6 mujori i dytë shihet me optimizëm për bizneset prodhuese
2023-03-23 11:52:33

Eksportet (Foto Atsh)

Eksportet (Foto Atsh)

Kjo periudhë  nuk ka qenë më e mira për bizneset prodhuese, e ndikuar nga faktorët ndërkombëtarë. Në një intervistë për mediat Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë thotë se efektet  negative duket se po zbehen.

“Unë besoj se kemi hyrë në zonën e kuqe të post krizës për shkak se ne marrim me pak vonesë fshikullimën e të gjithë problematikës që sjell lufta Rusi- Ukrainë. Natyrisht që ekonomia botërore po lëngon dhe do ta sjellë tek ne efektin e saj. Këto kane qenë dy muaj shumë të vështirë. Janar dhe shkurt ishin të vështirë. Pritet ne fakt që 6 mujori i parë të jetë shumë i vështirë, mungon entuziazmi që 6 mujori i dytë të fillojë të stabilizohet. Flluska e spekulimeve, problemeve, vështirësive, pengesave dhe e bllokimeve pritet të bjerë “ është shprehur Shkodra.

Arben Shkodra (Foto cna.al)

Arben Shkodra (Foto cna.al)

Kjo, sipas tij,  ka nisur të ndjehet edhe në rënien e çmimeve për lëndë të ndryshme.

“ Gjithmonë entuziazmi ynë, duke bërë disa llogaritje që ky konflikt ka zgjatur më shumë seç duhet dhe mund të jemi vitin e dytë të shfryrjes së konfliktit. Ka shenja po t’i shikoni në lajmet ndërkombëtare që ka diskutime për të filluar një negociatë paqeje. Në bursën ndërkombëtare do reflektohet menjëherë shfryrja e çmimeve, sidomos të spekulimit të çmimeve, i cili na ndikon krejtësisht në atë çfarë ne po ndjejmë sot. Kemi një inflacion të lartë, ku konsumatorët evropianë po konsumojnë më pak. Prodhuesit evropianë po porosisin më pak tek ne që të prodhojnë dhe natyrisht që ne na mungon ajo puna që ne mendojmë si postpandemi që do fillonte dhe do kishim një shfryrje të të gjithë asaj energjie të akumuluar gjatë pandemisë. Unë mendoj që 6 mujori i dytë mund të fillojë dhe të bjerë. Kemi filluar të shohim rënien e çmimeve të naftës, jo në nivele që duhet. Kemi parë që ka filluar një shfryrje të kësaj flluske të energjisë elektrike. Energjia në bursa ka rënë për shumë arsye, por shikohet që ka një lloj shfryrje dhe mendojmë që duke u shfryrë çmimet do të relaksohen, tregjet po ashtu dhe natyrisht dhe konsumatori do të fillojë t’i kthehen sjelljes së vet si më pare” theksoi Shkodra.

I pyetur për konkurrencën e produkteve “Made in Albania”, Arben Shkodra flet me shumë rezverva për përkrahjen që po i bëhet nga autoritetet përkatëse.

“Nuk jemi askund, flitet shumë por nuk është përcaktuar dhe vendosur akoma.  Ka një dokument në të cilin ne kemi një kontribut, që  duhet të merret në shqyrtim nga qeveria që jo vetëm të merret në shqyrtim, por duhet bërë dhe pjesë e vizionit të qeverisë për të ndërtuar një model ekonomik, bazuar jo vetëm tek importi apo ndërtimet, por edhe ta adresojnë tek prodhimi. Prodhimi është shumë i rëndësishëm. Kriza pandemike na tregoi që të gjitha marrëveshjet për ato 5 apo 6 muaj ranë, marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë së lirë. Pra shtetet nuk eksportonin më dhe nuk arrinin të importonin më. Atëherë ju drejtuan tregut të brendshëm, ekonomisë prodhuese të brendshme duke bërë një analizë se çfarë ata mund të prodhonin së brendshmi. Çfarë kishte munguar që ta nxisnin që të prodhonin dhe më tepër se sa kishin prodhuar më parë. Shtete të rëndësishme në thonjëza “parazitare”, kishin përdorur shtete të tjera prodhuese të botës së tretë për të furnizuar tregun e tyre. Ata e kuptuan që tregtia u bë më e vështirë, më e shtrenjtë dhe më e pak aksesueshme. Atëherë çfarë bënë? Filluan të krijojnë një vizion të ri të ekonomisë prodhuese të vendit të tyre. Duke përdorur tregjet e afërta për lëndët e para dhe më shumë punën, brenda ekonomisë së tyre. Këtë gjë duhet ta bëjmë dhe ne, që do të thotë se jemi vend i begatë sepse jemi vend me 300 ditë diell”, tha eksperti

Prodhuesit (Foto Monitor)

Prodhuesit (Foto Monitor)

Potencialet janë të mëdha në shumë sektorë sipas përfaqësuesve të bizneseve.

“Ne mund të kemi bujqësinë e specializuar në produkte shumë interesante për tregjet ndërkombëtare, duhet të kishim agro-përpunimin në nivele shumë të mira të standardizuara dhe të certifikuara. Pa dyshim që kemi turizmin, manifakturën por nga ana tjetër është e rëndësishme që të drejtohemi tek prodhuesi vendas për të parë. E para, për ta normuar dhe rregulluar me ligje të mira dhe mos t’ia bëjmë barrë pjesën e legjislacionit. E dyta, për t’i thjeshtuar procedurat sesi të prodhojnë dhe të eksportojnë më mire. E treta, duhet t’i promovojmë këta njerëz. E katërta, duhet të krijojnë instrumente mbështetës, qoftë financiar, garantues apo sigurues. Nëse ne mbështetemi tek këto 4 shtyllat promovimi i eksporteve në Shqipëri do të njohë nivele krejtësisht të tjera dhe do të kapim ndryshim të tregjeve në nivele komplet të tjera”, u shpreh Shkodra

Problem tjetër sipas Sekretarit të përgjithshëm të Prodhuesve Shqiptarë është edhe mungesa e barazisë fiskale mes produkteve të importit dhe atyre vendase.

“Kur flasim për taksat të gjithë mendojmë që duhet të ulim taksat. Nuk ka biznes në botë dhe në Shqipëri që nuk do të donte që të kishte taksat më të ulëta, sepse do të kishte më shumë fitim për të ndarë. Por nga ana tjetër ne themi që është e rëndësishme që të kemi taksa të drejta, që do të thotë nëse lënda e parë e imja, vjen me taksë doganore dhe produkti final në një shtet tjetër vjen pa taksë doganore, produkti që unë prodhoj me atë lëndë të parë që e kam pa taksë doganore do jetë gjithnjë e më i shtrenjtë dhe nuk ka kuptim të udhëtojmë me mijëra kilometra në vende të tjera. Atëherë kjo është padrejtësi fiskale. Ne duhet të rishikojmë urgjentisht të gjithë kuadrin fiskal, ligjit për procedurat tatimore, por dhe inventarit të taksave që ne kemi. Se si po aplikohen këto, duke penguar dhe prishur konkrueshmërinë e produkteve tona. Kjo e gjitha duhet të jetë vetëm për të rritur konkurueshmërinë e ekonomisë prodhuese.”- tha Shkodra.

Për këtë bizneset kërkojnë diskutim me qeverinë për të riparë të gjithë barrën e taksave.