Ministrja Kushi: Panairi “Work and Study”, busull orientimi për të rinjtë drejt të ardhmes
2023-03-24 10:33:34

(Foto nga Facebook MAS)

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, deklaroi se panairi “Work and Study”, i organizuar në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, tashmë shërben si një busull shumë e mirë orientimi për të rinjtë drejt të ardhmes së tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Kushi tha se universitete dhe biznese të ndryshme zgjedhin këtë panair për të paraqitur ofertat e tyre të studimeve e të punës, por ndërkohë të rinjtë njihen dhe me politikat lehtësuese në programe studimi, apo sektorë të ndryshëm punësimi.

“Falë ndërkombëtarizimit, universitetet tona tashmë kanë marrëveshje bashkëpunimi dhe programe studimi të përbashkëta e të dyfishta me simotrat e tyre në Europë, çka garanton cilësi dhe vlerë më të lartë për diplomat e tyre”,- shkroi ministrja Kushi.

Ajo u bëri thirrje të rinjve të përfitojnë nga programet prioritare të studimit, për të cilat ofrohet më shumë mbështetje me përjashtim nga tarifat dhe bursa sa paga minimale. (Irma)