Janar-shkurt 2023: Rritje impresionuese e turizmit shqiptar
2023-03-24 11:14:42

Shqipëria turistike (Foto Gazeta Si)

Shqipëria turistike (Foto Gazeta Si)

Mbi 686 mijë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë në 2 muajt e parë të këtij viti, ose 74 përqind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Vetëm në muajin shkurt, numri i vizitorëve të huaj u rrit me 54 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në muajin shkurt 2023, Shqipërinë e vizituan 309 325 turistë të huaj, ose rreth 100 mijë më shumë se në shkurtin e vitit 2022, kur u vizitua nga 200  997 turistë të huaj.

Në tërësi, në janar-shkurt të vitit 2022,  Shqipëria u vizitua nga 395 234 turistë të huaj dhe në janar-shkurt 2023 u vizitua nga 686 536 turistë të huaj.

Në nivel të të ardhurave, turizmi, së bashku me transportin turistik dhe me sektorin e pijeve dhe ushqimit(bar-restorante), paraqitet industria e parë e vendit, me një vëllim xhiroje prej 3.3 miliardë euro, duke ia kaluar ndërtimit. Kjo industri e kapërceu mirë krizën e pandemisë, duke rregjistruar 7.5 milionë vizitorë të huaj në vitin 2022. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës anëtari i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë Besnik Vathi,

Sipas tij, turizmi për këtë vit do të vijojë rritjen e rregjistruar gjatë vitit të kaluar, edhe pse përballet me vështirësi të shumta të trashëguara.

B. Vathi në intervistë për CMG

B. Vathi në intervistë për CMG

              

CMG: Pak ditë më parë, qeveria deklaroi se mbi 686 mijë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë në 2 muajt e parë të vitit, ose 74 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. A është ky një tregues i një viti turistik 2023 që po profilizohet i mbarë për vendin tonë?

Besnik Vathi: Së pari, duhet patur parasysh se me çfarë krahasohet. Ka dy probleme ajo shifër. Problemi i parë është se masat shtrënguese për shkak të pandemisë, kanë vazhduar deri në mars 2022, madje edhe në prill e në maj. Pra nuk mund ta marrim periudhën krahasuese me vitin e kaluar, kur sot jemi në kushtet e hapjes totale, Problemi i dytë ka të bëjë me faktin, se duke qenë se muajt janar dhe shkurt janë muajt që përkojnë me numrin më të ulët të ardhjeve, çdo ardhje me shifër absolute në rritje, kur përkthehet në përqindje, del shumë e lartë, gati 75 përqind.

 

Berati (Foto Atsh)

Berati (Foto Atsh)

CMG: Ka qenë bazë e ulët.   

         

Besnik Vathi: Po bazë e ulët. Në përgjithësi, muajt janar dhe shkurt rezultojnë me ardhjet më të ulta, në krahasim me pjesën tjetër të vitit. Ana tjetër: a është kjo premtuese? Unë gjykoj dhe mendoj se natyrshëm ky vit do të jetë më i mirë se sa viti i kaluar. Janë të njëjtët faktorë që rritën turizmin gjatë vitit të kaluar, të cilët vazhdojnë edhe sot. Sikurse e përmenda, është pas-pandemia. Që në janar e shkurt vjet, pastaj dhe marsi, prilli e me radhë, situata erdhi me hapje të njëpanjëshme. Nga ana tjetër, fluturimet me kosto të ulët (low cost) vazhdojnë në Shqipëri për në destinacionet evropiane. Një faktor tjetër i veçantë dhe premtues për këtë vit, është fakti që ka një tendencë uljeje në çmimet e karburanteve, që për pasojë, pengon rritjen e çmimeve në të gjitha produktet e ofertës turistike. Të mos harrojmë se harxhimi i karburantit është shpenzimi dhe pjesa më e rëndësishme në atë lëvizje, në transportin turistik. Turistët, që të vijnë dhe të lëvizin, natyrshëm që shpenzimi kryesor i tyre është karburanti. Nëse karburanti ulet, çmimet do të kenë tendencë të ulen dhe situata do të jetë më e mirë se sa në vitin e kaluar.     

CMG: Ju ishit në Panairin Turistik të Berlinit në ditët e para të këtij muaji. Sa interes kishin  operatorët e huaj turistikë për vendin tonë? Nga cilat vende? A po përkthehet ky interes në kontrata pune?

Besnik Vathi: Së pari, dua të theksoj se ishte hera e parë që Shqipëria mori pjesë me pese stenda të ndara veç e veç, ku operatorët dhe shteti nuk ishin të gjithë bashkë. Megjithatë, bizneset u prezantuan. Pati takime të rëndësishme dhe biseda të rëndësishme. Shpresoj, madje besoj se ky vit do të ketë lëvizje të aziatikëve. Ata gjatë vitit të kaluar munguan jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera në Evropë. Besoj se prania e tyre këtë vit do të jetë një vlerë e shtuar edhe për turizmin shqiptar. Do të ketë lëvizje dhe ardhje nga të gjitha vendet. Jo thjesht dhe vetëm për atë turizmin e plazheve, që jemi mësuar dhe e kemi parë të rritet nga viti në vit këto shtatë dhe dhjetë vitet e fundit, por do të vazhdojë të rritet me ritme të larta dhe të shpejta edhe turizmi historik, kulturor. Ky turizëm është shumë i zhvilluar në vendet fqinje dhe, me lehtësimet e mëdha që kanë ndodhur, Shqipëria është futur edhe në hartat e mëdha ballkanike. Ajo konsiderohet si një nga ndalesat apo fillesat e shumë tureve ballkanike nga turistët e largët, sikurse janë amerikanët, por edhe Amerika Latine dhe aziatikët. Pa harruar këtu ardhjet e evropianëve, sidomos evropianoperëndimorëve, të cilët vazhdimisht e kanë zhvilluar turizmin historik dhe kulturor në Shqipëri.       

Besnik Vathi (Foto CMG)

Besnik Vathi (Foto CMG)

CMG: Ju përmendët segmentin aziatik, që është një segment në zhvillim dhe i rëndësishëm, me potenciale të larta. Por ndërkohë, anasjelltas, për qytetarët shqiptarë që kanë të ardhura të larta, a ka interes për tregun aziatik, për vizitat në Kinë, në Japoni?

 

Besnik Vathi: E vërteta është që ne jemi një vend i vogël dhe e kemi të pamundur të realizojmë udhëtime në grupe drejt vendeve të largëta. Jo thjesht për probleme vizash, pse ato nga viti në vit janë lehtësuar, por është e e pamundur të grumbullohen njerëz për të realizuar udhëtime në grupe. Nga ana tjetër, dallimi mes udhëtimeve në grupe dhe udhëtimeve individuale është jo vetëm tek lehtësitë e mëdha që krijohen, tek çmimet e ulta që jepen, por edhe tek mundësitë që krijohen për njohjen e plotë të destinacioneve. Azia është pak e largët. Si destinacion është ofruar në tregun shqiptar. Kanë shkuar grupe në Pekin, në Shangai. Grupe kanë qenë edhe në Tajlandë, në Indonezi dhe në Bali. Këtë vit besoj do të fillojnë edhe për në Japoni. Por e gjitha kjo ka qenë në numra tepër të vegjël dhe në vështirësi të mëdha për t’u realizuar.    

Saranda (Foto Atsh)

Saranda (Foto Atsh)

CMG:  A janë përmirësuar standardet e shërbimit ndaj turistëve në këto vitet e fundit, në strukturat tona, në destinacionet tona turistike?

Besnik Vathi: Kjo është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur po, apo për të thënë edhe jo. Vërtet, nga viti në vit, cilësia e shërbimeve ka tendencë rritjeje. Por ndërprerja e aktivitetit gjatë pandemisë, largimi i madh dhe ngelja pa punë e profesionistëve në këtë sektor, bëri që sektori të vuajë nga nevoja për personel të kualifikuar, për të ofruar gjithnjë e më shumë shërbime cilësore. Ky është problemi i parë, që e bën të vështirë cilësinë e shërbimit. Problemi i dytë është që në zonën e Jugut, në kushtet e sotme që akoma nuk ka një aeroport, i cili të jetë afër zonës, apo edhe një aeroport të dytë në Jug, siç janë premtuar të dy, ai i Sarandës dhe i Vlorës, kjo bën që në këto vende, në Jug, sezoni turistik të jetë tepër i shkurtër, apo në Sarandë të jetë i varur kryesisht nga ardhjet në Korfuz. Në kushtet kur do të ndërtohen aeroporte të rinj në ato zona, do të jetë e mundshme për ato zona që të kenë turizëm me sezon më të gjatë. Sezoni më i gjatë do të bëjë që punonjësit të jenë të dedikuar për të punuar jo përkohësisht, për dyzet ditë, për një muaj apo dy muaj, por për të punuar minimumi gjashtë muaj. Kjo do të sjellë rritjen e cilësisë së shërbimeve. Pra, do të jetë pasojë e angazhimeve më të mëdha në infrastrukturë, që kjo zonë të përfitojë sezonalitet më të madh.

Nga ana tjetër dhe këtu dalim tek ndërhyrja e qeverisë, në këtë sektor, sidomos në turizmin e plazheve, kërkohen  ndërhyrje për të mbështetur punën sezonale. Qeveria duhet të ndihmojë hotelet gjatë periudhës së dimrit, duke u paguar sigurimet shoqërore për punonjësit që i mbajnë të angazhuar në punë jashtë sezonit turistik. Ose qeveria mund të ofrojë asistencë për punonjësit sezonale, për kohën jashtë sezonit, me kusht që të rikthehen në vendin e punës, kur fillon sezoni.

Rikthimi në vendet e punës aty ku sektori është sezonal, do të bëjë që cilësia e shërbimit të rritet dhe produkti të jetë më cilësor dhe nga profesionistë. Jo nga punonjës sezonalë të marrë nga të papunët.

Të mos harrojmë edhe një faktor tjetër. Biznesi është i interesuar që produkti të jetë sa më cilësor, në mënyrë që të kënaqë dëshirat e klientelës së huaj, që ka kërkesa tepër të larta.

Prandaj dhe biznesi turistik ka dalë edhe në tregun ndërkombëtar. Jo thjesht të marrë punonjës nga ato vende që kanë fuqi punëtore me shumicë, e cila më shumë synon të shkojë emigrant në Evropë, por duke marrë profesionistë. Për shembull, gjatë vitit të kaluar, vetëm një hotel në plazhin e Durrësit, mori në kulmin e sezonit turistik 10 guzhinierë nga Antalia. Pra, në kulmin e sezonit në Antalia, dhjetë guzhinierë profesionistë erdhën dhe u angazhuan në një hotël në plazhin e Durrësit. Kjo dëshmon faktin se bizneset gjithnjë e më shumë kërkojnë të kënaqin dëshirat e klientelës së tyre dhe të rrisin cilësinë nga viti në vit. Prandaj dhe thashë në fillim se është e vështirë të japësh një përgjigje me po apo jo. Situata është komplekse, me vështirësitë dhe problematikat e veta.             

Destinacione turistike shqiptare (Foto Intv.al)

Destinacione turistike shqiptare (Foto Intv.al)

CMG: Në gjykimin tuaj, ku duhet të përqëndrohet promovimi i turizmit nga strukturart tona shtetërore, si Agjencia Kombëtare e Turizmit, bashkitë tona, etj? Cilat janë rrugët për ta bërë më të efektshëm bashkëpunimin mes strukturave shtetërore dhe operatorëve turistikë e strukturave hoteliere të vendit?

Besnik Vathi: Së pari, duhet të ketë një strategji për promovimin e Shqipërisë dhe jo ide ditore: më shkoi mendja të bëj diçka dhe hajdeni ta bëjmë menjëherë. Në qasjen me një strategji, duhet të shohim cili është turizmi shqiptar. Nga i ka numrat, nga duhet të marrë dhe si do t’i marrë këta turistë. Ne duhet ta nisim nga shqiptarët që banojnë jashtë. Sot këta ne i kemi turistë, por turistë pa të ardhura. Vërtet mund të kenë një pashaportë të huaj dhe i konsiderojmë turistë kur vijnë. Por këto janë lidhje të përkohshme. Në qoftë se ne do të mendojmë për turizmin afatgjatë, nuk duhet të mendojmë për këta që kanë lindur në Shqipëri, por duhet të mendojmë për fëmijët e atyre që shkuan emigrantë në vitet 90-të, për fëmijët e atyre që shkuan në vitet 2000. Ideja është që, për të menduar për këta shqiptarë të rinj që kanë lindur në emigracion dhe që i kanë lidhjet shumë më të dobta me Shqipërinë, duhet një promovim më i madh, pasi këta jo vetëm që i kanë lidhjet më të dobta me Shqipërinë, por si turistë janë më konsumatorë se sa prindërit e tyre. Janë më konsumatorë jo vetëm për stilin e ndryshëm të jetesës që kanë, por edhe për faktin se lidhjet e tyre me Shqipërinë i kanë më të largëta. Kanë këtu kushërinj të dytë, të tretë dhe kur të vinë në Shqipëri, nuk do të qëndrojnë tek të afermit e tyre, por do vijnë të konsumojnë turizmin real. Ç’duhet bërë me këta?

Shembuj ka plot. Ka vende që promovojnë ardhjen e fëmijëve të lindur nga emigrantët në vendlindjen e prindërve të tyre me ndihma, me kampe, me çmime të ulura, apo edhe falas, me qëllim që, që në rritje, në këtë periudhë, në moshën e fëmijërisë apo adoleshencës, ata të fillojnë të gjejnë atë klimë që e kishin në familjen e tyre të vogël dhe ta gjejnë në atdheun e prindërve të tyre. E gjitha kjo duhet bërë, që shqiptarët e gjeneratës së dytë apo të tretë në emigracion, të jenë burim i turizmit të Shqipërisë së nesërme.

Ne nuk mendojmë për ta. Ne nuk kemi menduar për shkolla për ta, dhe jo më të mendojmë që t’i lidhim me vendin e prindërve, për të ardhur për turizëm. Pra, stratëgjia e turizmit fillon me këta. Kjo, pasi historikisht, po të shikosh turizmin e Antaljas ne Turqi, ate e ndertuan turqit e Gjermanise, emigrantet. Dhe jo thjesht turqit emigrantë, por familjet e tyre. Ato bënë që nga viti në vit, turizmi në Antalia të zhvillohet në ato dimensione të mëdha që është sot. Kjo, pasi lidhjet e forta që kishin, promovimi që iu bë asaj zone, natyrshëm i lidhur me strategjitë që kishin brenda vendit, të gjitha këto sollën që turizmi në Antalia të jetë ky që është sot. Turizmi i Greqisë, nga ana tjetër, është tepër i kërkuar nga emigrantët grekë që jetojnë në Amerikë. Qeveria greke promovon që në moshë të njomë ardhjen e fëmijëve të emigrantëve grekë në kampe të përbashkëta në Greqi, në periudha të sezoneve të ulta, me qëllim që të ndihmojnë edhe hotelet në sezonet e ulta me pak frekuentim. Ndërkohë qeveria greke promovon turizmin e së ardhmes në vend. Kështu duhet të veprojmë edhe ne.             

 

Intervistoi  Fatos Çoçoli