Senatori australian: "Kur ShBA-ja na thotë të kërcejmë, ne jo vetëm pyesim 'Sa lart?', por bëjmë edhe një rrotullim së prapthi"
2023-03-23 20:27:14

Senatori australian Jordan Steele-John, që vjet i bëri thirrje Australisë të tërhiqet nga AUKUS-i, marrëveshja trepalëshe e sigurisë ndërmjet ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë, e kritikoi përsëri këtë marrëveshje në një seancë të parlamentit australian.  Ai e quajti këtë të ashtuquajtur "plan bashkëpunimi"  si një shpenzim kolosal të kotë të fondeve publike të Australisë, që u sjell përfitime të mëdha prodhuesve të armëve në ShBA e Britaninë e Madhe dhe i çon australianët drejt një humnere të rrezikshme.

Jordan Steele-John vuri në dukje se kjo marrëveshje është "një ndër vendimet e politikës së jashtme më katastrofike", që e vë Australinë nën prangat e ShBA-së. "Kur ShBA-ja na thotë të kërcejmë, ne jo vetëm pyesim 'Sa lart?', por bëjmë edhe një rrotullim së prapthi," u shpreh ai me ironi.

Sipas marrëveshjes së AUKUS-it, ShBA-ja do t'i ofrojë Australisë tre nëndetëse bërthamore "Virginia" deri në vitin 2030. Në të ardhmen, Australia mund të blejë edhe dy nëndetëse të tjera. ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Australia do të studiojnë dhe prodhojnë së bashku nëndetëse të tipit të ri. Australia do të prodhojë tetë nëndetëse, pesë ndër të cilat do të dorëzohen në mes të viteve '50 të këtij shekulli dhe tre të tjera në vitet '60. 

Për këtë marrëveshje të nëndetëseve bërthamore, Australia do të investojë 368 miliardë dollarë australianë në 30 vitet e ardhme.

Jordan Steele-John tha se këto fonde mund të përdoren për ndërtimin e 1 milion shtëpive, duke i dhënë fund dukurisë së mungesës së strehimit; për përmirësimin e ajrimit në shkolla, për të garantuar sigurinë e fëmijëve, ose për përfshirjen e shëndetit të dhëmbëve dhe shëndetit mendor në sigurimet mjekësore. (Xu Guang)