Himni i Flamurit tashmë këndohet çdo të hënë nga nxënësit e shkollave në vend. Kjo taditë po rikthehet, pas një vendimi të marrë nga ana e qeverisë, kryesisht nga Kryeministri Edi Rama, në 555 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
“Himni i Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, si edhe me vendimin që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore”- ka shkruar Kryeministri Rama në Facebook.
Njoftimi është publikuar edhe nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Kjo nismë u rivendos gjatë këtij viti, që përkon me përvjetorin e 555-të të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj, një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet që besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij. Skenderbeu njoh si komandant i të gjitha fiseve shqiptare dhe arriti të ndalonte për 25 vite me rradhë përhapjen e trupave turke në Ballkan, pa humbur qoftë edhe një betejë.
Si lindi Himni i Flamurit ose Himni ynë Kombëtar?
Lasgush Poradeci bëhet edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Askush në ato çaste historike për Shqipërinë nuk mendonte se ajo këngë e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Përgatitësit e korit të kolonisë shqiptare zgjodhën dhe pajtuan si profesor dhe drejtor të korit muzikantin më të madh rumun, Kiriak, profesor në konservatorin e muzikës dhe të artit dramatik të Bukureshtit. Mbledhjen e parë për formimin e korit shqiptar ai e bëri në vitin 1907. Aty ai i ndau pjesëtarët në soprano, tenor, bas etj. Në një pushim, plot gaz dhe kënaqësi ..., ai i tha Asdrenit, i cili ndodhej midis këngëtarëve dhe ishte i dëgjuar si vjershëtor kombëtar: "Ti je poet, bëj një strofë shqip që ta harmonizoj për korin dhe ta këndojmë". Pa mbaruar këto fjalë mjeshtri i madh, gjithë anëtarët e korit buçitën me një zë në mes të entuziazmit: "Rroftë Asdreni! ", “Asdren!", "Marshin Asdren!", "Marshin shqip! Marshin shqiptar!".
Poeti i mirënjohur Asdreni nuk nxori zë atëherë, sipas natyrës së thjeshtë që karakterizonte, por pas disa ditëve, në mbledhjen e dytë ose të tretë, ai u paraqit me himnin e bërë gati në gjuhën shqipe, me titullin "Rreth flamurit të përbashkuar". Nuk përshkruhet dot hovi i zjarrshëm i zemrave, me të cilin u prit ky lajm i bukur i përgatitjes së himnit. Pa e mbaruar së recituari Asdreni, një anëtar ia hoqi vjershën me padurim nga duart, e vendosi në mes të sallës, dhe së bashku me koristët e tjerë dhe me profesorin Jonesku , e ekzekutuan himnin .
Himni, duke filluar nga Korça u përhap menjëherë nëpër gjithë Shqipërinë. Kur u bë Himni ynë i Flamurit, kujt mund t'i shkonte ndërmend se do të krijohej aq shpejt dhe kush besonte se në atë kohë, kur Perandoria Otomane ishte e fortë, ky himn do të zinte vendin e një himni kombëtar! Me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçëm që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit.
Nëse himni u përhap në tërë Shqipërinë, duke zotëruar zemrat e shqiptarëve, kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shenjtëroi, duke u dashuruar me të... Me të luftuan kryengritjet ,me të u ngrit Flamuri në Vlorë!
Himni i Flamurit është himni kombëtar i Shqipërisë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1912. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mbi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare. "Himni i Flamurit" është i vetmi himn në botë që i kushtohet simbolit të flamurit. Nëse duhet të kemi solidaritet me njëri- tjetrin, duhet patjetër që të njohim gjërat që na bashkojnë.
Sava Lena