të njeri-tjetrit. Kemi intervistuar dhe fëmijë shqiptarë që mësojnë kinezisht në kurset tuaja
Erion Malaj: Është e vërtetë. Ka fëmijë 4-5 vjeç që po mësojnë kinezisht dhe janë shumë të këndshëm gjatë kurseve. Ky promovim i shumëgjuhësisë në tërësi është shumë i rëndësishëm. Unë i kam vizituar dhe studentët në katedrën e gjuhës shqipe në Pekin dhe i kam quajtur ata ambasadorët më të mirë që Shqipëria mund të ketë në botë për faktin që askush nuk i promovon vlerat tona në atë mënyrë si i promovojnë ata të rinj. Shpresoj që studentët tanë të gjuhës kineze të jenë ambasadorët më të mirë të Kinës në Shqipëri, të jenë promovues të vlerave të kulturës, historisë dhe të gjitha vlerave të tjera që Kina i përcjell Shqipërisë.
Intervistoi Eda Merepeza