Ukraina pret programin prej 15.6 miliardë dollarësh nga FMN në javët e ardhshme
2023-03-24 09:50:00

Foto nga VCG

Ministria e Financave në Ukrainë njoftoi se pret që Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të miratojë një program të ri për Ukrainën me vlerë 15.6 miliardë dollarë amerikanë në javët e ardhshme.

Autoritetet ukrainase dhe ekspertët e FMN-së kanë arritur tashmë një marrëveshje në nivel stafi për programin, citon “Xinhua” një deklaratë të ministrisë.

Marrëveshja 48-mujore e Fondit të Zgjeruar (EFF) përfshin një sërë politikash makroekonomike dhe financiare për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, thuhet në deklaratë.

Misioni i FMN-së i udhëhequr nga Gavin Grey zhvilloi bisedime me zyrtarët ukrainas mbi programin e ri më 8-15 mars në Varshavë, Poloni. (Irma)