Ekspertët: Ekonomia gjermane parashikohet të rritet me 0.2 për qind këtë vit
2023-03-24 15:30:13

Foto nga VCG

Ekonomia e Gjermanisë parashikohet të shmangë ngushtësisht recesionin gjatë këtij viti me një rritje të produktit të brendshëm bruto (PBB) prej 0.2 për qind, njoftoi Këshilli Gjerman i Ekspertëve Ekonomikë (GCEE), citon “Xinhua”.

Sipas ekspertëve, perspektiva afatshkurtër është përmirësuar pak për shkak të një situate të stabilizuar të furnizimit me energji dhe çmimeve më të ulëta të shitjes me shumicë.

Në parashikimin e tij të mëparshëm të publikuar vjeshtën e kaluar, këshilli bëri të ditur se ekonomia gjermane do të tkurret me 0.2 për qind këtë vit.

“Humbja e fuqisë blerëse për shkak të inflacionit, kushteve më të shtrënguara të financimit dhe rimëkëmbjes së ngadaltë të kërkesës së huaj pengojnë një rritje më të fortë këtë vit dhe vitin e ardhshëm”,- deklaroi kryetarja e GCEE-së, Monika Schnitzer.

Sipas këshillit, rihapja e Kinës pas optimizimit të përgjigjes ndaj Covid-19, nga ana tjetër, mund të rrisë rritjen e PBB-së gjermane pasi nga rritja e kërkesës kineze do të përfitonte tregtia e jashtme.

Kina mbeti partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë për të shtatën vit radhazi në vitin 2022, sipas shifrave zyrtare.

Sipas GCEE, inflacioni është ende i ngritur ndjeshëm dhe ka të ngjarë të bjerë vetëm ngadalë. Norma vjetore e inflacionit për vitin 2023 pritet të bjerë lehtë në 6.6 për qind. (Irma)