Shefi i OKB-së kërkon eliminimin e diskriminimit racor në të gjitha format
2023-03-23 10:53:57

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime për të trajtuar racizmin kudo dhe kurdo që shfaqet dhe të eliminojë të gjitha format e diskriminimit racor.

Guterres i bëri këto komente në një aktivitet të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor, bën të ditur “Xinhua”. Diskriminimi racor është një nga forcat më shkatërruese që ndajnë shoqëritë, përgjegjëse për vdekjen dhe vuajtjet në një shkallë të lartë gjatë historisë, tha ai.

Sot diskriminimi racor dhe trashëgimia e skllavërisë dhe kolonializmit vazhdojnë të shkatërrojnë jetë, të margjinalizojnë komunitetet dhe të kufizojnë mundësitë, duke penguar miliarda njerëz të arrijnë potencialin e tyre të plotë, shtoi ai. “Ksenofobia, paragjykimi dhe gjuha e urrejtjes po rriten”,- tha Guterres.

Shefi i OKB-së nënvizoi gjithashtu nevojën për të trajtuar racizmin në epokën digjitale, duke vënë në dukje se ndikuesit supremacistë të bardhë përfitojnë nga racizmi në platformat e mediave sociale dhe algoritmet e inteligjencës artificiale amplifikojnë dhe digjitalizojnë diskriminimin racor.

“Ne duhet t'i rezistojmë dhe t'i kthejmë këto tendenca me vendosmëri dhe të dënojmë dhe eliminojmë diskriminimin racor në të gjitha format e tij. Ne duhet të ndërmarrim veprime për të adresuar racizmin kudo dhe kurdo që shfaqet, përfshirë përmes kanaleve ligjore”,- tha Guterres. (Elona)