Foto nga VCG
Liderët shtetërorë të Kinës dhe Rusisë kanë nënshkruar dy deklarata të përbashkëta, ku hartohen dhe planifikohen marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Të dy palët nënshkruan dokumentin e bashkëpunimit kino-rus në shumë fusha, si bujqësi, pylltari dhe kërkimet bazë shkencore. Të mërkurën, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping përfundoi vizitën shtetërore në Rusi, e cila ka pasur arritje të frytshme, që dëshmojnë se kjo është një vizitë historike e “miqësisë, bashkëpunimit dhe paqes”.
Kjo është vizita e parë e Xi Jinping-ut jashtë vendit që prej rizgjedhjes së tij si kryetar i shtetit dhe vizita e 9-të e tij në Rusi si kryetar shteti. Gjatë kësaj vizite treditore, ai dhe homologu i vet rus zhvilluan bisedime dhe shkëmbime mendimesh të gjata, të sinqerta, miqësore e të frytshme, duke arritur shumë konsensuse të reja dhe të rëndësishme. Të dy palët ranë dakord që të thellojnë partneritetin e bashkërendimit të gjithanshëm strategjik në epokën e re.
Gjatë takimit me gazetarët, fjalët e kryetarit Xi lanë përshtypje shumë të thellë: “Marrëdhëniet dypalëshe e kalojnë sferën dypalëshe dhe luajnë një rol kyç për situatën botërore dhe fatet e njerëzimit.”
Foto nga Xinhua
Bashkëpunimi praktik është një fushë e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-Rusi. Gjatë kësaj vizite, të dy palët nënshkruan "Deklaratën e përbashkët për planifikimin e drejtimeve kryesore të bashkëpunimit ekonomik Kinë-Rusi", ku bëhet e qartë që duhet të zhvillohet bashkëpunimi ekonomik në tetë drejtime kryesore. Zv.profesori i Universitetit të Financave pranë Qeverisë Federale të Rusisë, Gevork Mirzoyan, mendon që në të ardhmen, bashkëpunimi praktik Kinë-Rusi do të eksplorohet më tej dhe do të ketë më shumë projekte bashkëpunimi, çka do të nxitë zhvillimin ekonomik e shoqëror të të dy vendeve.
Tani ndryshimet ndërkombëtare që nuk janë parë në një shekull, po përshpejtohen dhe balanca ndërkombëtare e fuqisë po ndryshon thellësisht. Disa vende perëndimore, me mendësi të Luftës së Ftohtë, po bëjnë politikë grupesh dhe konfrontim në blloqe, duke kërcënuar paqen dhe qëndrueshmërinë botërore. Sa më komplekse të jetë situata ndërkombëtare, aq më e dukshme është nevoja që Kina e Rusia të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin. Gjatë vizitës, pala kineze theksoi nevojën për të forcuar bashkëpunimin brenda kornizave ndërkombëtare shumëpalëshe, të tilla si Organizata e Bashkëpunimit e Shangait, BRICS e G20, dhe të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë. Krahas kësaj, duhet të jepet më shumë kontribut për të ruajtur sigurinë ushqimore e energjetike dhe stabilitetin e zinxhirëve të industrisë dhe të furnizimit të botës, si edhe të nxitet bashkërisht ndërtimi i bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Rusia shprehu mbështetje të qartë për Nismën e Sigurisë Globale, Nismën e Zhvillimit Global e Nismën e Qytetërimit Global, si edhe uroi për suksesin historik të dialogut mes Arabisë Saudite dhe Iranit me nxitjen nga pala kineze.
Foto nga VCG
Nga deklarata e përbashkët Kinë-Rusi për thellimin e partneritetit të bashkërendimit të gjithanshëm strategjik në epokën e re, del që të dy palët kanë mendime të përbashkëta mbi situatën botërore dhe shumë çështje kryesore, duke përfshirë mbështetjen për dialogun e jo konfrontimin, përfshirjen e jo përjashtimin, kundërshtimin e shfrytëzimit të demokracisë dhe lirisë si pretekst dhe mjet politik ndaj vendeve të tjera dhe nxitjen e formimit të marrëdhënieve të reja ndërkombëtare. Si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Rusia nxitin në mënyrë të vendosur shumëpolarizimin e botës dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe do të bëhen “shtylla thelbësore” për paqen dhe sigurinë globale.
Lidhur me problemin e Ukrainës, Kina dhe Rusia theksojnë në deklaratën e përbashkët që dialogu i përgjegjshëm është mjeti më i mirë për zgjidhjen e qëndrueshme të këtij problemi. Rusia rideklaroi që do të përpiqet për rifillimin e samëparshëm të bisedimeve të paqes. Moska mirëpret palën kineze të luajë rol pozitiv në zgjidhjen e krizës së Ukrainës në rrugë diplomatike dhe qëndrimet konstruktive të përfshira në dokumentin e publikuar nga pala kineze “Qëndrimi i Kinës për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës”. Kjo tregon që qëndrimi i drejtë e objektiv i Kinës për bisedimet e paqes ka fituar mbështetje dhe besim të gjerë. Përgjegjësitë e Kinës janë treguar qartë përpara botës.